1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti i Kosovës anulon vizitën në Maqedoni

Kabineti i presidentit të Maqedonisë përveç se shpreh keqardhje për anulimin e vizitës nuk jep hollësira për arsyen e ndryshimit të karakterit të pritjes zyrtare.

default

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në parlament

Për shkak të ndryshimit të karakterit të pritjes zyrtare të Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu nga ana e kabinetit të Presidentit të Maqedonisë, vizita e planifikuar e Sejdiut për sot në Shkup është anuluar.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, anuloi ftesën e Presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, pasi Shkupi nuk do ta presë me ceremoni shteterore, ashtu siç do të ndodhë me kreun e çdo shteti duke e konsideruar këtë thjesht si një takim pune. Lajmin e konfirmoi zyra për informim e Presidencës së Kosovës, në njoftimin e së cilës thuhet, se meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, Presidenti Sejdiu nuk do të zhvillojë vizitën e planifikuar për datën 28 maj. Nga kabineti i Presidentit Ivanov shprehin keqardhje për anulimin e kësaj vizite, por pa dhënë asnjë shpjegim se pse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e kësaj vizite nga zyrtare në vizitë pune dhe se pse pala kosovare informohet për këtë ndryshim vetëm në minutat e fundit.

Mazedonien Präsident Gorgi Ivanov

Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov

Vizita e Presidentit kosovar ishte e paqartë gjithë këto 10 ditë. Në fillim u lajmërua për një takim zyrtar në vilën Biliana në Ohër për t´u ndryshuar më pas destinacioni për në vilën presidenciale në Shkup. Ky ndërrim u bë, pasi takimi në Ohër do të konsiderohej në cilësinë private dhe pa protokoll të një ceremonie zyrtare. Ky nuk është lëshimi i parë i kabinetit të Presidentit të Maqedonisë, kur bëhet fjalë për Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Sejdiu u anashkalua edhe në inaugurimin zyrtar të Ivanovit, megjithëse gjendja nga kabineti i presidentit të Maqedonisë u mundua të neutralizohej me ftesën për një takim zyrtar, që duhej të zhvillohej sot në Shkup.

Nga partia shqiptare në pushtet ndërkohë kanë reaguar për këtë ndryshim të karakterit të vizitës së Sejdiut. Për BDI-në ky është një moment i ri, për të cilin kryesia e partisë do të mblidhet për të vendosur se cili do të jetë veprimi i mëtejshëm i integristëve.

“Është një moment i ri për ne si BDI dhe si partner të koalicionit qeveritar. Do të presim kthimin e kryetarit Ali Ahmeti nga Brukseli dhe gjate ditëve te ardhshme do të mblidhet kryesia e partisë për të marrë vendim, pse erdhi deri te anulimi i kësaj vizite, e cila ishte e paraparë që Presidenti Fatmir Sejdiu të pritet në nivel shtetëror”, ka deklaruar nënkryetari i BDI-së, Rafis Aliti.

Autor: Fatos Musliu

Readaktoi: Angjelina Verbica





  • Data 28.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HzDL
  • Data 28.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HzDL