Presidenti i Koresë së Jugut kërkon unitet përballë Veriut komunist | Bota | DW | 28.12.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti i Koresë së Jugut kërkon unitet përballë Veriut komunist

Me një thirrje për unitet kombëtar, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung Bak ritheksoi se do të veprojë me vendosmëri ndaj provokimeve të Koresë së Veriut. Lee paralajmëroi që të mos përçahet populli i Koresë së Jugut

Anije luftarake të Koresë së Jugut pranë ishullit Jonpjong

Anije luftarake të Koresë së Jugut pranë ishullit Jonpjong

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung Bak i bëri thirrje njerëzve të tij për të qendruar të bashkuar në luftë kundër Koresë së Veriut:

"Përballë kërcënimit të sigurisë kombëtare, vendi ynë nuk mund të merret me grindje të brendshme. Sepse jetës së njerëzve dhe mbijetesës së kombit u është vënë pikëpyetje."

Presidenti dha siguri se Koreja e Jugut vazhdon të dëshirojë një ribashkim në paqe me Korenë e Veriut. Por edhe nga konfrontimet luftarake nuk duhet pasur frikë, tha ai.

"Po të kemi frikë nga lufta, atëherë ne nuk mund ta pengojmë atë. Vetëm po të jemi të vendosur, që të përballim me trimëri çdo rrezik, vetëm atëherë mund t'i shmangim të gjitha kërcënimet."

Lufta ndalet me qendrim të pakompromistë

Presidenti i Koresë së Jugut theksoi gjithashtu edhe se ka nxjerrë mësime me vlerë nga sulmi i artilerisë së Koresë së Veriut ndaj ishullit Yeonpyeong, në të cilin u vranë katër vetë.

"Jugu ka treguar deri tani gjithmonë durim të madh, për ta ruajtur paqen. Por ndërkohë, kemi arritur në përfundimin, se lufta mund të ndalet dhe paqja mund të garantohet, po t'i përgjigjemi me një qendrim të pakompromistë të gjitha provokimeve të Veriut."

Me këtë presidenti i Koresë së Jugut ritheksoi sërish paralajmërimet e javëve të shkuara, se që këtej e tutje Seuli do të kundërgodasë.

Lee Myung Bak, presidenti i Koresë së Jugut

Lee Myung Bak, presidenti i Koresë së Jugut

Lee-në e patën akuzuar më parë se ai dhe ushtria patën reaguar shumë dobët dhe me pasivitet ndaj sulmit me granata kundër Yeonopyeongut. Pas kësaj, ministri i Mbrojtjes dha dorëheqjen.

Në fjalimin e tij, presidenti konservator kritikoi indirekt edhe opozitën liberale. Diskutimet në Korenë e Jugut pas fundosjes së anijes patrulluese Cheonan në mars e patën inkurajuar Korenë e Veriut dhe patën shtruar truallin për sulmin kundër Yeonpyeongut. Politikanë të Koresë së Jugut, shkencëtarë dhe gazetarë i patën vënë në dyshim përfundimet hetimore të një komisioni multinacional, i cili pati bërë përgjegjës një silurues të Koresë së Veriut për fundosjen e Cheonanit. 46 marinarë e patën humbur jetën atëherë.

Pheniani i ka hedhur poshtë akuzat e Cheonanit. Sulmin ndaj ishullit Yeonpyeong Koreja e Veriut e justifikon duke e quajtur shpagim. Jugu sipas saj e pati goditur më parë territorin e Koresë së Veriut.

Autor: Hans Günther Kraut/Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 28.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zqUl
  • Data 28.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zqUl