1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti i Gjermanisë i premton mbështetje Afganistanit

Presidenti Federal i Gjermanisë, Christian Wulff shkoi për një vizitë të paparalajmëruar në Afganistan. Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Afganistan pas 44 vjetësh.

Presidenti i Gjermanisë Wullff dhe presidenti i Afganistanit, Karsai

Presidenti i Gjermanisë Wullff dhe presidenti i Afganistanit, Karsai

Presidenti Federal i Gjermanisë, Christian Wulff i premtoi pas një vizite të paparalajmëruar Afganistanit ndihmë të qendrueshme, edhe pas tërheqjes së planifikuar të Bundeswehrit në vitin 2014. "Gjermania nuk do ta lërë në baltë Afganistanin", premtoi kryetari i shtetit gjerman të dielën në Kabul, në një bisedë me Presidentin Hamid Karsai. "Unë këtu kam ardhur para së gjithash për të bërë të qartë se në krah të Afganistanit, si mik i Afganistanit dhe partner i besueshëm ne duam të intensifikojmë një marrëdhënie të qendrueshme."

Për shkaqe sigurie, udhëtimi i Wulffit nuk qe paralajmëruar.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karsai e priti Wulffin në pallatin presidencial në Kabul me nderime ushtarake dhe e quajti "një mik të vjetër të Afganistanit". Pas kësaj, dy kryetarët e shtetit u takuan për një bisedë. Biseda e dy kryetarëve të shtetit u shërbeu edhe përgatitjeve për konferencën e madhe të Afganistanit, më 5 dhjetor në Bonn. Temë atje do të jetë tërheqja e planifikuar e forcave të armatosura të huaja dhe vendosja e piketave për procesin e mëtejshëm të paqes në vend.

Pritje me nderime ushtarake

Pritje me nderime ushtarake

Takim me shoqërinë civile

Më parë, Wulffi qe takuar në kryeqytetin Kabul me përfaqësues të orginazatave të grave dhe të të drejtave të njeriut. Në takim u diskutua gjendja e të drejtave të njeriut, situata e grave në vend dhe e ardhmja politike e Afganistanit. Wulffi tha se ka "respekt të madh për arritjet e shoqërisë civile afgane". Ajo luan në procesin tranzitor deri në sovranitetin e plotë të vendit një rol vendimtar.

Pas bisedave të tij në Kabul, Wulffi shkoi në Afganistanin e Veriut. Në kampin fushor të Bundeswehrit në Masar-i-Scharif Presidenti gjerman përkujtoi ushtarët gjermanë të vrarë në Afganistan. Në biseda me drejtuesit civilë dhe ushtarakë të Komandës rajonale Veri, ai u informua më tej për gjendjen ushtarake dhe për gjendjen e bashkëpunimit.

Takim me ushtarët gjermanë

Takim me ushtarët gjermanë

Pastaj u shtrua një darkë me ushtarë, policë, bashkëpunëtorë civilë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare. Masar-i-Scharif është rezidenca kryesore e trupës paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja, ISAF, në veri të vendit, komandën atje e ka Bundeswehr-i.

Presidenti i fundit gjerman që vizitoi Afganistanin ishte në vitin 1967 Heinrich Lübke.  Në maj 2010 ushtarët gjermanë në Afganistan i vizitoi edhe paraardhësi i presidentit të tanishëm gjerman, Horst Köhler. Që ai nuk u takua atëherë me Karzain, çoi në një lloj zemërimi në palën afgane. Pak pas kësaj, për shkak të shprehjeve që ngjallën debate për angazhimin e ushtarëve gjermanë në malet Hindukush, Köhleri dha dorëheqjen.

 Autor: Auron Dodi /ZDF/Kissel

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM