1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti i Gjermanisë Gauck kërkon demokraci militante

Në përvjetorin e tij të pestë në post, Presidenti i Gjermanisë, Gauck bëri thirrje për mbrojtjen e sistemit demokratik të shtetit. Ai tha se Gjermanisë i duhet një "demokraci të aftë të mbrojë veten dhe militante".

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck mbajti të mërkurën në rezidencën e tij në Pallatin Bellevue fjalimin e tij të fundit të madh drejtuar kombit.

Fjala e tij mbante titullin "Si duhet të bëhet vendi ynë" dhe Presidenti e përdori atë për të theksuar rëndësinë e një demokracie të aftë të mbrojë veten dhe për një politikë të fortë  të sigurisë .

Gauck e quajti Gjermaninë e sotme "Gjermaninë më të mirë dhe më demokratike që kemi pasur ndonjëherë". Njëkohësisht ai paralajmëroi se "demokracia liberale dhe projekti politik dhe normativ i Perëndimit ndodhet nën goditje". Pas pesë vjetësh si kryetar shteti, megjithatë ai tha se ndihet edhe më fort i ndikuar nga ndërgjegjësimi se "këtë Gjermani demokratike dhe stabile e kërcënojnë edhe rreziqe".

Në debatin për pasoja pas atentateve terroriste në Gjermani, Gauck mbrojti idenë e një shteti të fortë. "Shteti juridik humbet, kur në luftë kundër dhunës dhe terrorit ai e tregon veten shumë të dobët ose pa orientim", tha Presidenti gjerman. Më shumë siguri nuk është rrezik për demokracinë, por një kërkesë e nevojshme për ta mbrojtur atë.

Përballë rigrupimit të forcave dhe rregullave të reja që diktohen, Presidenti gjerman tha se vija e sotme ndarëse është midis demokratëve dhe jodemokratëve. Ai shtoi se ata "që e duan demokracinë, do ta mbrojnë atë." Pikërisht përballë sfidave aktuale, demokracia e tregon veten si forma më e adaptueshme dhe më pluraliste e demokracisë.

Të marrim më shumë përgjegjësi ndërkombëtare

Përsa i përket politikës ndërkombëtare, Gauck ritheksoi kërkesën e tij që Gjermania duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi. "Krahasuar me sfidat e kohës sonë dhe me mundësitë tona, ne mundet dhe do të bënim mirë të bënim më shumë", theksoi Gauck. Ne duhet të bëjmë më shumë, për të ruajtur së bashku me të tjerët rendin, për të parandaluar konflikte, për të qetësuar krizat dhe për të frikësuar kundërshtarët". Në momentin e tanishëm Gjermania nuk u përgjigjet në një masë të konsiderueshme të gjitha detyrimeve që ka.

 "Po të mos e marrim parasysh potencialin brenda nesh, ne do të ngecim në stanjacion të përjetshëm politik, në një kulturë me pasoja të karakterizuar nga frika, indiferenca dhe dyshimi në vete", tha Presidenti gjerman.

Gaucku i bëri thirrje Gjermanisë që të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e saj për të kundërshtuar përpjekjet për ta përçarë Bashkimin Evropian, të cilin ai e quajti një "projekt paqeje dhe përparimi".

Përsa i përket migrimit, Gauck paralajmëroi se do të pasojnë kriza të tjera "derisa kufijtë e jashtëm të Evropës të sigurohen me efikasitet, për aq kohë sa të mos kemi një politikë migrimi evropiane me rregulla, dhe së fundi për sa kohë që nuk përmirësohen kushtet e jetesës në vendet e origjinës."

Ai i bëri thirrje Gjermanisë që të bëjë më shumë për ruajtjen e paqes dhe kërkoi të ngrihet një fuqi mbrojtëse gjithëevropiane, duke paralajmëruar se "kushtet bazë për paqe dhe dialog janë vënë në diskutim" 

 

Joachim Gauck u zgjodh President i Gjermanisë në vitin 2012. Ai pritet të pasohet në post në mars nga Ministri aktual i Jashtëm i Gjermanisë, socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier.