1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti i duhur! Reagimet gjermane për zgjedhjen e Obamës

Politikanët gjermanë përshëndetën rizgjedhjen e Barak Obamës si president të SHBA. Ata shpresojnë për forcimin e marrëdhënieve transatlantike.

Para se Mitt Romney të pranonte humbjen e tij elektorale, ministri i Jashtëm Guido Westerwelle u shpreh në kanalin televiziv gjerman ARD si i pari anëtar i qeverisë gjermane. Ai u lidh direkt nga Nju Jorku, ku po zhvillon bisedime në Kombet e Bashkuara. "Ne kemi punuar shumë mirë në politikën e jashtme", tha Westerwelle, duke bërë bilancin e mandatit të parë të fituesit të zgjedhjeve Barack Obama. "Dhe kemi shumë gjëra për të bërë së bashku." Pas zgjedhjeve në Rusi dhe përfundimit të "gjendjes pezull në SHBA" të dyja palët tani duhet të shfrytëzojnë shansin e momentit për impulse të reja për çarmatimin, kërkoi Westerwelle.

Westerwelle nuk pret që të vazhdojë ngërçi i brendshëm politik në SHBA. Shumë mbështetës të Tea Party nuk janë rizgjedhur, tha ministri i Jashtëm. Prandaj do të ketë më shumë mundësi për bashkëpunim me njëri-tjetrin. "Amerikanët janë optimistë dhe tani do të shohin përpara." Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku për dhënien fund të politikës së borxheve, tha ministri i Jashtëm duke patur parasysh sfidat e politikës financiare në të dy anët e Atlantikut. Ajo që po zbatohet në Evropë për momentin, konsolidimi i rreptë i buxhetit i shoqëruar me impulset për rritjen ekonomike, në Shtetet e Bashkuara mbetet për t'u bërë akoma. Një mënyrë për të krijuar rritje ekonomike është rritja e tregtisë së lirë midis dy kontinenteve. Bisedimet për një zonë të tregtisë së lirë duhet të rifillojnë shpejt, kërkoi Westerwelle.

Mnistri i Jashtëm, Guido Westerwelle

Mnistri i Jashtëm, Guido Westerwelle

Ftesa e Merkelit

Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi në letrën e saj të urimit drejtuar presidentit të rizgjedhur të SHBA marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. "Ne kemi bashkëpunuar në vitet e fundit ngushtë dhe miqësisht", shkruan Merkel. Ajo i vlerëson "jashtëzakonisht" takimet dhe bisedat e shumta dhe gëzohet, për mundësinë për t'i vazhduar ato. Përveç kësaj kancelarja i bëri ftesë Obamës për të vizituar Gjermaninë. Gjatë mandatit të tij të parë presidenti Obama nuk ka qenë asnjëherë në një vizitë zyrtare në kryeqytetin gjerman.

"Europa duhet të dalë jashtë nga qoshja e vet"

"Unë gëzohem shumë për Obamën, që ai do të qëndrojë", tha Frank-Walter Steinmeier, ish ministër i Jashtëm dhe kryetari aktual i grupit parlamentar të PSD. "Ai është presidenti i duhur për Shtetet e Bashkuara dhe ka potencialin për të bashkuar interesat e ndryshme, shtresat dhe etnitë." Një president si Mitt Romney do ta kishte ndarë edhe më tej vendin gjithsesi të përçarë", tha Steinmeier.

Shpresat, që lidhen me Obamën, nuk janë më si "mbitokësore", siç ishin katër vjet më parë. Disa gjëra janë bërë tashmë, tha Steinmeier. Reforma në shëndetësi është në fund të fundit një revolucion i vogël në Shtetet e Bashkuara. Evropa tani duhet të dalë nga "qoshja e vet" dhe të bëjë më shumë për marrëdhëniet transatlantike. SHBA-të nuk shohin më kërcënim në Evropën Lindore dhe angazhohen më shumë ekonomikisht në rajonin e Paqësorit. "Ne jemi të interesuar që Evropa të mbetet e rëndësishme dhe prandaj duhet të investojmë më shumë në marrëdhëniet transatlantike."

"Një lajm i mirë"

Edhe kreu i Partisë së Gjelbër në Gjermani, Cem Özdemir, është i kënaqur me rizgjedhjen e Obamës. Suksesi i tij ështe "një lajm i mirë për ne evropianët". "Në Shtetet e Bashkuara ne kemi një partner, që flet të njëjtën gjuhë si ne", tha Özdemir.

Ish-ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier

Ish-ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier

"Populli amerikan ka marrë një vendim të mençur", tha kreu i grupit parlamentar të të Majtëve në Bundestag, Gregor Gysi. Megjithatë Obama duhet të "mbajë tani të gjitha premtimet, që ka bërë katër vjet më parë." Gysi tha se shpreson që Obama "do të zgjedhë rrugën e paqes" edhe ndaj Iranit dhe Sirisë. Këtu bën pjesë edhe "politika e çarmatimit, sidomos e armëve të shkatërrimit në masë". Një detyrë e rëndësishme për mandatin e dytë të Obamës mbetet zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Mesme", tha Gysi.

Koordinatori i marrëdhënieve transatlantike të qeverisë gjermane, politikani i partisë liberale, Harald Leibrecht, shpreson se presidenti amerikan do të tregojë më shumë guxim në çështjet e mbrojtjes së klimës dhe çarmatimit. "Në mandatin e tij të dytë Obama është në gjendje të tregohet më i vendosur dhe kështu edhe do të bëjë", tha Leibrecht në një intervistë me DW-TV. Në politikën ekonomike Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të dalin të bashkuar në tregjet aziatike. "Ne duhet të vendosim standardet, përndryshe standartet do të na diktohen ne."

Në një letër urimi të publikuar të mërkurën presidenti gjerman Joachim Gauck i siguroi presidentit të rizgjedhur të SHBA partneritetin e Gjermanisë. Të dy vendet janë të lidhura ngushtë "në bazë të vlerave të përbashkëta të lirisë, të të drejtave të njeriut dhe demokracisë". Dhe së bashku ata duhet të përballen me sfidat dhe kërcënimet globale për lirinë, paqen, prosperitetin dhe mjedisin".