1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti i ardhshëm, Joachim Gauck kandidati i dëshiruar nga populli

Ai ishte si "fituesi i zemrave" në garën e humbur presidenciale 2010. Tani ai rikandidon duke pasur me vete mbështjetjen e gjerë të gjermanëve.

Joachim Gauck, kandidati për president të Gjermanisë

Joachim Gauck, kandidati për president të Gjermanisë

Si i majtë, liberal-konservator, ndoshta edhe si konservator-liberal i majtë - kështu e konsideron orientimin e vet politik Joachim Gauck. Me këtë ai citon filozofin polak  Leszek Kolakowski. Gauck është i paparti, por i angazhuar në politikë. Qysh në vitin 1999 qarqet nga partia kristiandemokrate preferonin ta nxirnin atë në garën presidenciale kundër kandidatit socialdmeokrat Johannes Rau. Asokohe Gauck nuk pranoi. Edhe në vitin 2004, në raundin e parë të emërimit të Horst Köhler si kandidat për president, kishte të tjerë që e vlerësonin Gauck si kandidatin ideal.

Nën vëzhgimin e Stasi-t

Nisur nga përvoja personale me dy diktatura, Gauck  e cilëson "lirinë" si një çështje jetësore. Për vite me radhë emri i tij ka qenë i lidhur ngushtë kryesisht me zbardhjen e së kaluarës në RDGJ.

Joachim Gauck lindi në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, më 24 janar 1940, në Rostok. Ajo çfarë ka lënë gjurmë tek ai, siç e përshkruan ai vet në kujtimet e tij, është arrestimi dhe deportimi për katër vjet në Siberi i të atit në vitin 1950 i akuzuar për gjoja spiunazh.

Me një sfond të tillë familjar dhe duke mos qenë anëtar i organizatës së rinisë socialiste në RDGJ ,Gauck nuk fitoi të drejtën e studimit për gjermanistikë. Në vend të kësaj ai nisi studimet në vitin 1958 në teologji.  Që nga viti 1965 ai punoi si prift i Kishës Evangjeliste - Luteriane të Meklenburgut fillimisht në Lysov dhe më pas në Rostok.

Ai jetonte nën vëzhgimin e vazhdueshëm të Ministrisë për Sigurimin e Shtetit, emërtuar shkurt si MfS ose Stasi. Megjithatë Gauck në këtë periudhë nuk e konsideron veten si disident, por më shumë si pjesë të një opozite larg regjimit, që deri në një farë mase ishte e mbrojtur nga Kisha Evangjeliste.

Kisha luajti një rol të rëndësishëm në vitin 1989 të kthesës në RDGJ. Gauck u bë zëdhënës i lëvizjes qytetare Forumi i Ri (Neues Forum) në Rostok. Ai drejtoi meshat e përjavshme dhe demonstratat e mëdha që pasuan. Nga marsi 1990 ai ishte deputet i Forumit të Ri në Kuvendin Popullor të RDGJ-së.

Mbrojtës i trashëgimisë së Stasi-t

Joachim Gauck në kohën kur ishte i ngarkuar për dosjet Stasi, 1992

Joachim Gauck në kohën kur ishte i ngarkuar për dosjet Stasi, 1992

Në Kuvendin Popullor ai mori përsipër një detyrë, me të cilën do të merrej për vite të tëra: Ruajtjen e trashëgimisë së MfS-së. Anëtarët e aparatit të spiunazhit dhe shtypjes u përpoqën të asgjësonin sa më shumë dokumenta në kohën që po konturohej fundi i sundimit të partisë së bashkuar socialiste, ESD.  Por aksioni i asgjësimit mori fund me vërshimin e popullit në godinën e Stasi-t.

Më 2 tetor 1990 Joachim Gauck u zgjodh nga Kuvendi Popullor "i ngarkuari i posaçëm për dosjet personale të ish-shërbimit të sigurimit të shtetit në RDGJ" dhe një ditë më pas ai u konfirmua në këtë post nga presidenti Richard von Weizsäcker dhe kancelari Helmut Kohl.  Nga "i ngarkuari i posaçëm" më vonë posti u emërtua si "i ngarkuari federal" për dosjet. Institucioni i drejtuar prej tij  në gjuhën e folur njihet sot si "zyra Gauck".

Pas dy mandateve të lejueshme në këtë detyrë Joachim Gauck në vitin 2000 ia dorëzoi postin pasardhëses Marianne Birthler. Që nga ajo kohë ai nuk mban më asnjë post politik - megjithëse ka pasur mjaft oferta. Por herë pas here ai e merr fjalën në publik, jo patjetër për t'u bërë qefin nostalgjikëve të RDGJ-së, apo politikanëve të dyshuar për lidhjet me Stasi-n.

Simpati e gjerë dhe pakënaqësi e së majtës

Ndaj s'të habit fakti që tani të majtët kanë problemin më të madh për ta votuar si president liberal-konservatorin e majtë. Kryetarja e partisë "E Majta" Gesine Lötzsch qysh në kandidaturën e parë presidenciale të Gauck e konsideronte atë si një "një njeri të së shkuarës", i cili nuk jep impulse për të ardhmen. Drejtorja ekzekutive e grupit parlamentar të partisë "E Majta", Dagmar Enkelmann, i tha gazetës «Neues Deutschland», se rikandidimi i Gauck as tani nuk do ta ketë mbështetjen e partisë së saj. Ndërsa nga kampet e tjera politike 72 vjeçari mund të llogarisë me mbështetje të gjerë.

Joachim Gauck si kandidat në zgjedhjet presidenciale 2010

Joachim Gauck si kandidat në zgjedhjet presidenciale 2010

Qysh në verën e vitit 2010 ai u emërua nga partia socialdemokrate dhe ajo ekologjiste si kandidat për postin e presidentit. Dështimi i tij ndaj rivalit Christian Wulff me fare pak diferencë votash në zgjedhjet e parakohshme presidenciale pas dorëheqjes së papritur të presidentit Horst Köhler, nuk e ka ndryshuar aspak vlerësimin e lartë të socialdemokratëve dhe të ekologjistëve ndaj tij.  Kësisoj Gauck konsiderohet si kandidat me konsensus, i cili në votimin e ardhshëm në Asamblenë Federale do të mbështetet prej një shumice të gjerë. Edhe partia liberal-demokrate, që bashkëqeveris në koalicion me kristiandemokratët, pas dorëheqjes së Wulff e mbështeti kandidaturën e Gauck. Gjithashtu ish-mbrojtësi i të drejtave të njeriut në RDGJ gëzon simpati të madhe edhe në radhët e kristiandemokratëve. Ai është kandidati, më i pranuar nga shumica e gjermanëve: Sipas një anketimi prestigjoz të institutit Emnid, 54 përqind e qytetarëve gjermanë dëshirojnë që Gauck të jetë presidenti i ri i vendit.

Autor: Michael Gessat / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi