1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti gjerman Wulff nën trysni në skandalin rreth një kredie imobiliare

17 Dhjetor 2011

Presidenti federal gjerman Christian Wulff ndodhet nën një trysni në rritje: revista informative "Der Spiegel" pretendon se ka vërtetur që Wulff nuk ka thënë të vërtetën në lidhje me një kredi imobiliare.

https://p.dw.com/p/13Ugm
Nën trysni - Presidenti gjerman Christian Wulff
Nën trysni - Presidenti gjerman Christian Wulff

Vetëm një ditë pas shprehjes publikisht të keqardhjes nga presidenti gjerman Christian Wulff, lidhur me informacione jo të plota për një kredi imobiliare marrë prej tij me kushte të favorshme, një artikull i ri i revistës informative gjermane "Der Spiegel" ngre pyetje të reja. Revista informoi në numrin e së premtes (16.12.2011) se kredinë prej gjysmë milioni euro për presidentin Wulff e ka ndërmjetësuar sipërmarrësi Egon Geerkens.

Në vitin 2008 Geerkens ka negociuar vetë me Wulff-in, i cili në atë kohë ishte kryeministër në landin e Saksonisë së Poshtme. Pagesa e kredisë për shtëpinë e Wulff-it është bërë përmes llogarisë së gruas së sipërmarrësit, Edith Geerkens, për të cilën sipërmarrësi kishte megjithatë një prokurë.

Financim i paqartë? -Shtëpia e banimit e familjes Wulff në Großburgwedel pranë Hamburgut.
Financim i paqartë? -Shtëpia e banimit e familjes Wulff në Großburgwedel pranë Hamburgut.Fotografi: picture-alliance/dpa

Kush e ka ndërmjetësuar kredinë?

Deri tani presidenti Wulff ka mohuar të ketë pasur lidhje direkte biznesi me sipërmarrësin, edhe në një seancë pyetjesh në parlamentin e landit të Saksonisë së Poshtme në vitin 2010. Në kohën që mbante postin e kryeministrit Wulff nuk e ka përmendur kredinë për shtëpinë, pasi atë e ishte marrë nga bashkëshortja e Geerkens, argumenton tani presidenti. Më tej ai thotë se e kupton që kështu mund të jetë krijuar një përshtypje e gabuar.

Presidenti federal gjerman të enjten (15.12.) shprehu keqardhje që ka heshtur lidhur me modalitetet e kredisë private dhe pranoi gabimet në informacionet që pati dhënë në vitin 2010. Por Wulff hodhi poshtë kritikën për qendrim të gabuar. Ai tha se e ka informuar me saktësi parlamentin e landit, që mes Egon Geerkens dhe atij vetë nuk ka pasur asnjë marrëdhënie biznesi. Edhe akuzat e reja u përgënjeshtruan nga avokatët e Wulff-it dhe Gerkens.

Sipëmarrësi Egon Geerkens
Sa e ngarkojnë pohimet e tij presidentin Wulff? - Sipëmarrësi Egon GeerkensFotografi: picture alliance/dpa

Por revista "Spiegel" shkruan ndërkaq se Egon Geerkens ka pranuar që ka folur direkt me Wulff-in për hollësitë e pagimit të kredisë. Të dy janë përpjekur që emrat e tyre të mos përmenden në të njëjtin kontekst në publik. "Ne jemi të dy shumë të njohur në Osnabrück. Dhe unë nuk doja që ndonjë praktikant në bankë të shihte që nga llogaritë e mia po shkonin aq shumë para për Wulff-in", citon revista sipërmarrësin Geerkens. Avokatët e Wulff-it theksuan megjithatë edhe një herë se kredia vjen nga pasuria e Edith Geerkens. Banka e kursimeve në Osnabrück konfirmoi gjithashtu se derdhja e parave të kredisë është bërë nga llogaria e znj. Geerkens. Dokumentat përkatës mund të shihen nga të interesuarit prej ditës së hënë në zyrën e avokatëve të Wulff-it në Berlin.

Kritikë e ashpër

Nëse akuzat e reja do të vërtetohen, kjo do të ishte "shkatërrimtare" për besueshmërinë e një presidenti federal, deklaroi eksperti i ekologjistëve për çështje juridike, Jerzy Montag.

Ekologjistët dhe socialdemokratët në Saksoninë e Poshtme kërkojnë edhe më tej mbajtjen e një takimi të posaçëm të Këshillit të të Vjetërve në parlamentin e landit, për të marrë përgjigje mbi çështje të pasqaruara. Kështu për shembull duhet të sqarohet se në cilat llogari kanë kaluar vërtet paratë, deklaroi Stefan Wenzel, kryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve në parlamentin e landit. Veç kësaj socialdemokratët duan të dinë nëse Wulff i ka kaluar më shpesh nga sa dihet pushimet në vilat e sipërmarrësit Carsten Maschmeyer në Mallorca dhe të Egon Geerkens në Florida.

Autor: Nicole Scherschun / E. Xhani (dpa, rtr, afp)

Redaktoi: Aida Cama