1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti gjerman Joachim Gauck në Greqi

Presidenti gjerman, Joachim Gauck viziton të mërkurën Greqinë. Pas takimeve të nivelit të lartë, Gauck do të mbajë në Athinë një fjalim për Europën. Pritet që ai të përballet edhe me kërkesat për reparacionet e luftës.

Presidenti gjerman, Joachim Gauck udhëton të mërkurën për një vizitë shtetërore treditore në Greqi. Në bisedimet e nivelit të lartë me presidentin grek Karolios Papulias, si edhe politikanë, biznesmenë dhe intelektualë, pritet që Joachim Gauck ta inkurajojë Greqinë për të vazhduar kursin e vështirë të reformave për uljen e malit me borxhe. Por Gauck do të duhet të përballet edhe me kritikat që Gjermanisë dhe Bashkimit Europian i vijnë nga Athina. Shumë grekë bëjnë përgjegjëse për papunësinë dhe recesionin ekonomik të vendit kushtet e vështira nën të cilat u livuran paketat financiare të ndihmës.

Presidenti i fundit që e vizitoi zyrtarisht Greqinë ka qenë Johannes Rau në vitin 2000. Gjatë vizitës së fundit të kancelares Angela Merkel në tetor 2012 në Greqi pati protesta masive. Pritet që gjatë vizitës së Gauck-ut, të mos ketë protesta të tilla masive. Siç bën të ditur zyra presideciale, Gauck do të theksojë lidhjen e ngushtë mes Greqisë dhe Gjermanisë si edhe do të vlerësojë progresin e shënuar nga vendi jugor në kursin e reformave të deritanishme.

Gauck do të përkujtojë vrasjen e hebrejve në Janinë

Në qendër të axhendës qëndron një fjalim politik mbi Europën në Athinë në muzeun e Akropolit. Më parë Gauck do të takohet edhe me kreun e opozitës greke në parlamentin e Athinës, Alexis Tsipras. Është pikërisht ky politikan i njohur i së majtës greke, Tsipras, i cili e ka kritikuar ashpër kursin e Gjermanisë dhe Bashkimit Europian në krizën e borxheve. Ndërsa të premten Gauck do të udhëtojë me presidentin grek, Karolios Papulias drejt vendlindjes së këtij të fundit, në Janinë. Aty Gauck do të përkujtojë vrasjen e hebrejve grekë nga Wehrmacht-i dhe do të shkojë në fshatin Lingiades, ku nazistët kryen masakrën e 3 tetorit 1943, gjatë së cilës humbën jetën 80 vetë, ndër ta edhe shumë fëmijë.

Pritet që presidenti gjerman Joachim Gauck gjatë vizitës së tij në Greqi të përballet edhe kërkesat greke për reparacionet e luftës dhe dëmshpërblimet për krimet e ushtrisë naziste gjatë Luftës së II Botërore. Madje Greqia ka ngritur edhe një grup pune për të verifikuar nëpër arkiva kërkesat për reparacione. Qëndrimi gjerman në këtë pikë nuk ka ndryshuar. Për Gjermaninë tema e reparacioneve është e mbyllur prej kohësh.