1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti gjerman Horst Köhler jep papritur dorëheqjen

Presidenti gjerman Horst Köhler dha dorëheqjen nga posti për arsye të deklaratave të tij të diskutueshme mbi Afganistanin. Portreti i një presidenti të dashur, të sinqertë dhe jo komod.

default

Presidenti gjerman gjatë leximit të deklaratës së dorëheqjes

Presidenti i Gjermanisë, Horst Köhler, dha të hënën (31.05) dorëheqjen nga posti, vendimi i tij ka efekt të menjëhershëm. Gjatë leximit të deklaratës së shkurtër presidenti i kishte sytë me lotë dhe atij i iku pjesërisht zëri. Akuza se ai kishte përkrahur angazhime antikushtetuese të ushtrisë gjermane për të siguruar interesat ekonomike është tërësisht e papërligjur, tha Köhler të hënën në Berlin. Sipas presidentit, këtu mungon respekti i domosdoshëm kundrejt postit më të lartë shtetëror. Köhler u rizgjodh para një viti edhe për një mandat të ri pesëvjeçar. "Ishte nder për mua t'i shërbeja Gjermanisë si president" tha Köhler i prekur.

Në bazë të nenit 57 të ligjit themelor të Gjermanisë detyrën e presidentit e merr përsipër presidenti i Këshillit Federal, që aktualisht është politikani socialdemokrat, njëkohësisht dhe kryebashkiaku i Bremenit, Jens Böhrnsen.

Presidenti zgjidhet nga Asambleja Federale - kjo asamble përbëhet nga gjysma e deputetëve të Bundestagut (parlamentit) dhe nga përfaqësuesit e 16 landeve. Mbledhja e Asamblesë Federale thirret nga presidenti i Bundestagut, post ky që aktualisht mbahet nga kristiandemokrati Norbert Lammers. Që nga viti 1949 është hera e parë që një president i Gjermanisë jep dorëheqjen nga posti.

Bundespräsident Horst Köhler

Köhler në zyrën e tij në rezidencën Bellevue

Karriera e Horst Köhler-it - politikanit më të dashur në Gjermani

Presidenti Köhler u zgjodh më 23 maj 2004 me propozimin e partisë kristiandemokrate/kristiansociale (CDU/CSU) dhe asaj liberale FDP. Pesë vjet më pas më 23 maj 2009 ai rikandidoi dhe u rizgjodh në post. Rikandidimi për postin e presidentit është i mundshëm vetëm një herë, në bazë të ligjit themelor të Republikës Federale të Gjermanisë.

Bilanci i mandatit të një presidenti nuk matet me realizimin e reformave të sukseshme, me ligjet e rëndësishme apo me përballimin e krizave qeveritare. Në radhë të parë puna e presidentit vlerësohet nga prestigji që ka fituar ai në popull. Në këtë drejtim Horst Köhler ka arritur shumë. Dy të tretat e gjermanëve donin që ai të mbetej në post. Burri i parë i shtetit është njëkohësisht edhe politikani më i dashur në vend.

"Ndoshta, sepse ai nuk bën bujë për të tërhequr vëmendjen si i rëndësishëm, sepse ai nuk do të paraqesë diçka tjetër, përveç asaj që është, ai është i sinqertë", kështu shkruante gazeta "Süddeutsche Zeitung" për Köhler-in.

Bundeskanzlerin Angela Merkel gratuliert dem alten und neuen Bundespräsidenten Horst Köhler

Kancelarja Merkel uron më 23. Maj 2009, presidentin Köhler pas rizgjedhjes së tij për një mandat të dytë

Kancelarja Merkel reagoi e kënaqur kur Köhler deklaroi, se do të kandidojë për herë të dytë: Merkel: "Ai, besoj unë, u ka hyrë në zemër njerëzve në Gjermani këto vitet e fundit. Kësaj ia ka arritur me mënyrën e çiltër si u drejtohet njerëzve dhe me mënyrën se si ai i nxjerr në pah edhe të vërtetat e pakëndshme."

Një president i punës dhe i sinqertë

Presidenti Köhler ka fituar pikë simpatie në popull me kritikën herë më shumë e herë më pak të drejtpërdrejtë ndaj mendjemadhësisë së politikës së Berlinit. Berlini politik është hakmarrë ndaj tij duke e shpotitur kreun e shtetit, megjithëse jo drejtpërdrejt si "një drejtor banke kursimesh".

Flash-Galerie Horst Köhler tritt zurück Amtseid

Presidenti gjerman gjatë betimit si president 1 korrik 2004, formulën e betimit e mban presidenti i Bundestagut, Wolfgang Thierse

Faktikisht Köhler-i ka drejtuar për vite të tëra Lidhjen e Arkave gjermane të Kursimit. Ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij, Köhler është doktoruar në ekonomi dhe përpara zgjedhjes nuk ka qenë i angazhuar si politikan, por si nëpunës i nivelit të lartë, së fundi si President i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

66 vjeçari Köhler nuk ka shkëlqyer përmes vizioneve të mëdha apo fjalimeve elektrizuese. Ai nuk është orator i mirë, një mangësi e madhe kjo për një president, prej të cilit i gjithë orientimi pritet nga fjala. Köhler-i e kompensoi këtë me punë, me përpjekjet e spikatura për të gjetur përgjigje ndaj problemeve, me kureshtje të sinqertë atje ku politikanët me stazh të gjatë shtiren sikur tregojnë interes rutinë.

Brenda vendit ai është angazhuar veçanërisht për një arsimim më të mirë të të rinjve, duke përfshirë edhe të rinjtë emigrantë. Në planin ndërkombëtar ai ka tematizuar sfidat e globalizimit, thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve në botë. Angazhim të veçantë ka pasur Köhler-i për Afrikën, ku ka udhëtuar shpesh: "Për mua humanizmi në botë vlerësohet ne fatin e Afrikës. Ne e dimë sot: do të ishte një risk më i vogël të ndërtohej një linjë hekurudhore mespërmes Afrikës, se sa të investoje në një bankë prestigjoze investimesh në Nju Jork."

NO FLASH Horst Köhler erklärt Rücktritt

Köhler-i dhe bashkëshortja largohen pas deklaratës së dorëheqjes

President jo komod

Deklarimin e tij, se do të jetë një president jo komod, ai e ka vënë në jetë. Dy herë ai ka refuzuar të nënshkruajë ligje të koalicionit qeverisës me bazë të gjerë (të përbërë nga dy partitë e mëdha kristiandemokrate/kristiansociale dhe ajo socialdemokrate). Disa herë të tjera ai ka dyshuar në kushtetueshmërinë e ligjeve, por vendimin e fundit ia ka lënë Gjykatës Kushtetuese.

Veprimi më i rëndësishëm i Köhler-it gjatë mandatit presidencial ka qenë shpërndarja e Bundestagut (parlamenti gjerman) në korrik 2005 me kërkesën e parardhësit të kancelares Merkel, Gerhard Schröder. Fakti që kancelari Schröder më parë inskenoi me vetëdije dështimin e mocionit të votëbesimit në Bundestag, e dëmtoi dinjitetin e parlamentit. Megjithatë Köhler-i dha dritën e gjelbër për zgjedhje të reja. Por edhe shumica e gjermanëve kështu do të kishte vendosur.

Etiketa si "neoliberal", që i ka mbetur Köhler-it nga e kaluara e tij si shef i FMN-së, është zbehur kohët e fundit. Fjalimi i tij në Berlin lidhur me krizën financiare dhe ekonomike në mars të 2009-s ishte një pretencë për një shtet të fortë, i cili duhet t' i vendosë rregulla tregut, sepse liria e pakufizuar bart shkatërrim. Köhler gjithnjë e më shumë është shprehur me dyshim nëse zhvillimi ekonomik është "zgjidhja e problemit dhe nxitësi i paqes" dhe madje ai shfaqi simpati për një New Green Deal.

Autor: Bernd Gräßler/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM

  • Data 31.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ne0W
  • Data 31.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ne0W