1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti Gauck viziton refugjatët

Presidenti i Gjermanisë Gauck vizitoi një shtëpi refugjatësh e u tregua i impresionuar nga gatishmëria e madhe për ndihmë. Në fund ai shqiptoi fjalë të qarta, por edhe mirëkuptim për shqetësimet dhe problemet e vendasve.

"Pas pak nis spektakli", thotë një ndihmës i Federatës së Punëtorëve Samaritanë (ASB) para ish-bashkisë së Wilmersdorfit në Berlin. Sepse pas pak vjen ai. Fjala është për Presidentin e Gjermanisë, Joachim Gauck. Prandaj donatorët, që kanë mbledhur rroba dhe lodra për 500 refugjatët dhe duan t'ua japin atyre, sot d(26.08) uhet të tregojnë durim. Por ata mund të gëzohen për lëvdatën e kryetarit të tyre të shtetit.

"Ekziston një Gjermani e çelët, që prezantohet këtu sot me shkëlqim përballë Gjermanisë së errët", thotë Gauck-u në fund të ecjes së tij prej rreth një ore nëpër territorin e gjerë. Të gjithë e kuptojnë menjëherë për se e ka fjalën. Pamje si ato të Heidanaut zbehen përballë gatishmërisë së madhe për ndihmë kudo nëpër Gjermani. Presidenti i falenderon të gjithë: mjekët dhe përkthyesit në strehimin e Berlinit, donatorët jashtë tek dera, të cilët për shkak të tij nuk lejohet të hyjnë. Siguria ka përparësi, kjo vlen edhe për refugjatët. Një ndihmës vullnetar thotë se ka frikë se mund të thyhen xhamat. Veçanërisht natën, kur bie errësira.

Një selfie me kryetarin e shtetit

Hassani nga Siria duket se nuk ka frikë - ose të paktën nuk e tregon atë. Ai i është mirënjohës Gjermanisë dhe shpreh në një anglishte të rrjedhshme madje mirëkuptim për rezervat që kanë disa gjermanë. 42 vjeçari është i gëzuar që i ka shpëtuar luftës civile. Pas ka lënë një udhëtim odise përmes Kairos dhe Italisë. Që prej dy javësh ai jeton në Shtëpinë e Refugjatëve në Wilhelmsdorf. Gruaja e tij dhe katër fëmijët janë ende në Egjipt, thotë Hassani, i cili në atdheun e tij të shkatërruar punonte në televizionin e fëmijëve.

Krahas tij është bashkëkombasi i tij Abdou. Siriani i ri të tregon me krenari fotografinë në smart-fonin e tij: ai dhe Presidenti gjerman! Ai e ka bërë vetë fotografinë, një e ashtuquajtur selfie. Abdou dhe Gauck kanë dalë duke qeshur. Pak më vonë, Presidenti federal thotë një fjali që duket si e krijuar enkas për fotografinë: "Kjo është një përgjigje më shumë se e qartë ndaj nxitësve dhe zjarrvënësve, që shëmtojnë fytyrën e vendit."

Gaucku u kërkon të gjithëve durim - edhe refugjatëve

Gauck-u përmend numrin e madh të vullnetarëve që kanë ndërprerë pushimet ose ndihmojnë në pushimet semestrore, si Parshia. Studentja berlineze, bijë prindërish iranianë, përkthen në gjuhën e saj të dytë amëtare, Farsi. Përfitues janë refugjatët e shumtë nga Afganistani. Disa gjëra ende janë kaotike në shtëpinë e refugjatëve të hapur dy javë më parë. Një ditë më parë për shembull nuk qe caktuar askush për të shpërndarë ushqimin, tregon Parshia. Por vështirësi të tilla fillestare janë të pashmangshme përballë qindra dhe mijëra refugjatëve që mbërrijnë çdo ditë në të gjithë Gjermaninë.

Duhet kërkuar durim, thotë Presidenti gjerman. Zyrat ndërkohë janë të mbingarkuara, nuk duhet të krijohet "qëndrim pretendues" as nga ana e refugjatëve. "Për mua ka rëndësi që Gjermania të mbushet me guxim nga prania e qindra mijëra njerëzve të gatshëm për ndihmë", thotë ai.

Por Gauck kujton edhe që frikërat e vendasve të merren seriozisht. I nevojshëm është një bashkëpunim i ngushtë i federatës, landeve dhe komunave. Në situata të jashtëzakonshme duhet vepruar edhe "në mënyrë të përshpejtuar", e këshillon Gauck-u politikën.

Qeveria federale tashmë e ka zbatuar këtë këshillë. Në kohën që flet Gauck-u, kabineti federal vendosi që 500 milionë eurot e caktuara për vitin e ardhshëm si ndihmë për komunat, të jepen që këtë vit. Me këtë vetëm nga buxheti federal janë vënë në dispozicion më shumë se një miliardë euro për furnizimin fillestar të refugjatëve.