1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Presidenti Gauck kërkon ndryshimin e mentalitetit në politikën e jashtme gjermane

Konferenca e Sigurisë në Mynih nisi me fjalë të qarta të presidentit të Gjermanisë, Joachim Gauck. Ai bëri thirrje për një rol më të fuqishëm të Gjermanisë në botë. Faji historik nuk është arsye për t'u tërhequr.

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, bëri thirrje për një rol më aktiv të Gjermanisë në politikën ndërkombëtare. "Republika Federale si partnere e mirë duhet që të angazhohet më shpejt, më me vendosmëri dhe në mënyrë më thelbësore", tha Gauck të premten(31.01.2014) në hapje të Konferencës së 50-të të Sigurisë në Mynih. Ai bëri thirrje për ndryshimin rrënjësor të mentalitetit: Për vite me radhë politika në Gjermani e ka argumentuar qëndrimin e tërhequr të saj, kryesisht në aspektin ushtarak, duke iu referuar së shkuarës nacionalsocialiste. Tani duhet të pranohet, se për të mbrojtur vlerat që përfaqëson Gjermania është i nevojshëm një rol më aktiv. Nuk duhen mbyllur sytë dhe nuk duhet "t'u shmangemi kërcënimeve", tha Gauck.

Në apelin e tij për një rol më të fuqishëm të Gjermanisë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, Gauck, nuk e përjashtoi, siç u shpreh, as angazhimin ushtarak: "Gjermania asnjëherë nuk do të mbështesë zgjidhje tërësisht ushtarake, ajo do të veprojë me politikë të arsyeshme dhe do t'i ezaurojë të gjitha mjetet e mundshme diplomatike", tha ai. "Por nëse në fund do të diskutohet rasti ekstrem - angazhimi i Bundeswehr-it -, atëherë vlen, që Gjermania nuk duhet të thotë "jo" duke u nisur nga parimi dhe as "po" duke reaguar sipas refleksit." Republika Federale e Gjermanisë duhet të jetë e gatshme, të bëjë më shumë për atë siguri, që asaj iu garantua për dekada me radhë nga të tjerët.

Jo më me hapa të vegjël

Gaucku kërkesën e tij për një riorientim të politikës së jashtme gjermane e argumentoi ndër të tjera edhe me përpjekjet e SHBA, për ta kufizuar angazhimin global. Njëkohësisht Evropa është e preokupuar me vetveten sepse ndodhet në kulmin e krizës së Euros, tha ai. "Në valën e këtyre zhvillimeve, në Gjermani nuk mund të vazhdohet të veprohet si deri më sot - kjo mua nuk më bind." Ai theksoi edhe se Republika Federale është e globalizuar mbi mesataren dhe për këtë arsye përfiton edhe mbi mesataren nga një rend i hapur botëror.

Presidenti nga ana tjetër i hodhi poshtë akuzat e disa partnerëve, të cilët thonë se Gjermania u "shmanget" përgjegjësive. 24 vjet pas bashkimit Gjermania nuk mund të ecë më përpara vetëm duke hedhur hapa të vegjël. "Republisa Federale duhet të jetë edhe e gatshme që të bëjë më shumë për atë sigurinë, që asaj me dekada ia garantuan të tjerët", tha ai.

Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU)në një intervistë para një jave nxiti hapjen e një debati për një angazhim më të madh të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier (SPD)në këtë kontekst deklaroi në Bundestag, se "kultura e të qenit i rezervuar ushtarakisht" nuk duhet të ngatërrohet me një "kulturë të qëndrimit jashtë". Edhe kancelarja Merkel theksoi të enjten (30.01.2014) pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, se Gjermania duhet të kontribuojë në zgjidhjet e konflikteve ndërkombëtare.

Në Konferencën e Sigurisë deri të dielën (01.02.2014)do të konsultohen mbi 400 të ftuar ndërkombëtarë, ndër ta edhe 20 kryetarë shtetesh e qeverish si dhe 50 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes. Në axhendën e bisedimeve janë konfliktet aktuale në Siri dhe në Ukrainë. Pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm i SHBA-së, John Kerry, i cili në Mynih do të bisedojë për herë të parë me politikanë drejtues të opozitës ukrainase, ndër ta edhe me Vitali Kliçkon.