1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti Bujar Nishani nisi zyrtarisht detyrën

Konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së sistemit të drejtësisë, prioritet kryesor në mandatin 5 vjeçar të kreut të ri të shtetit.

Presidenti Bujar Nishani nisi zyrtarisht detyrën

Presidenti Bujar Nishani nisi zyrtarisht detyrën

Mbrëmjen e së martës Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka nisur zyrtarisht detyrën. Në dy ceremoni publike të ndërrimit të pushtetit presidencial që u mbajtën në sallën e parlamentit dhe në ambjentet e Presidencës në Tiranë, prezentë ishin jo vetëm politikanë, përfaqësues të insitucioneve, të shoqërisë civile, klerit etj., por dhe diplomatë të akredituar në Shqipëri.

Në deklaratat e tij Presidenti Bujar Nishani përmendi angazhimin në plotësimin e kërkesave të qytetarëve për paqe, mirësi, mirëqenie ekonomike, për ligj dhe rend, për drejtësi sociale, për liri dhe zhvillim. Por në rolin dhe të kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë , ai artikuloi një ndër prioritetet kryesore realizmin e reformës në sistemin e drejtësisë.

“Për fat të keq, aktualisht ne konstatojmë një raport të theksuar mosbesimi midis qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Rivendosja e këtij besimi do të jetë matësi dhe vlerësuesi më i mirë i funksionimit ligjor të sistemit. Konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është baza e vetme mbi të cilën mund të ngrihet suksesshëm çdo nismë e ndërmarrë në kontekstin e reformave”.

Kreu i ri i shtetit, i cili është zgjedhur nga parlamenti vetëm nga votat e deputetëve të koalicionit qeveritar premtoi një qëndrim partneriteti si për mazhorancën ashtu dhe për opozitën.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, në respekt të vullnetit të qytetarëve të vendit dhe në bindje ndaj frymës së Kushtetutës, do t'i ketë të hapura dyert e tij gjatë pesë viteve të ardhshme si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe për vlerësimin e qëndrimeve të përbashkëta në interes të vendit dhe kombit”.

46 vjeçari Bujar Nishani i diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë në fund të viteve '80, gjatë ditëve të fundit bëri çanëtarësimin nga PD në të cilën në dy dekadat e fundit pati një angazhim dinamik politik. Zhveshja nga aktiviteti partiak është një detyrim kushtetues për kreun e shtetit në Shqipëri. Më parë ai ka qenë deputet i PD-së në dy mandate dhe veç detyrës si ministër i brendshëm, ka patur për rreth dy vite dhe portofolin e ministrit të Drejtësisë në kabinetin e kryeministrit Sali Berisha. Z. Bujar Nishani ka nisur një mandate 5 vjeçar dhe është presidenti i 6 në rradhë i Shqipërisë duke zëvendësuar në këtë post z. Bamir Topi edhe ky një ish eksponent kryesor po nga Partia Demokratike.