1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Presidenti Bamir Topi: 2012 vit i rëndësishëm reflektimi për shqiptarët

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi tregon për Deutsche Welle-n mbi zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri, raportet e tij të vështira me mazhorancën e djathtë, nivelin e marëdhënieve Shqipëri - Gjermani, etj.

Presidenti i Shqipërisë, Z. Bamir Topi në intervistë me Deutsche Welle-n.

Presidenti i Shqipërisë, Z. Bamir Topi në intervistë me Deutsche Welle-n.

DW: Zoti President i Republikës, në zhvillimet e këtij viti që po lëmë pas, çfarë ju ka mbetur si gjëja më pozitive që ka ndodhur dhe cilën e konsideroni si më negativen, ose që nuk do të dëshironit të ndodhte?

Presidenti Bamir Topi: Natyrisht në jetën e një vendi ka ngjarje që konsiderohen si pozitive, ka ngjarje të tjera që konsiderohen si negative dhe këtu nuk ka asgjë të ndarë me thikë. Në sensin kronologjik ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit. Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, përveç disa elementëve të tjerë që lidhen me plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian patjetër që janë të influencuara dhe nga ngjarjet e janarit. Ajo që mund të konsiderohet pozitive, po në sensin politik, ishte rikthimi tek dialogu, rikthimi i bashkëpunimit parlamentar. Dhe ajo që është akoma dhe më pozitive është fakti se pavarësisht situatave politike që kaluan unë besoj se institucionet shqiptare janë të tilla që garantojnë jo vetëm një respektim të dokuementit themeltar të shtetit, por garantojnë dhe funksionalitetin e tyre, që do të thotë se shteti sa vjen dhe konsolidohet. Nga ana tjetër do të thoja që jeta është e mbushur me episode nga më të ndryshmet dhe po t'i jepje një dimension disi më të gjerë – jo thjesht për ta foksusuar tek zhvillimet politike – do të thoja se në jetën e shqiptarëve ka patjetër elementë, të cilët unë do ti konsideroja si elementë bazalë për një optimizëm për vitin 2012.

DW: Një nga fenomenet negative, prej të cilave Shqipëria nuk po i shpëton dot renditjes në shkallët më të ulta në rang rajonal e global, është prania e korrupsionit. Këtë e konstatonte dhe Transparency International në raportin e fundit për indeksin e perceptimit të korrupsionit gjatë 2011-s. Pse sipas jush, z. President në vitet e fundit ose jemi në vendnumëro ose me hapa prapa në luftën kundër korrupsionit?

Presidenti Bamir Topi: Mendoj se çështja e luftës kundër korrupsionit duhet të përballohet nga të gjitha institucionet. Kur them nga të gjitha institucionet së pari janë ato të politikës. Sepse kjo është një sëmundje që ka nevojë të trajtohet para se të shërohet, ka nevojë për reforma të thella. Këto reforma bëhen vetëm mbi bazën e një vullneti reciprok politik për të garantuar jo vetëm ligje por dhe institucione të forta. Në themel të luftës kundër korrupsionit padyshim që është ligji, por janë dhe institucionet. Padyshim që këtu kam në konsideratë institucionet e drejtësisë, të cilat patjetër që e kanë detyrë për të trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë para ligjit. Për ta bërë këtë element në kushtet e barazisë së plotë, duhet që në rastin e politikanëve që përballen me ligjin ata ta heqin koracën. Vashdimisht është diskutuar mbi çështjen e imunitetit, por unë po gjej rastin e kësaj interviste që të them se është e domosdoshme që të gjithë politikanët, të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë duhet ta lëshojnë imunitetin e tyre. Kjo është një kërkesë në radhë të parë e shoqërisë shqiptare që njerëzit të ndjehen të barabartë para ligjit, por është kërkesë dhe e partnerëve ndërkombëtarë. Për të bërë një luftë pa paragjykime kundër korrupsionit, njerëzit duhet të jenë pa imunitet. Pastaj i takon politikës që të bëjë ligjet, i takon dhe institucioneve që të zbatojnë ligjet. Çështja e zbatimit të ligjit është një çështje parësore, që nuk ka nevojë për komente të tjera.

DW: Në një kohë që ju kanë mbetur dhe rreth 6 muaj nga përfundimi i mandatit në postin e Presidentit të Republikës hapur po dallohet një marrëdhënie e vështirë e juaja me mazhorancën. Madje në atmosferën e krishtlindjeve shefi i mazhorancës, kryeministri Sali Berisha ju adresoi kritika të ashpra për rolin tuaj kur tha se “Zoti Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh të papajtueshme, kryekëput me programin e PD-së. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht e ktheu institucionin e presidencës në selinë e një partiçke të vogël çka nuk ka ndodhur në historinë e një vendi.” Si i vlerësoni ju këto kritika që vijnë jo nga zëdhënës apo eksponentë të veçantë por nga vetë kreu i qeverisë?

Presidenti Bamir Topi: Së pari do të thoja që është një lajm i mirë kur presidenti cilesohët si i shkëputur nga interesat partiake. Ju e dini që në momentin kur unë u zgjodha që të vija këtu në Presidencë, kisha dhe një detyrim kushtetues për të hequr dorë nga çdo impenjim partiak. Fakti që Presidenti akuzohet në këtë linjë është tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit, në përmbushje të detyrimeve madhore të tij si President i Republikës. Sa i takon aktivitetit të Presidentit ka një tregues. Ju e dini që të gjitha institucionet e kanë të detyrueshme të jenë konform kushtetutës, ta respektojnë atë dhe të jenë përgjegjës para zbatimit të neneve të kushtetutës. Garanti për kushtetutën sipas kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese. Fakti që deri më sot kur kanë kaluar 4 vite e gjysmë nga mandati i Presidentit dhe ai nuk është kundërshtuar qoftë dhe në një rast të vetëm nga kjo Gjykatë, ndërkohë që institucionet e tjera janë kontestuar nga kjo Gjykatë – tregojnë që këto akuza që i hidhen Presidentit janë të pabaza. Unë ndjehem mirë në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, e kam bërë këtë me koshiencë të plotë dhe nuk më shqetësojnë akuzat e partive politike, cilado qoftë ajo. Mua më jep kënaqësi mendimi i qytetarit. Dhe meqë jemi vazhdimisht në kontakt me qytetarët unë marr konsiderata të tjera nga qytetarët.

DW.COM