1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Premtimet parazgjedhore për uljen e varfërisë në Shqipëri

Sa të varfër ka sot Shqipëria? Kjo nuk dihet pasi mungojnë shifrat zyrtare që prej vitit 2008. Varfëria në Shqipëri është bërë një prej temave më të eksploatuara edhe në fushatën elektorale

Mungesa e të dhënave është artikuluar edhe në Raport Progresin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2012, në raportet e institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, të organizmave të shoqërisë civile dhe kohët e fundit edhe në ofertat politike të dy forcave kryesore PD-PS, që në Shqipëri bëjnë rotacionin e pushtetit. Por edhe pse shifrat mungojnë, është e qartë që varfëria në Shqipëri është rritur.

Në një raport të Bankës Botërore lidhur me partneritetin e saj me Shqipërinë, të hartuar në Mars 2013, vihet në dukje se “ulja e rritjes ekonomike në katër vitet e fundit është shoqëruar edhe me uljen e ritmeve të reduktimit të varfërisë. Edhe pse mungojnë treguesit e përditësuar sistematikë të varfërisë, prekja e familjeve prej saj duhet të jetë rritur.”

Në studimin në fjalë, Banka Botërore i referohet gjithashtu vëzhgimit ”Jeta në tranzicion”, të kryer nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qëndrore, ku “60% e të anketuarve mendojnë se “kriza ekonomike, që po vazhdon, ka prekur në mënyrë të ndjeshme nivelin e jetesës dhe ka shtuar varfërinë. Shifrat e përditësuara të varfërisë për vitin 2013 ne vende fqinje me Shqipërinë, si Serbi, Maqedoni të shtyjnë drejt supozimit për rritje të varfërisë edhe në Shqipëri, kur mungojne të dhënat aktuale”.

Situata aktuale mjegullohet më tej në kushtet kur në Shqipëri mungon përcaktimi i një mase zyrtare për matjen e varfërisë. Sipas anketimit të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) të kryer në vitin 2008 si njësi matëse e varfërisë konsiderohet konsumi real mujor për frymë prej 4.891 lekë. Kjo shifër mbetet edhe sot e kësaj dite shifra gjysëm zyrtare. Gjithsesi ekspertë të pavarur dhe studime të organizatave të shoqërisë civile hedhin dritë mbi nivelin e varfërisë në vitin 2013.

Shoqëria civile - varfëria në Shqipëri është rritur

Luan Shahollari, ekspert në fushën e ekonomisë dhe atë sociale, anëtar i Bordit Akademik të Institutit Shqiptar të Sociologjisë thotë për DW se “në Shqipëri varfëria është më e përhapur në qarqet e zonës veriore dhe verilindore: Kukës, Shkodër, Dibër dhe Lezhë, ku numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike arrin në mbi 50 për qind të tyre. Fondi për ndihmën ekonomike në 4 vitet e fundit, 2008-2012, ka zënë vetëm 1 për qind të shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Rreth 100 mijë familje apo rreth 400 mijë vetë jetojnë me ndihmë ekonomike që zyrtarisht është 7.500 lekë në muaj por realisht rezulton 3.000 lekë.”

Shoqata e Konsumatorëve të Shqipërisë, një organizatë e shoqërisë civile me seli në Tiranë, sjell një realitet alarmant lidhur me nivelin e varfërisë. Nga një sondazh i saj, i publikuar kohët e fundit, rezulton që 53% e familjeve në Shqipëri jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute. Rreth 10% e tyre janë në nivelin e varfërisë ekstreme dhe 15-30% e qytetarëve shqiptarë marrin ushqime me listë. 80% e familjeve kanë borxhe 2- 3 mujore tek kompanitë private të shërbimeve si të energjisë elektrike, ujit, telefonisë, strehimit etj.

Sipas këtij sondazhi familjet e varfëra përfitojnë 35 cent në ditë nga ndihma ekonomike për çdo pjesëtar të familjes. Kjo ka sjellë që varfëria në kontekstin e fuqisë blerëse në Shqipëri të jetë 62%, më e larta në rajon. Përtej rajonit ka një hendek të thellë mes Shqipërisë dhe vendeve të BE lidhur me atë që njihet si “kufiri i varfërisë".

“Shqipëria nuk mund të krahasohet me vendet e BE si nga pikëpamja metodologjike e matjes së varfërisë, ashtu dhe për sa i përket masës së ndihmës ekonomike. Mes vetë vendeve të BE ekziston një diferencë e thellë lidhur me kufirin e varfërisë. Sa për ilustrim në vitin 2010, kufiri i varfërisë në Luksemburg ishte 53 euro mesatarisht për person në ditë, kurse në vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore, ajo në vitin 2010 varionte nga 12 euro deri në 3,3 euro në Rumani për person në ditë,” thotë Luan Shahollari.

Ofertat politike të partive për reduktimin e varfërisë

Fushata zgjedhore që po zhvillohet në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit po shpalos oferta politike nga palët në garë edhe për përmirësimin e situatës lidhur me nivelin e varfërisë. PD që kryeson koalicionin e djathtë qeverisës”Aleanca për punësim, Integrim dhe Mirëqenie” dhe PS koalicionin e majtë opozitar ”Aleanca për Shqipërinë Europiane”, po i premtojnë elektoratit vizione zhvillimesh poztive. Eglantina Gjermeni, deputete e PS, anëtare e komisionit parlamentar për Çështjet Sociale, që po kandidon në garën e tanishme elektorale ne rethin e Lushnjes, shpalos ofetën politike të PS për reduktimin e varfërisë.

Eglantina Gjermeni, PS në fushatë

Eglantina Gjermeni, PS në fushatë

“Politika e PS synon të zëvendësojë Programin e Ndihmës Ekonomike me Programin e Rintegrimit Social. Ndihma ekonomike nuk do të jetë lëmoshë, por mbështetje për riintegrim. Suksesi i politikave sociale do të matet jo si tani me rritjen e lëmoshës për të varfërit, por me numrin e familjeve që do të dalin përgjithmonë nga varfëria duke zëvendesuar kafshatën e ndihmës ekonomike me mundësi reale për punësim. Nën qeverisjen socialiste do të krijohen 300 mije vende pune” thote Gjermeni.

Edhje PD nga ana e saj, premton të reduktojë varfërinë përmes vendeve të reja të punës, rritjes së pagave, nxitjes së biznesit social me mikrokredi për shtresat në nevojë. “Beteja e PD dhe koalocionit të djathtë 'Aleanca për punësim, Integrim dhe Mirëqenie' për mirëqenien do të jetë më e fuqishmja që kemi zhvilluar ndonjëherë. Katër vitet e ardhsme do të jenë vitet e uljes më të madhe të papunësisë në Shqipëri. Ne jemi të sigurt se në katër vite, qeverisja e ardhshme e PD do mund të krijojë në Shqipëri rreth 250 mijë vende pune”, premton kreu i PD dhe kryeministri Sali Berisha.

Oferta të realizueshme apo premtime elektorale për të marë vota?

Për ekspertin në fushën e ekonomisë dhe të sociologjisë, Luan Shahollari, te dyja palët në garë kanë programe me shifra konkrete për hapjen e vendeve tëreja të punës.

“Premtimet e palëve për hapjen e vendeve të reja të punës, në kushtet e krizës financiare, vështirë se mund të realizohen. Por nëse marr parasysh përvojën e viteve të fundit më shumë rezerva lidhur me besueshmërine kam për ofertën e PD” shprehet për DW Shahollari.