1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Premtime pa fund: Intensifikim i fushatës zgjedhore në Maqedoni

Partitë garuese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni janë futur plotësisht në ethet e fushatës elektorale. Nga njëra anë premtime, nga ana tjetër goditja e kundërshtarit politik.

Maqedonia është dhe do të jetë shtet unik, ajo është thurrje e dallimeve, shoqëri multietnike e kjo është përparësia jonë, e jo dobësia jonë, ka theksuar lideri i LSDM-së Zoran Zaev në tubimin në Kërçovë. Ai e akuzoi liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski se po shpërndan nacionalizëm dhe po tenton që ta ndajë popullin. "Të drejtat e banorëve të Maqedonisë janë të barabarta në Kërçovë, në Tetovë, në Gostivar. Të drejtat duhet të jenë të barabarta për të gjithë. 

Lideri i LSDM-së ka theksuar se shumëgjuhësia është garantuar me Kushtetutë. Kjo i pengon sipas tij, vetëm ata, të cilët nuk kanë çfarë të ofrojnë përhapin nacionalizëm dhe kuazi-patriotizëm. "Duhet që bashkërisht, të bashkuar krah më krah edhe maqedonas edhe shqiptarë edhe vllehë edhe turq edhe romë të përcaktohemi për demokraci, drejtësi, barazi dhe liri." Zoran Zaev ka shpalosur edhe masat ekonomike të platformës së LSDM-së.

BDI- Arsimi shtyllë e kombit

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në kuadër të fushatës zgjedhore i ka kushtuar vend të veçantë arsimit, duke e quajtur si shtyllën më kryesore të kombit. Sipas Ahmetit, nëse ka institucione tërësisht të pavarura në vend, ato janë universitetet për të cilat, është luftuar dhe sakrifikuar. BDI, me këmbëngulje do të angazhohet për të rritur rrogat e të punësuarve në arsim prej 30 deri më 40%, ngjashëm si me të punësuarit në mjekësi, me qëllim që të parandalohet largimi i tyre nëpër vende të tjera për të kërkuar standard më të mirë jetësor, ka premtuar Ahmeti. "Duhet të rrisim cilësinë, të rrisim përgjegjësitë, sepse këta janë institucione autonome të pavarura."

Veç arsimit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka folur edhe për situatën aktuale politike në vend. Ai tha se pavarësisht nëse duam ta pranojmë apo jo, vendi po përballet me një përplasje të fortë ideologjike, kulturore dhe të civilizimit. "Janë dy rrugë të cilat promovohen në politikat globale, rruga euroatlantike dhe ajo euroaziatike. Si shqiptarë jemi të përcaktuar për rrugën euroatlantike, sepse historikisht, tradicionalisht ne i takojmë Evropës, ne i takojmë ideologjive evropiane”, thotë Ahmeti.

Gruevski – Opozita maqedonase me premtime boshe

Në Kavadar, në tubimin e VMRO-DPMNE-së lideri i saj, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se në këto zgjedhje do të merret një vendim i rëndësishëm. Vendim për vetveten dhe për familjen tuaj, tha Gruevski. "Por këto zgjedhje mbahen edhe për të marrë një vendim tjetër. Vendim për Maqedoninë. Për Maqedoninë që nuk përkulet ndaj shantazheve dhe nuk gjunjëzohet ndaj skenareve që ia përgatisin të tjerët.

Gruvski kritikoi kundërshtarët e tij politikë. "Zaevi dhe Radmilla ju lavdërohet politikanëve shqiptarë se po e bëjnë gati nga lart. Por, me popullin çfarë do të bëjnë, si mund ta përgatisin nga lart kur populli është këtu. Edhe popullin nga lart do e bëjnë gati? Populli nuk përgatitet me direktiva, mundet Zaevi ashtu të funksionojë, por populli jo. Atij nuk i intereson që populli nuk e do dhe ky është nënçmim për qytetarët dhe shtetin. Prandaj, edhe këtë herë do pësojnë humbje historike, sepse populli jep verdiktin kundër të gjithë atyre që e nënçmojnë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Thaçi- Shqiptarëve u sigurojme vendimmarrje në qeveri

Kryetari i PDSH-së, MenduhThaçi ne takimet me qytetar ka theksuar edhe një herë se platforma e partisë së tij mundëson status të barabartë të shqiptarëve dhe maqedonasve, por me këtë sistem elektoral dhe zgjedhor që ekziston shqiptarët asnjëherë nuk mund të kenë numër të njëjtë të deputetëve me maqedonasit.

Thaçi premtoi se po i fitoi zgjedhjet, ai do të ketë vendin e zëvendëskryeministrit dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët, pasi është i bindur se shqiptarët duhet ta kenë njeriun e tyre përfaqësues në qeveri, zëvendëskryeministri të ketë nënshkrimin e lidhur me kryeministrin që asnjë vendim i qeverisë të mos kalojë në finalizim pa këto dy nënshkrime, ndërsa vendimmarrja e Parlamentit për çështje mes shqiptarëve dhe maqedonasve të bëhet me konsensus jo me mbivotim.

"Ne kemi projekt të saktë dhe të sigurt. Nuk do të tolerojmë që represioni i Qeverisë së Maqedonisë dita-ditës të shtohet në variante dhe në mënyra të tjera. Dhe, nëpërmjet votës së lirë, ne duhet t'i themi gjithë botës së përparuar se ne jemi jashtëzakonisht të pakënaqur me këtë gjendje që e kemi. Çështja e parë që duam ta arrijmë menjëherë pas këtyre zgjedhjeve tek shqiptarët e Maqedonisë është që ta rrisim mekanizmin e vendimmarrjes në vendimmarrje me konsensus të plotë me maqedonasit. Dhe realisht kjo betejë duket shumë e rëndë dhe shumë e vështirë, po unë ju betohem se kam një siguri të plotë se këtë herë fitorja do të jetë e plotë”, ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Veliçkovski- Ta luftojm të keqen që e solli Maqedoninë në këtë gjendje

Partia Liberale ka zhvilluar takime me banorët e Velesit. Kryetari i kësaj partie, Ivon Veliçkovski, porositi qytetarët se në këto zgjedhje çdo votë është e rëndësishme, por më e rëndësishme, sipas tij, është vota kundër katër partive të mëdha që e futën në krizë Maqedoninë. Sipas tij, në këto zgjedhje nuk duhet të flitet për Marrëveshjen e Ohrit apo Kushtetutën, por për konsolidimin e institucioneve dhe të shtetit.

"Qëllimi ynë është që pas këtyre zgjedhjeve të mos formohet qeveria me partitë aktuale. Ne do të qëndrojmë në anën e vlerave liberale, në anën e bizneseve, do të zvogëlojmë buxhetin nacional. Partia Liberale synon që bizneset të ngrihen në piedestal, sepse biznesi i tyre i sjell para shtetit. Asnjë qeveri nuk guxon të bëjë presion ndaj bizneseve”, ka deklaruar kryetari i PL-së, Ivon Veliçkovski.