1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Premtime ndihmash për palestinezët

Presidenti palestinez, Mahmud Abas u takua me Presidentin amerikan, Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë. Obama i dha disa dhurata me vete presidentit palestinez. Po ashtu u diskutua bllokimi izraelit i Rripit t Gazës.

Obama pret Abasin në Shtëpinë e Bardhë.

Obama pret Abasin në Shtëpinë e Bardhë.

Obama e di, se në atdheun e tij Abas ka shumë kundërshtarë, kështu që nuk e ka të lehtë ndikimin në procesin e paqes më Izraelin. Megjithatë Obama i dha disa dhurata me vete presidentit palestinez: SHBA do të investojë 240 miliardë dollarë në një projekt për ndërtime shtëpish në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan dhe 75 milionë të tjera do t'i transferohen autoritetete palestineze, shpesh të akuzuara për korrupsion.

Ky takim presidentësh nuk mund të përfytyrohet pa parahistorinë e tij. Data e takimit ishte vendosur qëllimisht këtë javë, sepse takimi do të duhej të pasonte vizitën e kryetarit të qeverisë izraelite javën e shkuar në Uashington. Por kjo vizitë u anullua pasi Izraeli sulmoi flotën humanitare me ndihma për Rripin e Gazës, ku si pasojë humbën jetën nëntë vetë dhe shumë pyetje mbetën pa përgjigje.

SHBA-të e mbështesin kërkesën për hetime

Mbi këto çështje biseduan gjerësisht të dy presidentët, ndërkohë që Presidenti palestinez donte të dinte se si do të vepronin Shtetet e Bashkuara, fuqia mbrojtëse e Izraelit. SHBA deri më tani nuk e ka dënuar sulmin izraelit, sepse Uashingtonit i duhen ende mjaft informacione. Barack Obama megjithatë bëri të qartë para shtypit se: SHBA-të e mbështesin kërkesën e Këshillit të Sigurimit, që ky incident të hetohet saktësisht dhe sipas standarteve ndërkombëtare. "Ia kam thënë drejtpërsëdrejti izraelitëve: Është në interes të Izraelit që ta bëjë të qartë për këdo si ndodhi një gjë e tillë, me qëllim që të mos përsëritet më. Ne presim që të respektohen standartet e hetimit të kërkuara nga Këshilli i Sigurimit."

Izraeli mban Rripin e Gazës të bllokuar.

Izraeli mban Rripin e Gazës të bllokuar.

Izraeli mban të bllokuar hyrjen në Gaza që nga viti 2007, nga frika e armatimit të Hamasit radikal-islamik nga bota arabe. Presidenti amerikan nuk tha që kjo bllokadë është tërësisht e papranueshme dhe e pajustifikuar, por as që SHBA-të e mbështesin atë pa kushte. Madje Obama tha: Neve na duket se ka rrugë për t'u përqëndruar më mirë tek furnizimi me armë - pa bllokuar gjithçka, e vetëm pas bllokimit të japësh lejen për futjen e mallrave humanitare në Gazë."

Njerëzit në Gaza duhen furnizuar me mallra

Obama tha në Uashington se tragjedia me flotën turke mund të shihet edhe si një shans. Çështja është se si të krijohet një kornizë e re, pas bllokadës në Gaza. Sepse që njerëzit në Gaza duhen furnizuar me mallra, duhet të kenë shërbime dhe mundësi punësimi, kjo është e padiskutueshme:

"Me qëllim që të izolohen ekstremistët dhe të mos kemi më pretekste për aksione të dhunshme, dhe të merren parasysh në të njëjtën kohë interesat e sigurisë së Izraelit. Mendoj se presidenti Abas miraton dhe pranon faktin që nga Rripi i Gazës nuk duhet të ngrihen raketa kundër Izraelit. Por për një kohë të gjatë problemin mund ta zgjidhim vetëm kur të kemi një shtet palestinez në krah të Izraelit."

I ftuari i Obamës u shpreh shumë shkurt para shtypit. Kështu nuk u morr vesh nëse presidenti palestinez u citua saktësisht nga presidenti amerikan. Vetëm kaq u mor vesh: Për rifillimin e bisedimeve të paqes, pala e tij "nuk vendos kushte". Duam vetëm që "arrihen suksese", edhe pse nuk u kuptua se për çfarë suksesesh bëhet fjalë.

Autor: Silke Hasselmann/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 10.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nmj0
  • Data 10.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nmj0