1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Premierë nën presion - Fjalimi i Obamës për gjendjen e kombit

Kur presidenti Barak Obama të mbajë sot (27.01.) në mbrëmje fjalimin e tij të parë për gjendjen e kombit, ai do të ndodhet nën presionin e ofrimit të zgjidhjeve. Çfarë duan të dëgjojnë amerikanët nga presidenti i tyre?

Presidenti Obama gjatë një vizite në një zyrë pune në Allentown

Presidenti Obama gjatë një vizite në një zyrë pune në Allentown

Shumë amerikanë janë të pakënaqur me presidentin e tyre dhe drejtimin që po merr aktualisht vendi. Obama duhet të sqarojë se ku dëshiron të vejë dhe si ka ndërmend të arrijë atje, pasi demokratët e kanë humbur në senat shumicën e tyre dhe në legjislacion nuk arrihet dot më asgjë pa republikanët.

Në One-Stop Career Center, një zyrë pune në verilindje të Uashingtonit, ka sot paradite shumë gjallëri. Para ndërtesës ngjyrë kafe me tjegulla dhe me strehë blu qendrojnë persona që kërkojnë punë dhe pijnë duhan. Brenda, në paradhomë, në stola me zgjyrë presin rreth 25 vetë, gati të gjithë afro-amerikanë dhe të huaj me prejardhje nga Amerika Latine.

"Është e vështirë të gjesh punë. Nuk ka punë", - ankohet 56-vjeçari Stanley Ware. Për herë të parë në jetën e tij ai është i papunë, madje që prej një viti. Tani ai kërkon një vend të ri pune si kujdestar në ndonjë institucion.

Në kërkim të një vendi pune

Në kërkim të një vendi pune

Chiquita Wilson është ulur pak më tej në zyrën e punës, para njërit prej 20 kompjuterave dhe analizon njoftimet për vende të lira pune. Ajo duhet të ushqejë tri djem dhe do të kishte preferuar ndonjë punë si asistente për teknikë mjekësore, por e ka të vështirë të gjejë diçka të tillë. Në të gjithë vendin, papunësia është në kuotën 10%, në këtë rajon madje 12%. Presidenti Obama do ta bëjë temën ekonomi dhe vende pune pikërëndesë të fjalimit të tij për gjendjen e kombit. Ç'duan të dëgjojnë njerëzit këtu në zyrën e punës prej presidentit të tyre?

"Ai duhet të thotë, ndihmojeni Chiquita Wilsonin të gjejë punë." - thotë Chiquitta me buzëqeshje dhe shton: "Jo, me të vërtetë, ai duhet t'i ndihmojë njerëzit të ndihmojnë vetveten. Programe për nënat e pamartuara do të ishin të shkëlqyera."

Obama punon mirë, mendon Keath Holder, një burrë i madh, i cili është ulur pranë Chiquittas. Por ai duhet të bëjë më shumë për njerëzit e shkretë dhe të varfër, shton ai. Njerëzit e shkretë, këtë shprehje këtu e dëgjon shpesh. Shumë janë të zhgënjyer, sepse mendojnë se qeveria kujdeset më fort për bankat, se sa për njerëzit e thjeshtë.

Autor: Sabine Myler / Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 27.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Li6o
  • Data 27.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Li6o