1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Premierë e dyfishtë - Westerwelle priti Hysenin në Berlin

Westerwelle i premtoi Kosovës mbështetje të mëtejshme aktive dhe të fortë në rrugën e reformave.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni.

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Guido Westerwelle, nënvizoi marrëdhëniet e mira bilaterale dhe i premtoi Kosovës mbështetje të mëtejshme aktive dhe të fortë në rrugën e reformave, bëhet e ditur nga një deklaratë e ministrisë së jashtme.

Hyseni e informoi homologun e tij gjerman për gjendjen aktuale në Kosovë dhe zhvillimet në rajon. "I fola për perspektivën evropiane të Kosovës, folëm për problemin e vizave dhe kërkuam që Kosova të përfshihet sa më shpejt në këtë proces", tha Hyseni për Deutsche Wellen në fund të takimit. "Kërkova dhe që vendet e Ballkanit pak a shumë të hyjnë të gjithë në të njëjtën kohë në BE", tha ai më tej.

Sipas deklaratës së Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme, Westerwelle ka vlerësuar rolin e misionit të BE-së në Kosovë, EULEX.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e ministrit Hyseni në Gjermani që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar. "Për këtë nuk ka ndonjë shkak konkret", i tha Hyseni DW-së. "Ne jemi përqendruar tek vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ndërsa Gjermania e njohu atë menjëherë, pra s'kishim nevojë të lobonim këtu".

Në Gjermani Hyseni ka ardhur me ftesë të degës gjermane të institutit amerikan ASPEN. Së bashku me homologët e tij nga Ballkani, Sven Alkalajn (Bosnja Hercegovina), Ilir Metën (Shqipëri), Antonio Miloshoskin (Maqedoni), Milan Roqenin (Mali i Zi) ai do të marrë pjesë në fundjavë në një aktivitet me dyer të mbyllura, ku do të trajtohet çështja e sigurisë në Ballkan. Në takim marrin pjesë edhe diplomatë të rangut të lartë nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është hera e dytë që dega gjermane e insititutit amerikan ASPEN i fton ministrat e jashtëm të Ballkanit të diskutojnë me njëri - tjetrin në ambiente të mbyllura. Vuk Jeremiç, ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili vitin e kaluar mbajti fjalimin kryesor, këtë radhë mungonte.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 11.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L0Df
  • Data 11.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L0Df