1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pranvera arabe - pengesë apo nxitje për ekonominë?

Egjipti, vendi me numrin më të madh të popullatës në rajon, që prej verës ka një qeveri të zgjedhur me zgjedhje të lira. Po çfarë do të thotë pranvera arabe për ekonominë?

Hapje e bursës në Kairo

Hapje e bursës në Kairo

Revolucionet në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme janë para së gjithash kthesa politike, më pak ekonomike. Në fund të fundit, vendet e rajonit nuk kanë qenë ekonomi socialiste të planifikuara. Kështu për shembull në Egjipt ka ekzistuar edhe më parë një sistem funksionues bankar, thotë Volker Perthes, Drejtor i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin. Megjithatë ishin vetëm pak vetë ata që kishin qasje te kapitali:

"Bankat egjiptiane vërtet kanë qenë në gjendje të mirë, krahasuar me ato në vendet e tjera.  Por kredi ato u kanë dhënë 30 familjeve të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, të cilat kanë pasur kontakte të mira me regjimin."

Ndryshim i strukturës së sipërmarrjeve

Rrjedhoja: 99 për qind e sipërmarrjeve në Egjipt janë firma shumë të vogla, me pak të punësuar, thotë Markus Loewe i Instititut Gjerman për Politikën e Zhvillimit. Për ta, kthesa politike solli ndryshime të fuqishme.

"Deri tani ato shohin para së gjithash efekte negative te revolucionet. Në të gjitha vendet rritja ekonomike është ndalur në vend. Nuk kemi tendencë negative zhvillimi, por kemi ndalje në vend. Disa sektorë të ekonomisë kanë pësuar kolaps, veçanërisht sektorë që kanë prodhuar për tregjet vendase. Kjo ka të bëjë më rënien e gatishmërisë për konsum në këto vende. Pasiguria për zhvillimet e ardhshme ka luajtur këtu një rol të rëndësishëm."

Pasiguria frikëson edhe investorët e huaj. Sistemet arsimore në gjendje të rëndë e ulin edhe më tej aftësinë e vendit për konkurrencë, thotë Markus Loewe, me gjithë pagat e ulëta.

"Shumë paga për një punë me kohë të plotë janë shumë pranë nivelit të kufirit të varfërisë. Megjithatë, këta punonjës prodhojnë kaq pak të mira materiale, për shkak të shkollimit të tyre të pamjaftueshëm, dhe meqenëse produktiviteti në këto vende është shumë më i vogël se në shumicën e vendeve të Azisë Jugore."

Deficit në rritje dhe subvencione

Kësaj i shtohen probleme të buxhetit. Kështu, qeveria e re në Egjipt përballet me një deficit në rritje. Shkaqet janë gjendja e dobët ekonomike dhe rritja e shpenzimeve për kreditë. Edhe subvencionimi i shpenzimeve për energjinë dhe ushqimet krijon të çara në arkë, thotë Hannan Morsy i Bankës Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin:

"Subvencionet janë një e pesta e të gjitha shpenzimeve të qeverisë, pra 20 për qind. Por subvencionet spostojnë edhe investimet që nevojiten me urgjencë nga ekonomia private, si për shembull në infrastrukturë."

Qeveria e Egjiptit dëshiron ta reformojë sistemin e subvencionimeve. Ky është parakusht edhe për të marrë një kredi në shumën gati pesë miliardë dollarë, të cilën Egjipti ia ka kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Veç kësaj, ekspertët vlerësojnë se terreni për investime është i përshtatshëm edhe për një arsye tjetër: në shumë vende arabe ka një siguri më të lartë juridike dhe është më e lehtë të hapësh një biznes se në vendet e preferuara nga investorët si në Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë. Nga ana tjetër, ndikimi i ushtrisë në Egjipt mbetet i madh. Ai ka qenë edhe para revolucionit i madh dhe këtu ekspertët nuk presin të ndryshojë gjë në një kohë të afërt.

Autor: Andreas Becker/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj