1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pranvera arabe dhe kthesa në Evropën Lindore

A janë të krahasueshme "pranvera arabe" dhe kthesa në Evropën Lindore 20 vjet më parë? A e ndihmojnë përvojat evropiane lëvizjen demokratike në Afrikën e Veriut? Kjo u diskutua në një konferencë ndërkombëtare.

default

Pranë sheshit Tahrir, Kairo

"Bota arabe po bëhet nënë dhe Evropa Lindore, së cilës i lindi 20 vjet më parë një fëmijë me emrin demokraci, do ta mbështesë botën arabe me përvojë dhe vepra." Me këtë metaforë me ngjyra, e përshtatshme si për shijen e Lindjes së Afërt, ashtu edhe asaj evropiane, e hapi në Sofje takimin dyditor ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolai Mladenov.

Askush nuk e përfytyronte dot pak kohë më parë, se në Afrikën e Veriut do të ndodhte një përmbysje e tillë, pranoi Thorbjörn Jagland, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Jaglandi e krahasoi situatën menjëherë me Evropën Lindore. 20 vjet më parë shumë herë thuhej: evropianolindorët janë të paaftë për demokraci, sllavët janë të huaj ndaj demokracisë, të krishterët ortodoksë janë antidemokratikë.

Flash-Galerie Unruhen Proteste in Nahost Jemen

Protesta në Jemen

Ministri i Jashtëm bullgar, Mladenov i përcolli këto deklarata tek situata e sotme në Afrikën e Veriut. Në të njëjtën mënyrë dëgjon sot pohime se myslimanët ose arabët nuk dinë si të veprojnë në demokraci. Të dyja këto janë të gabuara. Sepse si evropianolindorët, ashtu edhe shumë afrikanë të veriut tani e kanë dëshmuar pranimin prej tyre të demokracisë. Kjo ishte linja e ministrit të Jashtëm bullgar."A zotërojnë diçka të dobishme ish-qytetarët e bllokut lindor"? Këtë pyetje provokuese e bëjnë gjithnjë e më shumë pjesëmarrës.

Gazetarja e njohur egjiptiane, Amani Elkhajat e mbrojti me vendosmëri shoqërinë e pjekur civile dhe profesionalizmin e medieve në vendin e saj, përballë "tutelës" evropiane. Bashkëatdhetari i saj,Georg Ishak, themelues i lëvizjes opozitare "Kefaya" kujtoi edhe faktin që evropianët bashkëpunonin deri pak kohë më parë me pushtetmbajtës të korruptuar si Mubaraku.

Nikolai Mladenow Aussenminister Bulgarien

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolai Mladenow

Përfaqësuesit e demokracive të reja evropiane, ndërkohë reaguan me modesti. Në kuptimin e asaj, se ne nuk po u japim këshilla, duam të shkëmbejmë vetëm përvoja, siç u shpreh në mënyrë diplomatike ministri i Jashtëm i Hungarisë, Janos Martonyi. Homologu i tij suedez, Karl Bildt shtoi: Evropa nuk është në gjendje t'i zgjidhë problemet e arabëve, Evropa mund të ndihmojë vetëm si këshilltare.

Në vazhdën e diskutimit u konstatua se ka me të vërtetë shumë përvoja, të cilat mund të këmbehen. Decentralizimi i shpejtë i shtetit, zbatimi i shpejtë i reformave të nevojshme- këto janë përvojat më të rëndësishme nga koha e kthesës në Poloni, tha zëvendësministri i Jashtëm polak, Kristof Stanowski.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Janos Martonyi formuloi dy probleme bazë të kësaj kthese: si mund të rivendoset stabiliteti politik dhe çfarë do të bëhet me përfaqësuesit e regjimit të vjetër. Veçanërisht të rëndësishme janë reforma e sistemit juridik dhe lufta kundër korrupsionit, tha kryeministri i Bullgarisë, Borko Borisov.

Ägypten Verfassungsreferendum angenommen

Abdel Wahab El-Messiri dhe George Ishak

Për analisten nga Finlanda Minna Järvenpää, ishte e qartë: problemi kryesor i ish-vendeve komuniste qe krijimi i strukturave oligarkike të gatshme për dhunë. Prandaj duhet investuar në institucionet shtetërore të forta dhe te një klasë e mesme, e aftë për të mbijetuar. Sepse këto janë mjeti më i mirë kundër korrupsionit dhe oligarkisë, u shpreh përmbledhtas politologu bullgar, Ognian Mintschev.

Aktivisti i lëvizjes studentore Wasim Alqershi, tërhoqi vëmendjen në faktin se gjysma e jemenitëve janë analfabetë dhe se vetëm pesë përqind e popullsisë ka akses në kompjutera. Në këto rrethana, mediet e lira dhe shoqëria civile është e vështirë të kenë sukses, u shpreh ai.

Problemi kryesor në Jemen, sipas tij, është presidenti Ali Abdullah Salih. Po ta dorëzonte postin, atëherë vendi do të kishte një të ardhme, u shpreh aktivisti i lëvizjes studentore.

Si mund ta përmbledhësh në një fjalë ndihmën e mundshme për "pranverën arabe", u tha në fund të konferencës. Ajo që rezultoi ishte si të thuash versioni i komprimuar i të gjithë konferencës: përvoja, vlera, bashkëpunim, dinjitet, dhe last but not least, para.

Autor: Alexander Andreev/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama