1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pranim i akuzave në fillim të procesit kundër grupit të Zauerlandit

Nën masa të forta sigurie në Gjykatën e Landit në Dyseldorf filloi dje (10.08) procesi kundër të ashtuquajturit grupi terrorist i Zauerlandit. Anëtarët e grupit akuzohen se përgatitën atentate terroriste në Gjermani

I akuzuari Fric Gelowicz pranon në hapje të procesit akuzat

I akuzuari Fric Gelowicz pranon në hapje të procesit akuzat

"Të akuzuarit pranuan se planifikonin që të vrisnin këtu (në Gjermani) sa më tepër ushtarë amerikanë. Këtë gjë e kishim konstatuar edhe në kuadër të hetimeve tona dhe tani edhe të akuzuarit e pranuan në deponimet e tyre se kishin këtë qëllim." Kështu u shpreh në fillim të seancës prokurori federal Volker Brinkmann.

Gelowicz u betua se do të ishte besnik ndaj u caktua si "drejtuesi i operacionit në Gjermani"

Kryesuesi i të ashtuquajturit grupit terrorist i Zauerland-it, Fritz Gelowicz, ishte i pari që theu heshtjen përpara trupit gjykues duke i pranuar akuzat. Deponimet e tij vazhduan rreth tri orë. Ai ishte betuar përpara krerëve të bashkimit të Xhihadit Islamik në Pakistan se do të ishte besnik dhe për këtë ishte caktuar edhe si "drejtuesi i operacionit në Gjermani", - tha Gelowicz përpara trupit gjykues në Dyseldorf.

"Objektivi kryesor duhet të ishin ushtarët amerikanë të stacionuar në Gjermani", pranoi Gelowicz. Së dyti duhet të zgjidhej ndonjë institucion amerikan me rëndësi politike në Gjermani, p.sh. ndonjë konsullatë. Së treti do të jepej "një paralajmërim i fundit për popullin gjerman", që të çonte në tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe Uzbekistani.

Gjermani i konvertuar në fenë islame tha se islamistët nuk i kishin bërë ndonjë lavazh truri

Gjermani i konvertuar në fenë islame, tha se Bashkimi i Xhihadit Islamik nuk i kishte bërë ndonjë lavazh truri. Fillimisht ai donte të merrte pjesë në luftën e shenjtë në Irak, por kësaj nuk ia kishte dalë dot. Gelowicz tha se gjatë kursit stërvitor tremujor në një kamp në Vaziristan të Pakistanit, në kufi me Afganistanin, "ishte bindur relativisht shpejt prej idesë për të kryer sulme në Gjermani dhe në Evropë". Ai sqaroi se drejtuesi i stërvitjes, u kishte thënë se sulmi ndaj amerikanëve diku në Evropë mund të organizohej më me lehtësi dhe mund të kishte më shumë efekt se sa në Afganistan.

'Ata kishin lloje granatash pakistaneze ose sovjetike, dhe me to janë ushtruar'

Avokati i të akuzuarit kryesor Fritz Gelowicz, Dirk Uden, sqaroi:

"Klienti im tha se ata kishin mësuar përdorimin e armëve që kishin në dispozicion, pra armë automatike, pistoleta automatike si dhe një granatë antitanke, por municion thuajse nuk kishin fare. Ata kishin lloje të ndryshme granatash dore, prodhime pakistaneze apo sovjetike, dhe me to janë ushtruar. Po ashtu kanë marrë edhe mësim teorik për mënyrën e ndërtimit të lëndëve shpërthyese."

Kryetari i trupit gjykues, Ottmar Breidling, u shpreh se i kishin bërë përshtypje deponimet prej 1.200 faqesh që kishin bërë katër të akuzuarit gjatë javëve të kaluara përpara hetuesve dhe se në rast se ata do të jenë po kaq të hapur edhe përpara trupit gjykues dhe do t'i përsërisin ato, atëhere kjo mund të ndikojë në uljen e masës së dënimit.

Kryegjykatësit i bëri përshtypje vëllimi i deponimeve që mund të ndikojë në uljen e dënimit

Zëdhënësi i Gjykatës, Ulrich Egger, sqaroi:

"Po, kryetari i trupit gjykues bëri të qartë se deponimet kanë qenë në shkallë të gjerë dhe si në asnjë lloj procesi të tillë deri tani. Kryetarit i bëri përshtypje vëllimi i deponimeve. Tani pritet të shihet se deri në ç'pikë do të vërtetohet përmbajtja e dëshmive të të akuzuarve dhe përputhja e tyre me përfundimet e tjera të hetimeve."

Grupi i Zauerlandit u zbulua në shtator 2007. Gjatë kontrollit u gjetën 730 litra peroksid oksigjeni, i cili sipas bindjes së hetuesve duhej të përbënte bazën për përgatitjen e autobombave.

Autor: Pandeli Pani/dpa/dw/wdr

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 11.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J7W5
  • Data 11.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J7W5