1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prania ndërkombëtare në Kosovë: ”Njerëzit patën mundësi të votojnë qetë në veri”

KQZ akoma nuk ka publikuar rezultatet paraprake të rivotimit të djeshëm në veri të Mitrovicës. Sipas mediave lokale serbe "Lista Qytetare Serbe”, e mbështetur nga qeveria e Beogradit, mori më së shumti vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, akoma është duke vazhduar me numërimin e votave nga tri qendrat e votimit nga veriu i Mitrovicës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha DW-së, se gjatë ditës së sotme 18.11., do të publikohen rezultatet. “Procesi i numërimit është duke vazhduar, po numërohen edhe votat me kusht dhe ato me postë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ndërkohë, mediat lokale serbe, shkruajnë se Kërstimir Pantiq, nga subjekti politik serb ”Lista Qytetare Serbe”, ka fituar numrin më të madh të votave nga rivotimet që u zhvilluan të dielën me 17.11. në veri të qytetit të Mitrovicës, mirëpo, jo të mjaftueshme për tu zgjedhur në raundin e parë kryetar komune. Ky subjekt politik e kishte mbështetjen e qeverisë së Beogradit, çka e dëshmoi edhe me prezencën e tij gjatë gjithë ditës së diel në veri të Mitrovicës, ministri pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin. Kërstimir Pantiq, thuhet se do të jetë në balotazh me kandidatin tjetër për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq. Por, kjo akoma nuk është konfirmuar nga KQZ.

Qeveria e Beogradit favorizoi, vetëm një subjekt politik

Kandidati për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, ka akuzuar qeverinë e Beogradit e cila sipas tij, hapur ka përkrahur “Listën Qytetare Serbe”, me kandidat, Kërstimir Pantiq. “Ata favorizuan një listë, një subjekt politik dhe binden qytetarët që të votojnë për ta. S'mund të përkrahet vetëm një subjekt politik. Kjo nuk është e drejtë”, thotë Oliver Ivanoviq, citojnë atë mediat lokale serbe.

Vëzhguesit vendorë nga “Demokracia në Veprim”, thanë se parregullsitë e vetme që janë shënuar gjatë procesit të rivotimit në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës ishin, “materiali propagandues brenda qendrave të votimit dhe mungesa e emrave në listat e votuesve”.

OSBE e kënaqur me procesin e rivotimit në veri

Misioni i OSBE-së i cili është i angazhuar që t'i lehtësojë zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të datës 19 prill, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kësaj radhe u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të votimit .

Shefi i këtij misioni në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën në mbrëmje tha: “Jam shumë i kënaqur që nuk ka pasur incidente dhe që procesi ka rrjedhur mirë. Të gjithë autoritetet e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i si dhe subjektet politike që garuan në Mitrovicën e Veriut, i kanë kontribuar ambientit të qetë,” tha Ambasadori Schlumberger.

Organet e rendit garantuan sigurinë në veri gjatë votimit

Sidoqoftë, KQZ që kishte barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës, falënderon qytetarët e veriut që i janë përgjigjur thirrjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Edhe misioni EULEX, thotë se organet e rendit arritën të garantojnë një proces të qetë zgjedhorë në veri të Mitrovicës. “Jam shumë i kënaqur që procesi i votimit të dielën me 17.11. u mbyll në mënyrë të qetë, pa incidente të mëdha, duke ju ofruar mundësi qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe OSBE-së, ishte i shkëlqyeshëm”, thotë në një deklaratë për media Bernd Borchardt, shef i misionit EULEX në Kosovë.

Edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë, e vlerësoi angazhimin e organeve të rendit për të siguruar se të gjithë qytetarët kanë pasur mundësinë të votojnë pa frikë nga dhuna apo frikësimi. “Zgjedhjet lokale japin një mundësi të rëndësishme për të ndikuar në vendimet që janë të rëndësishme për qytetarët”, thuhet në deklaratën për media të ambasadës amerikane në Kosovë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar në shumicën e komunave të Kosovës do të zhvillohet me një dhjetor, njofton KQZ.