1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Potenciale të humbura - Prej shumë vitesh në Gjermani flitet për mungesën e specialistëve

Anila Shuka26 Qershor 2008

Një studim i nga Instituti i Ekonomisë Gjermane (IdW) në Këln këshillon që Gjermania të adaptojë sistemin kanadez të migracionit.

https://p.dw.com/p/ERKh
Ekspertë të huaj në GjermaniFotografi: picture-alliance/ dpa

"Studimet tona dëshmojnë se vendet që marrin imigrantë të kualfikuar kanë një rritje më të shpejtë ekonomike", - thotë profesor Mihael Hyter (Michael Hüther), drejtor i Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln. Nga një studim i prezantuar të enjten, më 26 qershor 2008 , në Berlin del në pah se vende si Australia dhe Kanadaja, ku numri i migrantëve të kualifikuar në krahasim me popullsinë (1,4) është dyfish më i lartë se në Gjermani (0,7), kanë rritje dyfish më të lartë (32% të prodhimit për kokë) se Gjermania (16%).


Mbas shifrave qendrojnë edhe argumentet, thotë Profesor Hyter, për programin shqip të Deutsche Welles: "Ardhja e një specialisti rrit shanset për punësimin e të tjerëve në ekonomi, sepse për çdo vend të punës që zihet nga një i kualfikuar i lartë, hapen edhe 1-2 vende të reja pune me kualifikim më të ulët."


Pikërisht këtë përfitim të imigracionit nuk kanë patur guxim ta shprehin politikanët deri tani, ankohet Hartfrid Volf (Hartfrid Wolff), deputet federal i partisë liberale (FDP) në Berlin. Partia e tij ka paraqitur në Bundestag një projektligj për rregullimin e migracionit sipas modelit kandez: "Që do të thotë futjen e një sistemi pikësh, ku përfshihen kualifikimi profesional, gjuha gjermane, mosha, përvoja, gatishmëria e integrimit, të gjithave u jepet nga një koeficient, dhe mblidhen në një shumë të caktuara pikësh, mbi bazën e të cilave njerëzit mund të vijnë në Gjermani."


Sistemi i pikëve ishte në vitin 2002 pjesë e ligjit të migracionit, por ky i fundit dështoi në Këshillin Federal. Në variantin e modifikuar ofrohet parimisht mundësia e pranimit të specialistëve të huaj nga vendet jashtë komunitare ose antarët e rinj të BE-së, por ata duhet të gjejnë në Gjermani një vend pune me të ardhura vjetore prej të paktën 80.000 euro. Një shumë e papërballueshme kjo veçanërisht për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, thuhet në studimin me titull: "Braingain-Braindrain - potencialet e rritjes ekonomike përmes migrimit."


Liberali Volf kërkon nga qeveria e Merkelit që ta ndryshojë ligjin, pasi prej tij përfiton në radhë të parë ekonomia gjermane: "Unionistët janë të parët që duhet të reflektojnë menjëherë, sepse unë mendoj që ata kanë pengesa ideologjike", konkludon ai.