1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Posselt: Për Kosovën duhet të vijë një sinjal i qartë nga bashkësia ndërkombëtare

29 Korrik 2011

Europarlamentari kristiansocial Bernd Posselt, bashkëraportues për bisedimet mbi statusin e ardhshëm të Kosovës në grupin e partive popullore të Parlamentit Evropian, flet për DW rreth zhvillimeve të funti në Kosovë.

https://p.dw.com/p/1269j
Europarlamentari kristiansocial Bernd Posselt
Europarlamentari kristiansocial Bernd PosseltFotografi: presse

Deutsche Welle: Zoti Posselt, cili është komenti juaj për trazirat e ditëve të fundit në kufirin verior të Kosovës?

Bernd Posselt: Unë e shoh problemin kryesor në faktin që Serbia i instrumentalizon disa pjesë të pakicës serbe në Kosovë për qëllimet e saj politike, konkretisht në dëm të pakicës. Pjesa më e madhe e pakicës serbe tashmë është integruar mirë në Kosovë, ajo ka të drejtat më të mira që mund të ketë një pakicë në Evropë dhe unë besoj se njerëzit në Mitrovicë ose një pjesë e madhe e tyre për fat të keq nuk e ndjekin këtë rrugë, por e lënë veten të keqpërdoren për politika pushtetare të Serbisë, nga njerëz që vazhdojnë të shikojnë pas e që nuk e kanë kuptuar ende se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se kufijtë e saj janë të pandryshueshëm.

Deutsche Welle: Kush përfiton nga trazira të tilla?

Bernd Posselt: Në trazira të tilla janë të interesuar të gjithë ata që duan të tregojnë se bëjnë ligjin në atë vend. Në radhë të parë është një pjesë e politikanëve serbë, për fat të keq edhe të qeverisë aktuale serbe, dhe në prapavijë mendoj se është edhe ndonjë aleat i serbëve, siç bie në sy herë pas here Rusia.

Deutsche Welle: Çfarë prisni nga bashkësia ndërkombëtare?

Bernd Posselt: Unë mendoj se duhet të vijë një sinjal i qartë. Pres si nga qeveria gjermane ashtu edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian që ata të garantojnë sigurinë në kufi. Kosova është një vend i pavarur, ai njihet nga shumica dërrmuese e anëtarëve të BE-së, është njohur nga Parlamenti i BE-së, treçereku i parlamentit të BE-së është shprehur pro pavarësisë së Kosovës dhe e ka përjashtuar qartë ndarjen e Kosovës si një zgjidhje të problemit, pra kufijtë janë sqaruar. Kjo do të thotë, se sa më shpejt që ta kuptojë këtë Serbia aq më mirë është për Serbinë dhe për paqen në rajon. Serbia e bllokon vetë rrugën e saj në strukturat evorpiane.

Deutsche Welle: Zonja Ashton në deklaratën e saj nuk ishte kaq e qartë, ajo u bëri thirrje të dyja palëve për afrim.

Bernd Posselt: Ky ëshët problemi i zakonshëm me zonjën Ashton, e cila nuk shprehet qartë dhe për fat të keq me sa duket nuk kupton shumë nga kjo çështje. Kur dikush bën një grabitje në bankë, nuk mund t'u bësh thirrje si grabitësit ashtu edhe drejtorit të bankës që të merren vesh me njëri-tjetrin paqësisht. Por duhet të ndalësh grabitqarin dhe të mbrosh bankën. Kështu është edhe në Kosovë: kufijtë e një shteti evropian, pra Kosovës, po cënohen në mënyrë agresive nga fqinji dhe përsa kohë që është kështu, Serbia nuk mund ta vazhdojë rrugën e saj në drejtim të BE-së. Ky është mendimi i shumicës dërrmuese të Parlamentit Evropian dhe unë kam më shumë besim tek komisari zgjerimit Stefan Füle, i cili mendoj se flet një gjuhë më të qartë se zonja Ashton.

Intervistoi Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora