1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Portugalia mes dëshpërimit dhe shpresës

Portugalia është shndërruar nga një rast problematik në një nxënës shembullor. Por cilat janë pasojat dhe shanset e këtij vendi?

As vetë portugezët nuk janë të një mendimi përsa i përket gjendjes: në njërën anë qeveria dhe shumë ekspertë të ekonomisë thonë se më e keqja ka kaluar. Në anën tjetër, këshilltarët për çështje sociale dhe përfaqësuesit e gati të gjitha organizatave të ndihmave mendojnë se kriza sociale mund të përkeqësohet.

Qeveria pohon se po i kthen me kohë borxhet. Ndërkohë që thuhet se numri i të papunëve është vetëm 14 %, që është niveli më i ulët në këtë vend. Por João de Sousa nga organizata e ndihmës AMI thotë se me këto të dhëna duhet pasur kujdes. Statistikat e të papunëve në Portugali janë të pakuptimta, sepse shumë portugezë të dëshpëruar me kërkimin për një kohë të gjatë të punës, kanë vendosur të mos paraqiten më fare në zyrat e punësimit. Ndaj shoqata e sindikatave portugeze CGTP vlerëson se përqindja e vërtetë e të papunëve është dikur rreth 25%. Këtu duhet shtuar edhe një numër të personave të punësuar në sektorin privat, të cilët nuk fitojnë gati asgjë.

Vend i varfër me banorë të varfër

As ata që punojnë nuk janë të kënaqur. Rroga e parashikuar minimale në Portugali është rreth 430 euro. Por ajo është më shpesh një përjashtim se sa rregull. Në veçanti, në sektorin më të fuqishëm industrial - në industrinë e tekstilit dhe këpucëve - njerëzit e kanë vështirë të mbijetojnë me paratë e fituara. Ndaj numri i të varfërve në këtë vend është rritur zyrtarisht në rreth 19%. Gati dy milionë portugzeë duhet të mbijetojnë me më pak se 60% të rrogës minimale. Gjendja është katastrofale, pohon shefi i AMI, João de Sousa.

Problemet sociale që kanë sjellë masat e kursimeve, ende nuk janë zgjidhur, thotë profesorja e ekonomisë, Aurora Teixeira, në Universiteti në Porto. Qeveria ka arritur që përmes shkurtimeve në sektorin publik të sigurojë një buxhet të pranueshëm dhe ekonomia sheh pak dritë në fund të tunerlit. Por të cënuarit socialë kanë vuajtur dhe po vuajnë më së shumti.

Dëshpërimi apo shpresa?

""Ne kemi mbërritur kufirin e kapaciteteve tona", pohon João de Sousa. Kuzhina për rastet sociale në Porto është e stërngarkuar. Orizi dhe patatet nuk mjaftojnë për të ushqyer të gjithë ata që kanë nevojë. As në Lisbonë dhe qytetet e tjera të mëdha gjendja nuk është më e mirë. Pra: kriza nuk ka kaluar.

Portugalia ka jetuar mbi mundësitë e saj. Ajo ka shpenzuar më shumë se sa që ka fituar, thotë ekspertja Aurora Teixeira. Por gjendja ndërkohë ka ndryshuar. Nëse harrojmë borxhet, buxheti ka madje edhe një plus. Mjekimi gati e vdiq pacientin, por ka përfunduar me sukses. "Sërish ka shpresa", thotë Aurora Teixeira. Por ende mungojnë ndryshimet strukturore: Portugalia duhet të prodhojë më shumë, për të fituar para dhe nuk duhet të mbështetet vetëm tek shërbimet dhe turizmi.

Varfëria apo emigrimi

Për shkak të pagesave të vogla apo papunësisë, shumë të rinj portugezë kanë ikur në vende të tjera. Mbi 100.000 janë larguar prej fillimit të krizës çdo vit. Më së shumti kanë shkuar në Britani të Madhe, Francë apo Gjermani. Në radhë të parë kanë ikur akademikët , si inxhinierë, ekonomistë apo dhe punëtorë të shëndetësisë.

Qeveria po vazhdon me kursime brutale. Ndaj klinikat dhe spitalet e Portugalisë ndërkohë kanë mangësi të përhershme në personel, pohon Guadalupe Simões, nga sindikata e spitaleve. "Mund ta kuptoj që të rinjtë që kanë përfunduar fakultete nuk duan të punojnë me kontrata të kufizuara për 700 euro në muaj. Ndaj ikin në vende të tjera. Ndërsa në Portugali mbeten të moshuarit dhe të varfërit", konstaton Guadalupe Simões.

Por pikërisht këto kursime kanë sjellë mirëbesimin në tregjet e Portugalisë, thotë Aurora Teixeira. Ndaj tani qeveria ka më shumë hapësirë manovrimi financiar. Shenjat e para të përfundimit të masave të rrepta të kursimeve janë vërejtur. Populli shpreson se masat e kursimeve do të zbuten ngadalë.