1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Portugalia duhet të shtrëngojë edhe më shumë rripin

Gati katër miliardë euro duhet të kursejnë portugezët ose rreth 2.3 për qind të prodhimit ekonomik në vend. Kjo përpjekje duhet t'i rikthejë vendit të vogël pavarësinë financiare.

Qytetarët në vendin më të varfër të Evropës Perëndimore e dinin pak a shumë se çfarë i pret. Por projektbuxheti i qeverisë së qendrës së djathtë të kryeministrit Pedro Passos Coelho, kërkon në shkallë të konsiderueshme më shumë sakrifica financiare se sa pritej më parë. Fillimisht për vitin 2014 ishin paraparë kursime prej 2.5 deri në 3.3 miliardë euro. Tani, buxheti i shtetit do të shkurtohet me 3.9 miliardë euro.

Ministrja e Financave Maria Luis Albuquerque e quajti zbatimin e kursimeve të parapara si "vendimtare për të ardhmen" e vendit të saj: "Këto përpjekje janë të nevojshme për të përmbyllur me sukses programin tonë të ndihmës, i cili përfundon në qershor të vitit 2014. Këto sakrifica janë të nevojshme për të siguruar të ardhmen."

Në foto, ministrja Maria Luis Albuquerque

Në foto, ministrja Maria Luis Albuquerque

Shkurtime drastike

Pothuajse asnjë portugez nuk do të shpëtojë pa u prekur nga kursimet. Megjithatë më së shumti do të goditen nëpunësit dhe pensionistët: atyre iu duhet të heqin dorë nga 2.5 deri në 12 për qind të të ardhurave të tyre mbi bazën minimale të garantuar prej 600 € bruto. Edhe pagesat e pensioneve që kalojnë shumën prej 600 euro e më lart do të shkurtohen me 10 për qind. Po ashtu qeveria po mendon të shkurtojë edhe pensionet e vejushave.

Qeveria kishte njoftuar më parë se në buxhetin e ardhshëm do të ketë shkurtime të mëdha. Kursimet prej gati katër miliardë euro në vendin e eurozonës të përfshirë nga kriza, janë të nevojshme për të arritur qëllimin e deklaruar për reduktimin e deficitit buxhetor të vitit të ardhshëm, në 4.0 për qind të produktit të brendshëm bruto. Megjithatë, kritikët u frikësohen trazirave sociale për shkak se popullata është së tepërmi e ngarkuar.

Në foto, kryeministri Pedro Passos Coelho

Në foto, kryeministri portugez Pedro Passos Coelho

Fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese

Eurogrupi dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë mbështetur në maj të vitit 2011 Lisbonën me një kredi emergjente prej 78 miliardë euro. Kusht për dhënien e kredisë ishte që qeveria portugeze të angazhohej për kursime të vështira dhe reforma gjithëpërfshirëse. Programi i ndihmave përfundon në qershor të vitit 2014 dhe pastaj Portugalia mund të kthehet përsëri në tregjet financiare.

Por planet për kursime të qeverisë portugeze janë penguar në mënyrë të përsëritur nga ana e Gjykatës Kushtetuese të vendit. Në gusht, gjyqtarët hodhën poshtë si antikushtetues një plan, i cili parashihte mbylljen e mijëra vendeve të punës në sektorin e shërbimit civil.