1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Portugali: Grindje për shifrat e të papunëve

Statistika portugeze për të papunët e zbukuron gjendjen. Një ekonomist bën një llogari tjetër: kuota faktike e të papunëve në Portugali është shumë më e lartë se pohimi i qeverisë, thotë ai.

Symbolbild Arbeitsamt Portugal Arbeitslosenzahlen

Një ndër pesë portugezë nuk gjen vend pune - Zyra e Punes në Portugali

Deri para pak kohësh, kryeministri i Portugalisë, Pedro Passos Coelho kishte mundësi që gjithmonë në fillim të muajit të gëzohej. Në këtë kohë, "Instuiti Kombëtar i Statistikave" shpallte statistikat e të papunëve. Dhe ato uleshin e uleshin, gjë që partitë e djathta në pushtet PSD dhe CDS e vlerësonin natyrisht si sukses të politikës së tyre. Kriza është kapërcyer dhe gjithçka do të vejë si më mirë, gëzohej kryeministri. Por ndoshta edhe jo: që prej dy muajsh, shifrat e të papunëve kanë nisur të rriten sërish dhe e kanë kaluar kuotën e 14 përqindshit. Zyra e Statistikave paralajmëron: E parë "në kuptim të gjerë", papunësia në Portugali madje është në kuotën 22 përqind.

"Kriteret statistikore janë gjithmonë të diskutueshme", e shpjegon José Maria Castro Caldas diferencën e madhe midis dy shifrave. Ekonomisti dhe sociologu punon në CES, në Qendrën prestigjoze për Studime Sociale të Universitetit Coimbra. "Kemi të bëjmë vetëm me konvencione, që ndryshojnë. Dhe përsa u përket shifrave të papunësisë ja që shoqëria nuk është më e një mendimi ".

Më e vonta që prej vitit 2011, që kur zyrat statistikore të BE filluan të mos i llogaritin si të papunë ata të papunët që ndodhen në masa kualifikimi, edhe në Portugali më tepër xhonglohet se sa punohet me shifrat e të papunëve. Meqenëse politikanëve të Evropës u pëlqen të shohin shifra më të ulëta papunësie, ka të papunë në kuptim "të ngushtë" dhe në kuptim "të gjerë".

Kozmetika e shifrave e falsifikon gjendjen

"Numri i atyre që ndjekin prej vitit 2013 programe punësimi të agjencive të punës, është rritur në mënyrë të dukshme", shpjegon Castro Caldas. Në fund të 2014-ës në këtë mënyrë u zhdukën rreth 170.000 të papunë nga statistikat. Nëse ata u shtohen statistikave zyrtare, atëherë kuota e të papunëve do të ishte tre deri gjashtë përqind më e lartë.

José Maria Castro Caldas

Sociologu Castro Caldas

Shkencëtarët e CES ka kohë që i vështrojnë me sy kritik shifrat e të papunëve nga Portugalia. Ata tërheqin vëmendjen në praninë e kontradiktave. "Shifrat e të papunëve mund të ulen vetëm kur një ekonomi shënon rritje", thekson Castro Caldas. "Dhe këtu duket shumë e çuditshme, që kuota e të papunëve në Portugali është ulur, kur ekonomia është në stanjacion". Kjo është e mundur vetëm sepse punohet me mjete të dyshimta: as të rreth 300.000 të rinjtë e kualifikuar mirë portugezë, që emigruan në vitet e krizës, as ata që kanë hequr dorë së pyeturi për punë në agjencitë e punësimit nuk merren parasysh në statistika. Ata quhen zyrtarisht "të papunë të dekurajuar", ata regjistrohen vetëm si joaktivë dhe zyrtarisht nuk shfaqen në rubrikën e të papunëve. Në të nuk shfaqen as ata që punojnë me orar të reduktuar ose me raste, të cilët në fakt duan dhe duhet të punojnë më tepër.

Gjendja e vërtetë në vend është tjetër: "Një në pesë portugezë të aftë për punë nuk ka vend pune. Ndoshta është edhe një në katër vetë. Këto shifra i përgjigjen realitetit," siguron Castros Caldas.

Zyrës së statistikave iu desh që në kuadër të një përpunimi rutinë të shifrave të të papunëve për dhjetorin 2014 t'i rrisë me 0,5 përqind shifrat e të papunëve. Në këtë mënyrë, papunësia nuk u ul në fund të vitit të kaluar, siç tha qeveria, por u rrit.