1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Portret i të akuzuarit Kreshnik B.

Para Gjykatës së Lartë të Qarkut në Frankfurt ndodhet Kreshnik B. Që në korrik 2013 ai dyshohet ka luftuar në Siri në organizatën terroriste "Shteti Islamik". Kreshnik B. duket se u radikalizua shpejt.

Udhëtimi nuk kushton as njëqind euro, për një drejtim. Rruga me autobus kalon nga Stambolli dhe prej atje drejt Sirisë. Kufitarët turq, shumicën e herëve nuk nxjerrin probleme, gjë që i zemëron autoritetet gjermane të sigurisë.

Edhe Kreshnik B. e mori më 2 korrik 2013 këtë rrugë. Së bashku me gjashtë të rinj të tjerë ai i hipi autobuzit në Mannheim, me sa duket për t'u bashkuar me grupin terrorist "Shteti Islamik". Dy nga të rinjtë besohet se vdiqën në Siri, dy të tjerë u kthyen në Gjermani.

Njëri prej tyre është 20 vjeçari Kreshnik B. i lindur në Bad Homburg në afërsi të Frankfurtit mbi Main. Ai është tani i dyshuari i parë si luftëtar i "Shtetit Islamik", që nxirret para një gjykate gjermane. Në Frankfurt, para Gjykatës së Lartë të Qarkut, do të zhvillohet procesi i tij, sepse Prokuroria Federale është e bindur që prej korrikut deri në qershor 2013 ai ka qenë anëtar i grupit terrorist.

Zëdhënësi i Gjykatës, Ingo Löhre: "Krahas detyrave si roje dhe detyrave sanitare ai besohet se ka marrë pjesë aktive në luftime. Ai akuzohet më tej se dyshohet të ketë përgatitur një vepër penale të rëndë, që rrezikon shtetin, sepse ka pasur në zotërim edhe një armë zjarri."

Kreshnik B. është kthyer me sa duket brenda një kohe shumë të shkurtër në xhihadist. Një djalë i ri, i cili konsiderohej i integruar dhe si futbollist i talentuar, një lojtar që luante në klubin më të madh futbollistik hebre, Makkabi Frankfurt. Kreshnik B luante në U17 dhe la përshtypje të mirë, të paktën te Alon Meyer, te presidenti i Makkabi Deutschland dhe Makkabi Frankfurt:

"Kreshniku ishte një lojtar i mirë nga ana sociale, në përgjithësi i gjithë ekipi ka bashkëpunuar në harmoni me njëri-tjetrit, kanë luajtur, asnjë ngjarje negative, nuk mund të themi asgjë negative."

Radikalizim i shpejtë

Po pastaj e gjitha me sa duket u zhvillua shumë shpejt. "Është e tmerrshme, që një lojtar, i cili është angazhuar për ne, me yllin e Davidit në gjoks dhe vërtet me krenari, që ishte i ndërgjegjshëm për këtë situatë, që do ta quajnë hebre, edhe kur nuk është i tillë,- kundërshtari nuk e di këtë - që brenda kohës më të shkurtër kalon në një radikalizëm të tillë, kjo na tmerron të gjithëve."

Kreshnik B. ndryshoi brenda javësh, papritur mbante kaftan, kapele për t'u falur, pantallona treçerekshe dhe i refuzonte mësueset. Ai përgjigjej me citate nga Kurani, tregojnë njerëz, që kishin të bënin me të atëherë. Sipas hetimeve të Prokurorisë Federale ai ndiqte një Shkollë Profesionale për Teknikën e Ndërtimit në Frankfurt mbi Main, së bashku me 15 myslimanë, që mendonin si ai. Një shkollë, ku salafistët rekrutonin rezerva, siç tregojnë nxënësit. "Më pyetën, nëse doja të shkoja me ta, unë u thashë jo, e ç'do të bëj unë atje, unë jam shtatëmbëdhjetë vjeç", tregon një nxënës.

Kreshnik B. shkoi dhe u kthye nga Siria në dhjetor të vitit të kaluar. Familja e tij u qe drejtuar organeve të ndjekjes penale, nga frika për Kreshnikun. Në një telefonatë të përgjuar me të motrën, ai ka thënë që dëshira e tij më e madhe është të vdesë si martir.