1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i kandidatit për president Joachim Gauck

28 Qershor 2010

Më 30 qershor Asambleja federale në Gjermani voton për presidentin e ri. Kandidatët janë kristiandemokrati Christian Wulff dhe teologu e aktivisti për të drejtat e njeriut Joachim Gauck, pa parti ish disident në RDGJ.

https://p.dw.com/p/O4uS
Joachim Gauck i lindur me 24 janar 1940 në RostockFotografi: DW

71-vjeçari pa parti nuk ka problem me idetë liberale dhe konservatore të qeverisë Merkel dhe mund të kishte qenë mjaft mirë edhe kandidat i përbashkët i qeverisë dhe i opozitës. Por edhe pse ishte e informuar me kohë për idenë e socialdemokratëve dhe të të gjelbërve për kandidaturën e tij, kancelarja e hodhi poshtë atë, megjithëse dihet se ajo në të vërtetë e vlerëson shumë Gauck-un, i cili gëzon respekt edhe në radhët e unionit konservator.

"Unë nuk e konsideroj veten si kandidat të një kampi, sepse jam i paparti. Unë dua të kontribuoj, që qytetarët të angazhohen më shumë se deri sot për konceptimin e politikës dhe që të jenë aktivë në debatin politik. Mua, ashtu si dhe shumë njerëzve të tjerë në vend, nuk më pëlqen distancimi mes klasës politike dhe popullit. Ne duhet të përpiqemi që kjo të ndryshojë, në mënyrë që si populli edhe politika të afrohen më shumë." - shprehet Gauck

Deutschland Bundespräsident Kandidat Joachim Gauck
Joachim Gauck kandidati të gjelbërve dhe socialdemokratëveFotografi: AP

Nga tetori i vitit 1990 deri në tetor të vitit 2000 Gauck ka qenë i ngarkuari i qeverisë federale për dokumentat e Sigurimit të Shtetit në RDGJ. Edhe pse Joachim Gauck nuk ka qenë kurrë politikan profesionist, ai është një njeri politik, në edukimin e të cilit duken qartë gjurmët e historisë gjermane. Sikurse shprehet edhe vetë Joachim Gauck kombinon në personin e tij dy tradita të mendimit të lirë: atë të Evropës Lindore, e cila për një kohë të gjatë ëndërronte dhe i duhej të luftonte për lirinë dhe mendimin e lirë, dhe atë të ngritur në perëndim të Gjermanisë me përkrahjen e aletatëve dhe që bazohej në traditën e lirisë të vendeve perëndimore.

Gauck e ka të qartë rolin dhe mundësitë e presidentit në Gjermani, detyrat e të cilit janë më tepër reprezentative. Ai e di që si mjet kryesor për të ndikuar në jetën politike ka në dorë oratorinë dhe fjalën. Për këtë në këto kohë të vështira të krizës ekonomike dhe financiare mbarëbotërore, si dhe në sfondin e humbjes së kredibilitetit të klasës politike në intervistë me DW Gauck thekson:

Deutschland Bundespräsident Kandidat Joachim Gauck Pressekonferenz
Ish aktivisti i RDGJ-së Joachim Gauck duke shkuar në një konferencëFotografi: picture-alliance/dpa

"Presidenti nuk mund të zëvendësojë as ministrin e Financave dhe as atë të Ekonomisë. Çdo president do të jetë i matur për të mos ndërhyrë kudo. Por ka ndonjëherë situata krizash, në të cilat presidenti duhet ta thotë fjalën e vet, unë gjithmonë do të tërheq vëmendjen, se nuk duhet të na pllakosë frika. Edhe tani që nuk kam post unë marr pjesë në debatet publike. Më duket se është një rrezik që njerëzit stepen. Aktualisht shumë popuj në Evropën Perëndimore mendojnë, se premtimet e bukura, me të cilat ato janë rritur do të vazhdojnë pafundësisht, ndërsa unë nuk e besoj këtë. Unë besoj se duhet kuptuar fakti që ka faza të vështira dhe ato duhet të pasohen nga konsolidimet. E që të arrihet kjo, duhet llogaritur me barra të rënda. Ndaj në popull duhet të forcohet besimi se ata, që qeverisin nuk veprojnë kundër popullit. Natyrisht që presidenti mund të kontribuojë më shumë se të tjerët, për ta larguar frikën dhe për t' u thënë njerëzve, se nuk duhet të bien viktimë e frikës të tyre dhe se ata kanë shumë mundësi. Frika të kufizon duke penguar dhe fantazinë. Ndaj ne duhet të përpiqemi që t' i inkurarojmë njerëzit për të gjetur rrugëdaljet nga kriza."

Joachim Gauck është shprehur se partia "E Majta" nuk është e aftë që të qeverisë në rang federate dhe e ka akuzuar këtë parti se nuk e pranon mjaftueshëm demokracinë në Evropë. Për shkak të qëndrimeve të tilla, aktivisti për të drejtat e njeriut Gauck është për partinë "E Majta" si shamia e kuqe për demin. Kjo parti ka propozuar një kandidate të vetën për postin e presidentit. Luc Jochimsen, një gazetare nga Perëndimi, e cila është edhe deputete e të Majtëve.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi Angjelina Verbica