1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Portal interneti për të ndihmuar refugjatët

Të interesuarit mund të informohen në portalin e internetit për rreth 300 projekte të ndryshme. Ata që duan mund të japin edhe donacione. Ministri i Brendshëm gjerman pa dhe u informua për gjëra të mira.

Për krizën këtu nuk flet askush - ndonëse bëhet fjalë për refugjatë. Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière duket se po i shijonte këto momente të prezantimit të një portali në internet, këtu në Friedrichshain-Kreuzberg në Berlin. "Ky është një vend, ku me pak para mund të bëhen gjëra të mëdha", tha ai. Ministria e Brendshme e Thomas de Maizière-t e ka mbështetur këtë projekt, që në një faqe interneti të jepen informacione dhe ndihma për integrimin e azilkërkuesve në Gjermani. 450.000 euro për dy vite i ka ndarë qeveria gjermane për mbështetjen e këtij projekti.

Projekti administrohet nga betterplace.org, një portal i cili konsiderohet si një prej platformave më të mëdha bamirëse në Gjermani. Të interesuarit mund të informohen këtu për rreth 300 projekte të ndryshme dhe mund të japin donacione. "German Doctors" kanë nevojë për shembull edhe për 142 euro për klinikën e tyre në Mynih. Donacionet realizohen shumë shpejt, me vetë dia klikime.

Aftësia e veprimit

Thomas de Maizière kishte mundësinë gjatë këtij prezantimi të falënderojë njerëzit që punojnë vullnetarisht. Pa ndihmën e tyre situata me siguri që do të shndërrohej në një katastrofë, mendon ai. Qeveria gjermane e di që pa angazhimin e këtyre njerzëve nuk do t'ia dilte të përballet me valën e fundit të refugjatëve. De Maizière nuk mund të gjejë asgjë të keqe në veprimin etyre. "Përfytyroni sikur të gjitha të kryheshin vetëm nga shteti. Unë nuk do të doja të jetoja në një shtet të tillë."

Thomas de Maizière informohet për projektin e internetit

Thomas de Maizière informohet për projektin e internetit

Gjermania edhe më tej mund të mbështetet tek puna e vullnetarëve. Javët e kaluara është biseduar shumë për këtë çështje, sepse edhe disponimi i njerëzve ka ndryshuar shumë. Ndihmësit vullnetarë janë në fund të energjisë, por ende janë të gatshëm të ndihmojnë.

De Maizière shikon në anën e djathtë, ku është Ulrike Kostka, drejtore e Karistasit në Berlin. "Para dy vitesh gati askush nuk ka reaguar ndaj kërkesave tona për donacione. Ndërsa vitin e kaluar ka qenë interesimi më i madh prej themelimit të organizatës", thotë Kostka. Më pas ministri shikon në anën e majtë. "Fakti që për çdo javë regjistrohen 20-30 projekte për refugjatë, tregon se këtu vërtet kemi nevoja të mëdha", konstaton Christian Kraus, drejtues i betterplace.org. Gatishmëria për donacione po vazhdon, thotë ai.

Pyetjet e rënda

Por ministri u përball edhe me pyetje të rënda, për politikën e përditshme. Austria i ka futur kontrollet kufitare. Gazetarët duan të dinë se cili është qëndrimi i Gjermanisë. Ministri shikon në tokë dhe ngadalë jep një përgjigje.

"Vendimi i Austrisë është vendim i Austrisë. Por ende nuk është vendosur asgjë përfundimisht. Austriakët ende kanë mundësi të ndryshojnë mendimin", thotë De Maizière, i cili shpreson se Evropa do të gjejë një përgjigje të përbashkët. "Koha po kalon", konstaton ai. Por mbetet shpresa që në këtë portal do të lajmërohen njerëz të gatshëm për zgjidhjen e problemeve, të cilat politika nuk mund t'i zgjidhë.