1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Poroshenko: presidenti i ri i Ukrainës

Poroshenko fitoi që në raundin e parë. Kundërkandidatja Timoshenko e ka pranuar humbjen, ndërsa Poroshenko premtoi se do të jetë "president i të gjithë ukrainasve".

Një ditë para zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë u shfaq në Galerinë e Arteve "Mystezki Arsenal" në Kiev, drama e Shakespear "Hamlet", e teatrit të njohur nga Londra "Globe". Fjalia e famshme "Të jesh, apo të mos jesh", vlen prej javësh dhe muajsh edhe për vetë Ukrainën e prekur nga kriza dhe luftimet e armatosura. Të dielën në mbrëmje (25.05.2014), pak pas orës 20:00, miliarderi Petro Poroshenko kumtoi: "Ukraina ka zgjedhur presidentinn e ri!"

Tandemi me Klitschkon

Rezultati nuk befasoi, sepse Poroshenko ishte në epërsi në të gjitha sondazhet, në krahasim me ish kryeministren Julia Timoshenko. Rezultatet përfundimtare ende nuk janë bërë publike, por Timoshenko e ka pranuar humbjen dhe Poroshenko me rreth 55 % të votave ka fituar që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në anën tjetër Timosheko ka fituar vetëm rreth 12 % të votave.

Poroshenkos iu bashkua shumë shpejt në skenë edhe ish kampioni në kategorinë e rëndë në boks Vitali Klitçko, i cili ka fituar zgjedhjet për kryetar bashkie në Kiev. Poroshenko bëri të qartë se ai do të krijojë një lloj tandemi për bashkëpunim të ngushtë me Klitçkon.

Poroshenko për bashkëpunim të ngushtë me Klitçkon

Poroshenko për bashkëpunim të ngushtë me Klitçkon

Figurë kompromisi për gjithë vendin

Eksperti Volodymyr Paniotto thotë se fitorja e Poroschenkos që në raundin e parë mund të shpjegohet me disa faktorë. Ai shihet si një "figurë kompromisi", pohon drejtori i Institutit Ndërkombëtar për Sociologji në Kiev (KMIS), në bisedë me Deutsche Wellen. Poroshenko ka fituar votat në Perëndim, por edhe në Lindje të vendit. Për te kanë votuar madje edhe shumë rusë.

Poroshenko i ka bindur njerëzit se do të fitojë që në raundin e parë dhe kjo ka ndodhur. Mesazhi ishte se Ukraina ka nevojë për një president legjitim dhe ky mesazh është pranuar nga shumica e zgjedhësve, thotë Paniotto. Poroschenko nuk është figurë e re, por ka arritur që të prezantohet si bartës i një politike të re ukrainase.

Në politikë ai është përzier për herë të parë në "Revolucionin e Portokalltë" në viti 2004, kur mbështeti kandidaturën e Viktor Juschtschenkos. Ata të dy janë miq të ngushtë. Në kohën e Juschenkons ai ishte këshilltar për siguri dhe ministër i Jashtëm. Por Poroschenko ka bashkëpunuar edhe me Viktor Janukoviç, sepse në qeverinë e tij ishte ministër i Ekonomisë.

Pre fillimit në Maidan

Miliarderi radhitet në Ukrainë ndër "oligarkët". 48-vjeçari quhet edhe si "mbret i çokolatave", për shkak të drejtimit të koncernit të ëmbëlsirave "Roshen". Eksperti Oleksij Haran mendon se kjo nuk e ka penguar politikanin. "Me rëndësi është që ai prej fillimit ka qenë në Maidan". Lëvizja opozitaren që e detyroi Janukoviçin të largohet nga posti, e ka pranuar si lider presidentin e ri.

Timoshenko ka pranuar humbjen

Timoshenko ka pranuar humbjen

Presidenti i ardhshëm tha se ai do të jetë president i të gjithë ukrainasve, duke përfshirë edhe Krimenë e anektuar nga Rusia, si dhe Donjeckun dhe Luhanskun. Seperatistët prorusë e kanë evituar me dhunë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në këto qytete.

Poroshenko premtoi se do të merret shumë seriozisht me kërkesat e njerëzve në këto qytete. Rusishtja duhet të ketë një status të veçantë, por nuk do të bëhet edhe gjuha e dytë zyrtare në vend, tha Poroshenko. Ai ka premtuar se do ta rikthejë edhe Krimenë, ndërsa Ukrainën shumë shpejt do të çojë në BE. Ai ishte i përmbajtur në kritikat ndaj Rusisë duke shtuar se është i gatshëm për bashkëpunim edhe me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Nuk u paraqit në Maidan

Një sfidë shumë e madhe për Poroshenkon do të jetë raporti me qeverinë dhe me Verhovna Rada në Parlament. Kushtetuta ukrainase parashikon më shumë pushtet për qeverinë sesa për presidentin. Qeveria e kryeministrit Arseni Jazenjuk ka më shumë kompetenca se presidenti. Parashikohet të bëhet edhe një reformë, ku do të shkurtoheshin edhe më shumë kompetencat e presidentit, i cili do të kishte vetëm një figurë simbolike. Por ende nuk dihet, nëse Jazenjuk do të mbetet në këtë post, sepse kjo varet edhe nga Parlamenti. Poroshenko mendon se në Ukrainë duhet të mbahen shumë shpejt zgjedhjet e reja parlamentare, ndonëse mandati i tanishëm i Parlamentit zgjat deri me 2017. Presidenti i ri tani duhet të tregojë aftësi për kompromise, mendojnë ekspertët.

Poroshenko nuk u paraqit në natën e fitores në Maidan. Tribuna, ku ai para disa muajve u premtoi ukrainasve një ardhmëri më të mirë, mbeti e zbraztë. Njerëzit e mbledhur nuk patën mundësi të festojnë së bashku me presidentin e zgjedhur. "Ende nuk ka asgjë për të festuar, sepse vendi është në gjendje shumë të rëndë", tha një 20 vjeçar duke shtuar se "Poroshenko do të rrëzohet me protesta, në qoftë se nuk i plotëson kërkesat e njerëzve në Maidan."