1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Poroshenko: "Nuk ka negociata me separatistët"

Në Berlin ka një shqetësim të madh për situatën në Ukrainë. Ndërsa parlamenti gjerman diskutonte për këtë temë, kandidati për president në Ukrainë Poroshenko u shpreh me fjalë shumë të qarta gjatë takimeve në Berlin.

Në vizitën e tij në kryeqytetin gjerman kandidati për postin e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, justifikoi dhunën e ushtrisë kundër separatistëve prorusë, të cilët ai i cilësoi terroristë. Kush mban në duar mitralozin dhe vret njerëz të tjerë, ai kupton vetëm një gjuhë, tha Poroshenko, "dhe kjo është gjuha e dhunës." Ai i refuzoi negociatat me separatistët: "Ata nuk përfaqësojnë askënd." "Ne duhet të rivendosim rendin dhe ligjin dhe t'i fshijmë terroristët nga rrugët", tha biznesmeni dhe politikani, që konsiderohet si kandidati më premtues në zgjedhjet presidenciale të 25 majit. Poroshenko mbështet afrimin e Ukrainës në BE, ai u solidarizua me demonstruesit e Maidanit.

Në Berlin kandidati presidencial mbështeti propozimin e ministrit të Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier (SPD), për mbajtjen e një raundi të dytë të konferencës së Gjenevës. 48-vjeçari u shpreh, se as atje nuk dëshiron të shohë separatistë prorusë në tryezën e bisedimeve. Ukraina do të përfaqësohet në Gjenevë vetëm nga ministri i saj i jashtëm, tha ai.

Nuk ka shtyrje të zgjedhjeve

Hapi tjetër vendimtar janë zgjedhjet presidenciale me 25 maj, të cilat duhet të mbahen në të gjitha rajonet e Ukrainës. "Ata, që përpiqen të destabilizojnë situatën në lindje të Ukrainës, kanë vetëm një qëllim: të pengojnë që ne të mbajmë zgjedhjet", tha Poroshenko. Ata, që nuk duhet të mbahen, janë "referendumet fallse" në lindje të vendit, si referendumi i planifikuar për të dielën e ardhshme në Donezk për shkëputjen e rajonit.

Andreas Schockenhoff, ekspert për politikën e jashtme në Unionin Kristiandemokrat (CDU), theksoi pas takimit të tij me Poroshenkon se është "ilegale", që të mbahen referendume të tjera para zgjedhjeve. Ka të dhëna se me 9 dhe 11 maj janë planifikuar "aksione për të krijuar trazira" nën ndikimin e Rusisë, tha Schockenhoff. Ai pret që Rusia të ndalojë të gjitha përpjekjet për të destabilizuar Ukrainën.

Debat në Bundestag

Në parlamentin gjerman Bundestag dy ministra shprehën shqetësimet e tyre lidhur me dhunën në Ukrainë. "Ne jemi në prag të një konfrontimi të ri në kontinentin tonë", tha ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier. Megjithatë ai ishte i sigurtë, se ende nuk ështe tepër vonë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Ende mund të dalë fituese arsyeja. Ai vetë është duke luftuar për të mbledhur një konferencë të dytë të Gjenevës, në të cilën duhet të merrnin pjesë Ukraina dhe Rusia, BE dhe SHBA.

Steinmeier: Ende nuk ështe tepër vonë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Steinmeier: "Ende nuk ështe tepër vonë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës."

Steinmeier theskoi se zgjedhjet në Ukrainë, të planifikuara me 25 maj, duhet të mbahen. Kjo duhet të jetë edhe në interesin e Moskës, sepse pikërisht qeveria ruse dyshon në legjitimitetin e qeverisë provizore të Ukrainës. Përveç kësaj ai bëri thirrje për një dialog kombëtar në Ukrainë, me qëllim që të tejkalohen tensionet. Ai foli edhe për nevojën e reformës kushtetuese dhe për çarmatimin e milicëve. Ndërsa ministri fliste, mbërriti lajmi se Putini kishte hequr dorë nga kundërshtimi i zgjedhjeve. Për herë të parë ai i quajti zgjedhjet presidenciale një "hap në drejtimin e duhur". Kandidati për president Poroshenko e përshëndeti në mbrëmje këtë deklaratë. Por kjo nuk është garanci për stabilizimin e situatës, tha ai për Deutsche Wellen.

Diskutimi për misionin e OSBE-së

Ministri i Jashtëm gjerman kundërshtoi me forcë kritikat ndaj misionit të vëzhguesve ushtarakë të të OSBE-së, nga deputeti i Unionit Kristian Social (CSU), Peter Gauweiler, por edhe nga radhët e opozitës. Kështu politikani i së Majtës Wolfgang Gehrcke tha se dërgimi i vëzhguesve ushtarakë ka vënë në rrezik një mision shumë më të madh e më të rëndësishëm civil, në të cilën marrin pjesë 500 vëzhgues të OSBE-së dhe që është pranuar nga të gjitha palët. Steinmeier theksoi nga ana e tij, se nuk e kupton, pse vlerësimi, që i bëhet punës së vëzhguesve ushtarakë është më i vogël se ai për misionin civil të OSBE-së.

Ministrja e Mbrojtjes von der Leyen pret vëzhguesit ushtarakë të OSBE-së pas kthimit nga Ukraina

Ministrja e Mbrojtjes von der Leyen pret vëzhguesit ushtarakë të OSBE-së pas kthimit nga Ukraina

Grupi shtatë anëtarësh i ushtarëve nën udhëheqjen gjermane ishte para dy javësh në Ukrainën lindore. Në qytetin Donetsk ata u kapën nga separatistët dhe u mbajtën prej tyre një javë. Të shtunën e kaluar ata u liruan. Steinmeier dhe ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU) falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, sidomos të ngarkuarin rus për të drejtat e njeriut Vladimir Lukin, që punonjësit e OSBE mundën të kthehen shëndoshë në shtëpitë e tyre. Von der Leyen theksoi se misionet e vëzhguesve të OSBE-së janë bërë për të krijuar, besim dhe transparencë pikërisht në situata konflikti.

Kritikë ndaj Putinit

Deputetja e partisë ekologjiste (Të Gjelbrit), Marie-Luise Beck, kritikoi ashpër Rusinë. Moska punon për destabilizimin e Ukrainës dhe po fut luftën civile në vendin fqinj. Në të njëjtën kohë në Rusi shoqëria civile po pushon së ekzistuari, sepse presidenti Vladimir Putin e lufton shoqërinë liberale dhe multikulturore. Në vend të kësaj ai kërkon solidaritet me populistët e djathtë nga e gjithë Evropa. Beck theksoi se nuk duhet të pranohet ndarja dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia. Për herë të parë që prej vitit 1945 është aneksuar me përdorimin e forcës nga jashtë një pjesë e një vendi sovran, tha jo.