1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Poroshenko flet për luftë në Ukrainën Lindore

Presidenti i ri i Ukrainës Poroshenko nuk kursehet me fjalët duke deklaruar, se për të Lindja e Ukrainës është në "gjendje lufte". Sërish një grup i vëzhguesve të OSZE-së është në duar të separatistëve.

Në Ukrainën Lindore, sipas presidentit të ri të vendit Petro Poroshenko, sundon lufta. "Operacioni anti-terror ka filluar më në fund seriozisht", tha ai në një intervistë për gazetën "Bild". "Ne do t'i japim fund tmerrit, këtu po zhvillohet një luftë e vërtetë kundër vendit tonë." Ai e sheh si detyrë parësore që ta shpëtojë Ukrainën. Ne ndodhemi në një gjendje lufte, Krimeja u pushtua nga Rusia dhe ka një pasiguri të madhe. Ne duhet të reagojmë."

Objektiv i operacionit të forcave qeveritare në Lindje është në fakt të arrestojnë udhëheqësit e separatistëve dhe t'i nxjerrin ata para drejtësisë. Por e qartë është gjithashtu: "Nëse luftëtarët e armatosur rëndë qëllojnë kundër ushtarëve tanë, atëherë ushtria jonë duhet të mbrohet." Nuk duhet lejuar, që "këta terroristë" të rrëmbejnë dhe të vrasin njerëz, të zenë ndërtesat dhe të shfuqizojnë ligjet, tha Poroshenko. Qeveria në Kiev i quan terroristë separatistët prorusë.

Vendndodhja e vëzhguesve të OSBE-së ende e paqartë

Në lindje të vendit separatistët me sa duket kanë kapur përsëri një ekip me vëzhgues të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE). Katër burra nga Zvicra, Danimarka, Estonia dhe Turqia mbahen nga separatistët, njoftoi ministri danez i Tregtisë, Mogens Jensen. Sipas të dhënave nga OSBE-ja grupi ndodhej rrugës nga Donesku në Luhansk, kur u ndërpre kontakti me ta. Separatistët në Donesk i hodhën poshtë akuzat se punonjësit e OSBE-së ndodhen në duart e tyre. Por ata thanë, se janë të gatshëm të ndihmojnë në kërkimin e tyre.

I ngarkuari special i OSBE-së, Wolfgang Ischinger, tha në emisionin e mëngjesit të kanalit të dytë televiziv gjerman ZDF, se nuk ka dëshmi të reja, se ku mund të ndodhen vëzhguesit. "Ne nuk e dimë saktësisht, se ku ndodhen ata. Sipas gjithë asaj, që mund të supozohet, ata janë në duar të njërit prej grupeve separatiste." Nëse për vëzhguesit e OSBE-së situata vazhdimisht do të jetë kaq e rrezikshme, duhet menduar për tërheqjen e tyre", tha Ischinger.

Ischinger propozon bisedime midis Putinit dhe Poroshenkos

Diplomati sugjeroi gjithashtu që presidenti i ri ukrainas Poroshenko të ftohet në ceremonitë e D-Day në Normandi. 70 vjet pas zbarkimit të forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore, me ftesë të presidentit francez Francois Hollande, aty do të mblidhen disa kryetarë shtetesh dhe qeverish, edhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin. "Poroshenko duhet të ftohet në Normandi, ai duhet të ketë një vend atje, jo vetëm Putini. Ata duhet të flasin atje me njëri-tjetrin, kjo është një mundësi e mirë."

DW.COM