1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ponta fiton - Lufta e pushtetit në Rumani vazhdon

Në zgjedhjet parlamentare në Rumani arriti fitore të qartë partia e kryeministrit Ponta. Presidenti Traian Basescu nuk është aspak për t'u lakmuar. Lufta për pushtet mund të shkallëzojë, druan Robert Schwarz.

Socialdemokrati Victor Ponta fiton zgjedhjet

Socialdemokrati Victor Ponta fiton zgjedhjet

Lidhja social-liberale USL e kryeministrit rumun Victor Ponta ia doli mbanë. Me rreth 57 për qind të votave në parlament, Ponta, ashtu siç kishte paralajmëruar, do të ndryshojë kushtetutën. Direkt apo me partnerë në koalicion, mbetet të shihet. Dhe presidenti Traian Basescu nuk do jetë pastaj aspak për t'u lakmuar.

Në verë USL u përpoq të merrte pushtetin e plotë përmes një procedure të përshpejtuar, të vinte nën vete drejtësinë dhe të rrëzonte presidentin konservator, duke shkelur të gjitha parimet e shtetit ligjor. Por procedura për heqjen e mandatit të presidentit dështoi. BE dhe SHBA e patën kritikuar ashpër sjelljen e social-liberalëve, u fol për raporte të ngjashme me situatë puçi. Socialisti Ponta dhe partnerët e tij liberalë u tërhoqën, përkohësisht. Basescu mbeti në post. Por kjo ishte në verë.

Presidenti Traian Băsescu

Presidenti Traian Băsescu

Tani, pak para Krishtlindjeve, Ponta mori legjitimitetin që i nevojitet për të rrëzuar Basescun nën petkun e rremë të parlamentarizmit demokratik. Ai dhe aleati i tij liberal në koalicion Crin Antonescu, nuk kanë pasur sidoqoftë kurrë ndonjë objektiv tjetër: fushata elektorale e social-liberalëve ishte drejtuar e gjitha kundër kundërshtarëve të urryer. Këto zgjedhje parlamentare ishin një vendim i qartë për ekzistencë. Dhe thirrja për duel erdhi menjëherë pas publikimit të rezultateve: kush merr shpatën në dorë do të humbasë jetën prej saj, citoi Ponta nga libri i shenjtë. Dhe nxorri i parë armën.

Një deklaratë e qartë luftë për presidentin, i cili tani sipas kushtetutës duhet t'i propozojë parlamentit një kandidat për postin e kryeministrit. Mbetet e hapur pyetja se cilin do të propozojë. Që përpara zgjedhjeve Basescu kishte paralajmëruar se në rast fitoreje të USL nuk do të propozonte Pontan. Presidenti e akuzon Pontan se synon të kthejë mbrapa kursin pro-perëndimor të Rumanisë dhe procesin e reformave. Nëse parlamenti refuzon dy propozime të presidentit, duhet të shpallen zgjedhje të reja.

Robert Schwartz komenton

Robert Schwartz komenton

Basescu nën trysni

Nëse Basescu ndryshe nga sa pritet do të propozojë megjithatë Pontan, do të hapte vetë rrugën për heqjen e mandatit të tij. Dhe këtë herë USL do të ketë qartë letrat më të mira. Mbështetja politike për Basescun ka rënë ndjeshëm. Kampi i tij i liberalëve të djathtë, Aleanca "Rumania e drejtë" (ARD) arriti të fitojë vetëm 20 për qind të votave, lidhjes politike të pakicës hungareze (UDMR) po i bëhen ftesa nga social-liberalët, për të pasur të garantuar shumicën prej dy të tretash në parlament. Mbështetje nga zgjedhësit Basescu nuk mund të presë pasi ata e fajësojnë për pasojat e kursit të ashpër të kursimeve të qeverisë së mëparshme, që ai e mbështeste.

Por në lojë është shumë më tepër se e ardhmja politike e Basescut, mandati i dytë dhe i fundit i të cilit përfundon sidoqoftë në 2014. Fjala është për kursin demokratik dhe pro-evropian të Rumaninë. Gjuha e dyfishtë e përdorur nga dyshja në krye të USL-së, Ponta dhe Antonescu, ka frikësuar vazhdimisht partnerët në Berlin, Bruksel dhe Uashington. Është e vështirë të kuptohet përse dy politikanët në shtëpinë e tyre përfshihen vazhdimisht në diskutime anti-perëndimore ndërkohë që në Bruksel, si partnerë seriozë në BE dhe NATO, premtojnë respektimin e rregullave të lojës demokratike.

Nëse do ta bëjnë këtë dhe do të arrijnë një bashkëpunim, "cohabitation", me presidentin, do të shihet të shpejti. Nëse nuk e bëjnë, Rumania nuk do të jetë larg drejt zhvillimeve autoritare, anti-demokratike si në Hungari apo drejt një autokracie të llojit ukrainas.

Robert Schwartz është kryeredaktor i redaksisë rumune të Deutsche Welle-s.