1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Polonia dhe Gjermania duan të bashkëpunojnë më ngushtë

Polonia dhe Gjermania kanë shumë të përbashkëta, por edhe një sërë mosmarrëveshjesh. Gjatë vizitës në Varshavë kancelarja Merkel ra dakord me kryeministren polake Szydlo për një bashkëpunim më të ngushtë.

Gjatë takimit në Varshavë kryeministrja polake Beata Szydlo theksoi "partneritetin e ngushtë" të vendit të saj me Gjermaninë. Ky partneritet është "i rëndësishëm për suksesin e projektit europian", theksoi Szydlo pas takimit me kancelaren Angela Merkel. Szydlo deklaroi, se do ta zgjerojë bashkëpunimin me Berlinin lidhur me çështjet europiane. Si tema ajo veçoi politikën mjaft të diskutueshme të BE-së për migrantët dhe politikën e mbrojtjes. Kancelarja u shpreh për një "numër të madh të përbashkëtash" midis dy vendeve sa i përket politikës për Europën. Por ka edhe dallime në qendrime për çështje të ndryshme.

Angela Merkel i premtoi homologes së saj polake rritjen e mëtejshme të shpenzimeve për mbrojtjen. Ndërkohë Gjermania shpenzon vetëm 1,2% të buxhetit të saj  në këtë fushë. Objektivi i pranuar në NATO parashikon një kuotë prej 2%. Për ta arritur këtë kuotë buxheti i mbrojtjes duhet të rritet me rreth 24 miliard euro në vit. Njëkohësisht kancelarja përshëndeti deklaratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili u shpreh në mbështetje të NATO-s. Deklarimet e fundit të Trump-it, por edhe ato të ministrit të Jashtëm Rex Tillerson dhe atij të Mbrotjjes James Mattis lidhur me aleancën janë "konstatime shumë të rëndësishme", tha Merkel. Së fundi gjatë një telefonate Trump i siguroi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg mbështetjen e tij për aleancën, pasi më parë ai e pati cilësuar NATO-n si "jashtë kohës". Presidenti i SHBA-së kritikon  faktin, që partnerët europianë në aleancë shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen.

Referim lirisë së shtypit 

Kancelarja theksoi edhe rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë dhe të medias duke iu referuar rolit historik të sindikatës së lirë polake Solidarnost. "Solidarnosti ka karakterizuar edhe jetën time", theksoi kancelarja si një ish-qytetare e RDGJ-së (ish-Republika Demokratike e Gjermanisë). Ajo shtoi, se: "nga ajo kohë ne e dimë, se sa i rëndësishëm është pluralizmi në shoqëri."

Qeveria nacionalkonservatore e Polonisë ka kohë që po kritikohet në Europë. Ajo ka vendosur një sërë ligjesh, me të cilat sipas kritikëve, synon t'i ketë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe median publike. Komisioni i BE-së ndërkohë po zhvillon një proces për zbardhjen e shkeljeve eventuale të shtetit ligjor në Poloni. Politikanë gjermanë në prag të kësaj vizite i bënë thirrje kancelares, që të kritikojë shkeljet e qeverisë në Varshavë ndaj demokracisë.

vfb/kle/wl (dpa, afp)