1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pollo: procesi i regjistrimit në Shqipëri po avancon shumë mirë në terren

Genc Pollo, Ministër për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit thotë në intervistë me Deutsche Welle-n se ka ardhur momenti për një qasje konstruktive ndaj procesit të regjistrimit.

Genc Pollo, Ministër për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit Author: Ani Ruci, shot in Tirana, December 2010

Genc Pollo, Ministër për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit

DW: Z. Ministër, ç'mund të na thoni mbi ecurinë e censusit deri tani dhe problemet që keni hasur?

Pollo: Censusi deri ditën e sotme ka vajtur shumë mirë dhe kam besim të plotë se do të vazhdojë kështu deri në përfundimin e tij. Banorët anembanë vendit kanë mirëpritur anketuesit dhe kanë dhënë deklarimet e tyre, duke u shndërruar në aktorë dhe subjekte të këtij procesi madhor të Republikës. Mendoj ngrohtësia e bashkëpunimit të shqipëtarëve me anketuesit ka të bëjë, sa me mikëpritjen tradicionale, aq edhe me një ndjenjë krenarie për të deklaruar atë që njerëzit  janë personalisht dhe familjarisht;  Ky qendrim  po manifestohet qartë dhe këtë e tregojnë edhe raportimet nga INSTAT-it: procesi ka ecur jo vetëm cilësisht mirë, por edhe me shpejtësi më të lartë seç pritej. U numëruan mbi 50% e banesave pa arritur ende  mesin e periudhës së censusit. Dua të them që është vërtetë rasti për tu ndier krenarë me sjelljen e qytetarëve të Republikës dhe banorëve të vendit, si edhe për të falenderuar të tërë veprimtarët e censusit, që nga anketuesit në terren, pushteti vendor, deri te personeli i INSTAT-it, për punën e tyre. Në një proces me 15 mijë anketues që shkojnë shtëpi në shtëpi, në një proces jo të lehtë, padyshim që këtu apo atje mund të dalin edhe vështirësi, por këto kanë qenë të parashikuara, minimale dhe janë trajtuar e zgjidhur nga INSTAT.

DW: Ka akoma organizata që e kritikojnë censusin dhe apelojnë për mospjesëmarrje dhe mosbesim e kanë grisur pyetësorin. Cili është mendimi juaj për këtë fakt?

Pollo: Unë mendoj që bashkëpunimi i plotë dhe jo rallëherë entuziast i popullsisë sonë në këtë proces është dëshmia më e qartë që shoqëria shqiptare sheh përpara, kontribuon pozitivisht në të ardhmen e vet dhe ka besim te institucionet shtetërore. Thirrjet për praktikat e bojkotit apo edhe aktet e dhunës ndaj dokumentave zyrtarë janë përfundimisht sindroma të një të shkuare që ne duhet ta lëmë pas me shpejtësi. Vërtet ka patur debate gjatë 20 muajve të fundit për këtë temë, ka patur edhe qendrime fanatike dhe thirrje ekstreme, por tani që procesi ka filluar dhe po avancon shumë mirë në terren, është momenti që të gjithë, përfshi edhe skeptikët e censusit, të kenë një qasje pozitive dhe konstruktive ndaj procesit. Unë do të apeloja në mënyrë të veçantë tek të gjithë ata që mund të kenë patur sinqerisht ndonjë dyshim mbi këtë proces që të kenë parasysh se faktet që vijnë nga terreni e të dhënat periodike për ecurinë e censusit, opinioni teknik evropian, i dëshmojë këto kritika e dyshime si të pabazuara. Pra është momenti për një qasje konstruktive, është momenti për të nxitur më tej qendrimin pozitiv në këtë proces.

DW: Në ç'raport e shikoni censusin në kuadrin e integrimit të BE-së?

Pollo: Së pari censusi përmbush një nevojë të brendshme të Shqipërisë, por së dyti është bërë me ndihmën teknike dhe mbështetjen financiare të BE-së, për të cilën unë do të kisha një falenderim të veçantë. Gjithashtu do të thoja që përfaqësuesit e EUROSTAT-it më kanë thënë se nisur nga kuadri legjislativ, përgatitjet afatgjata dhe kapaciteti njerëzor, Shqipëria është në mos më e mira, ndër më të mirët, në Ballkanin Perëndimor, për aftësinë për të ndërmarrë një census cilësor dhe modern. Mendoj që të tilla vlerësime janë të rëndësishme për të kuptuar realisht sa kemi arritur dhe për të shkundur nga vetja komplekse tashmë të tejkaluara.

Intervistoi: Amarildo Topi

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM