1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politizim i arsimit në Maqedoni - Pezullim nga puna për mësuesit pa mbështetje partiake

8 Shtator 2009

Që kur pushteti lokal ka marë kompetencat nga pushteti qendror për emërimin e drejtorëve dhe punësimin e mësuesve në shkollat fillore dhe të mesme, kuadri mësimdhënës në shkollat e Maqedonisë është politizuar.

https://p.dw.com/p/JURX
Pamje nga TetovaFotografi: Petar Stojanovski

Me fillimin e vitit të ri shkollor si asnjëherë më parë po flitet për politizimin e skajshëm të kuadrit mësimdhënës. Punonjësit e arsimit të larguar nga puna thonë se në vendet e tyre janë punësuar kuadro partiake. Afër gjashtëdhjetë profesorë u larguan nga puna në Gostivar dhe Tetovë. Ka të larguar nga puna edhe profesorë me mbi 5 vite përvojë pune. Në mesin e të larguarve nga puna janë edhe Lirie Saiti dhe Mirjeta Sulejmani. Që të dyja janë larguar pa asnjë shpjegim. "Unë punoj pesë vite në arsim dhe prisja vendimin nga ana e Ministrisë së Arsimit. Në punë na thonë se nëse është emri juaj është në listën e të larguarve nga puna. Nuk kemi njoftim as gojarisht as me shkrim", rrëfen profesoresha Lirie Saiti. "Në mledhjen e mbajtur më 31 gusht na informuan se nëse jemi në orar jemi në punë nëse jo nuk jemi. Arsye nuk ka, domethënë janë vetëm arsye partiake", ankohet Mirjeta Sulejmani, profesoreshë në gjimnazin e Gostivarit.

Përfaqësuesi i pushtetit lokal: largimet konform ligjit

Për kryetarin e Komunës së Gostivarit Rufi Osmani, këto largime janë konform ligjit dhe me rekomandim të këshillave të shkollës. "Këto ndryshime janë bërë bazuar në kriteriet profesionale, të cilat ne i kemi vlerësuar dhe janë bërë bazuar në rekomandimet e Sindikatës së Arsimit dhe me rekomandimet e Ministrisë së Arsimit dhe të qeverisë së Maqedonisë."

Odise e njëjtë ndodh edhe në shkollën e mesme Ekonomike në Tetovë. Në këtë institucion janë larguar nga puna profesorë pa asnjë arsyetim. "Ditën e premte na merr në celular dejtori dhe na thotë që na rezikohet vendi i punës. Shkaku thotë se i bëjnë presion, kush i bën spresion nuk jep sqarime, vetëm thotë që më bëjnë presion", tregon profesoresha Vlora Sula.


Ministria e Arsimit: Do t'i jepet fund kësaj dukurie të shëmtuar, që politizon arsimin

Nga Ministria e Arsimit kanë paralajmëruar se do të ndërhyet në ato shkolla, ku do të vërtetohet se arsimtarët janë larguar pa arsye nga puna. Ministri i Arsimit Nikolla Todorov thotë se marrëveshja duhet të respektohet. Ai do t'i ftojë në mbledhje kryetarët e komunave dhe do të kërkojë nga ata që urgjentisht të zgjidhin problemin me të larguarit. “Mos të luajnë dhe mos t'i cenojnë interesat e Maqedonisë. T'i kthejnë në punë të gjithë arsimtarët, që i përmbushin kushtet dhe kontratat e të cilëve kanë mbaruar e nuk ua kanë vazhduar”, dekalroi ministri Nikola Todorov.

"Demokracia e Re" ka reaguar ndaj largimeve të fundit në arsim dhe me qëllim të evitimit të situatave të këtilla, kjo parti ka ndërmarrë një iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për arsimin fillor e të mesëm . Sipas DR-së, largimet partiake të profesorëve nga shkollat kanë marrë përmasa shqetësuese dhe i kalojnë parametrat e diferencimeve në kohën e sistemit monist.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora