1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Politikanët gjermanë me pushime në Greqi

Tensionet gjermano-greke janë shtuar në krizën greke. Për të bërë diçka kundër kësaj shumë politikanë duan të kalojnë pushimet e verës në Greqi. Si i presin politikanët gjermanë?

Naxos, Paros, Mykono, nuk ka adhurues të ishujve grekë, që të mos vizitojë këto tre ishuj. Dikur Beate Müller-Gemmeke pyetjes se përse shkon në ishujt Cyklades, do t'i ishte përgjigjur: "Sepse ka diell, rërë dhe det". Kësaj radhe edhe për arsye të tjera, thotë deputetja e të Gjelbërve. "Kur dëgjova, se të ardhurat në sektorin e turizmit kanë rënë 50%, për mua qe e vetëkuptueshme, që të vij në këtë vend."

Solidaritet dhe kurse tangoje

Pamje nga plazhi i Lindosit në ishullin e Rodit.

Pamje nga plazhi i Lindosit në ishullin e Rodit.

Kjo është edhe për deputetin e partisë " E Majta", Richard Pitterle, arsyeja për të shkuar në gusht në Kretë me familjen e tij. Ai thotë se nuk dëshiron vetëm të mbështesë turizmin, që është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për Greqinë. Ai do të bisedojë edhe me njerëzit në ishull dhe t'u tregojë atyre me praninë e tij, "se ne nuk i kemi lënë në baltë."

Natyrisht Richard Pitterle dhe të gjithë politikanët e tjerë duan edhe të çlodhen, të notojnë, të lexojnë një libër, të hanë mirë. Por për të ka edhe një shkak më tepër për të shkuar në Kretë: Ai ka ndërmend, që të mësojë atje tango. Mësuesi i tij i tangos në Shtutgart, jep kurse vallëzimi edhe në Kretë.

Greqia duhet ndihmuar me të holla edhe privatisht

Ndërsa Richard Pitterle nuk është nisur akoma për në pushime në Greqi, Friedlinde Gurr-Hirsch sapo është kthyer nga Hellas. Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të CDU-së në parlamentin e landit Baden-Württemberg ka qenë me familjen e saj të madhe në ishullin e Korfuzit, me bashkëshortin, me tre fëmijët e saj dhe bashkëshortët e tyre dhe me nipat e mbesat. Familja dëshironte të tregonte se nuk ka asnjë arsye, që një gjerman ta shmangë Greqinë si destinacion pushimi. Politikania kristiandemokrate ka përshtypjen se njerëzit në Korfuz ishin disi " të deprimuar". Por ata janë shumë të përzemërt, shërbimi ishte i mirë dhe ne nuk na ka tha njeri, se ju na bëni presion. Gjetëm një miqësi, që nuk ka ndryshuar dhe një profesionalitet të lartë.“

Moti i keq në Gjermani ka zgjuar edhe në familjen e deputetit liberal Erik Schwenkert gjithnjë e më shumë dëshirën për diell dhe det. Ata mendonin të shkonin ose në Turqi, ku vitin e kaluar u ka pëlqyer mjaft, ose në Greqi. Familja Schwenkert ka vendosur që në fund të korrikut të shkojë në ishullin grek Kos. Me këtë, thotë Erik Schwenkert, ai do të hedhë poshtë një akuzë, që e dëgjon shpesh në Gjermani, se politikanët janë në gjendje vetëm të transferojnë paratë e taksave në vende të tjera. Me pushimet e tij në Greqi ai do të dëshmojë, se politikanët e mbështesin Greqinë edhe me paratë e tyre.

"Ne ju mbështesim dhe vijmë me dëshirë këtu"

Ishulli Mykonos vazhdon të tërheqë turistë edhe në kohë krize.

Ishulli Mykonos vazhdon të tërheqë turistë edhe në kohë krize.

Deputetja e parlamentit në Berlin Mechthild Rawert konfrontohet çdo ditë me temën e Greqisë. Ajo ka në staf një punonjëse me origjinë greke. Prandaj politikania socialdemokrate nuk njeh vetëm faktet dhe shifrat mbi krizën, por edhe pasojat direkte për të afërmit dhe miqtë e punonjëses së saj, që jetojnë në ishullin Tasos. Ashtu si vitin e kaluar, Mechthild Rawert edhe këtë tetor do të shkojë me të gjithë punonjësit e saj në këtë ishull grek. Nëse do të hyjë në bisedë me njerëzit atje? "Sigurisht që nuk e kam të shkruar në ballë që "jam politikane gjermane", thotë Mechthild Rawert. Por ajo do të diskutojë patjetër me rrethin e të njohurve të punonjëses së saj. Ajo edhe për ketë arsye shkon në Greqi: E vetmja gjë që na ndihmon të gjithëve, është që të flasim me njëri-tjetrin."

Edhe zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të CDU-së Ingrid Fischbach po bëhet gati për të shkuar me vajzën e saj në ishullin Rodos. "Grekët kanë përjetuar gjëra aq negative", thotë politikania kristiandemokrate. Ajo shpreson se "duke ndihmuar turizmin ne tregojmë edhe se: Ne ju mbështesim ju, ne vijmë me qejf këtu dhe në qoftë se është bukur, do të vijmë përsëri edhe vitin tjetër."