1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanët maqedonas optimistë për emrin e vendit- analistët skeptikë

17 Shtator 2010

Presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë, Ivanov dhe Gruevski gjatë qëndrimit në selinë e OKB-s në Nju Jork do të zhvillojnë edhe takime për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë.

https://p.dw.com/p/PFDr
Matthew Nimitz, ndërmjetësi për emrin e Maqedonisë në një konferencë shtypi
Matthew Nimitz, ndërmjetësi për emrin e Maqedonisë në një konferencë shtypiFotografi: Petr Stojanovski

Takimet e paralajmëruara, që do të zhvillohen në New York midis Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ndërmjetësit të OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimitz si dhe takimi i kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu shpresohet që të japin një rezultat konkret në zgjidhjen e çështjes së emrit para mbajtjes së samitit të NATO-s në Lisbon. Gjithnjë sipas mediave në Maqedoni, Metju Nimitz do t'i prezantojë presidentit Ivanov propozimin e ri për emrin e Maqedonisë.

Për një zgjidhje të balancuar të emrit është shprehur edhe Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun në fillim të sesionit të 65 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai u ka bërë apel palëve negociuese për nevojën për trajtim fleksibël dhe mirëkuptim të ndërsjellë për çështjen e emrit. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruesvski para shkuarjes në New York ka theksuar se takimi eventual me homologun e tij grek Papandreu do të jetë i një rëndësie të veçantë .

“Shpresoj se në periudhën e ardhshme do të ketë përparim në zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë. Ne po bëjmë gjithçka që të ketë përparim, por kjo nuk nënkupton që përparimi të jetë në dëmë të ndonjërës palë në bisedime. Kompromisi për çështjen e emrit duhet të jetë i pranueshëm për qytetarët e Maqedonisë”,

ka deklaruar kryeministri Gruevski.

Autoritetet maqedonase kanë kërkuar që Brukseli së pari të caktojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE e më pas të zgjidhet kontesti me emrin. Kjo kërkesë vështirë se mund të pranohet nga Brukseli kur dihet ndikim i konsiderueshëm i Greqisë në BE , thotë profesori Osman Kadriu.

“ Duke marrë parasysh mënyrën, procedurën e pranimit të anëtarëve të rinj në BE, se ata vendosin gjithmonë me konsensus, është më se e natyrshme, e logjikshme dhe e pritshme që Greqia gjithmonë do ta përdorë çështjen e vetos për pranimin përkatësisht mospranimin e Maqedonisë në BE dhe në strukturat e NATOS” shprehet Osman Kadriu.

Analistët janë skeptikë për përparime për emrin

Analistët politikë duke u bazuar në deklaratat e autoriteteve politike në vend para takimeve të Nju Jorkut perceptojnë se zgjidhje të çështjes së emrit së shpejti nuk do të ketë, meqë Shkupi dhe Athina nuk po heqin dorë nga pozicionet e veta. Sipas politologut, Ivica Josifoviç pala maqedonase ka nevojë për të treguar një fleksibilitet më të madh në zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Është e vërtetë se Maqedonia ka bërë disa lëshime ndaj kërkesave të Greqisë siç është ndryshimi i kushtetutës dhe ndërrimi i flamurit. Por politika e Shkupit duhet të jetë edhe më fleksibile, sepse Maqedonia nuk mund të ketë rol pasiv në negociata, për zgjidhjen e çështjes së emrit më tepër ka nevojë Maqedonia se sa Greqia “ , thotë Ivica Josifoviç.

Analisti politik Bashkim Bakiu vlerëson se qeveria e Gruevskit, edhe pse ka legjitimitetin e plotë për ta zgjidhur çështjen e emrit përpiqet në vazhdimësi t'i shmanget kësaj përgjegjësie.

“Pozicioni i Maqedonisë është pozicion i qëndrimeve, të mbajë një qëndrim se deri këtu mund të ndryshohet apo do ta ndryshojë emrin, kurse nuk sheh pozicionin e interesave. Lidershipi maqedonas duhet të ketë një qasje pak më serioze”, thotë analisti Bashkim Bakiu.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi