1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gewalt Ausländer

Volker Wagener7 Janar 2008

76 vjeçari u ishte lutur dy të rinjve në metronë e Mynihut, të shuanin cigaret. Keqbërësit e shanë burrin dhe e sulmuan atë në mënyrën më brutale në stacionin e fundit.

https://p.dw.com/p/CkIk
Policia publikoi filmimet e bëra nga një kamer në një stacion metroje- Dy të rinj, njëri turk dhe njëri grek keqtrajtojnë një të moshuar
Policia publikoi filmimet e bëra nga një kamer në një stacion metroje- Dy të rinj, njëri turk dhe njëri grek keqtrajtojnë një të moshuarFotografi: AP

Ata janë një 20 vjeçar turk dhe një 17 vjeçar grek. Nuk zgjati shumë dhe kryeministri i landit të Hessenit, Roland Koch, kërkoi ashpërsimin e kodit penal për të rinjtë. Por kërkesa e Koch-ut nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje populiste për hapjen e një teme individuale pak para zgjedhje për parlamentin e landit të Hessenit.

Roland Koch-u e di se si fitohen zgjedhjet. Kryeministri i Hessenit kërkon ta rifitojë postin e tij këtë muaj. Por vlerat e tij në sondazhe po bien. Prandaj konservatori, politikan instinkti, shfrytëzoi populizmin dhe gjeti një temë, me të cilën mund të mblidhen mjaft pikë nëpër pijetore: Kriminaliteti i të rinjve mes të huajve në Gjermani. Tema nuk është vetëm e vjetër, por përveç kësaj edhe vetëm një pjesëz e një problemi më të madh, i cili quhet brutalizim i shoqërisë. Koch-u kishte kërkuar që të rinjtë e huaj, të dhunshëm të dënoheshin më rëndë dhe riatdhesoheshin më shpejt. Fakti që politikani kristiandemokrat e lëshoi mesazhin në kohën e varfër me lajme të ndërrimit të viteve është demaskues.


Vetëm rrallë brenda vitit kalendarik kanë politikanët kushte kaq joshëse si në kohën e krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Në planin e politikës së brendshme opinioni publik dhe ai i publikuar i përket prej ditësh Roland Koch-ut. Deri tani temës dhe zgjidhjes së problemit kjo nuk i ka bërë mirë. Përkundrazi: Të djathtë dhe të majtë bien në tronditje rituale të drejtimeve të ndryshme. Thirrje të zhurmshme bravo për Koch-un nga këndi konservator zëvendësohen prej shprehjesh neverie të liberalëve të majtë, të cilët shohin këtu veprën e ksenofobisë.


E vërtetë është që gatishmëria për dhunë mes të rinjve të huaj dhe atyre me sfond migrimi nuk përputhet në përqindje me pjesën e tyre popullatën e përgjithshme. Ajo është më e lartë. Por, të derivosh prej këtij fakti një problem me të huajt, kjo e prek vetëm përgjysmë problemin. Një vështrim në biografitë e të rinjve të dhunshëm gjermanë - ku mbizotërojnë dukshëm meshkujt - tregon përputhje të qarta me biografitë e keqbërësve nga rrethet e migrantëve.


Të dyja grupet e keqbërësve - gjermanë dhe gjermanë me sfond migrimi - janë socializuar në shkallët më të ulta të shoqërisë. Kushte të paqëdnreushme në shtëpinë e prindërve, ekonomikisht në nivelin e ndihmës sociale ose paksa mbi të, karriera shkollore të ndërprera, papunësi, këto janë zakonisht përvojat në fëmijërinë dhe rininë e kundërvajtësve të rinj. Nuk ka rëndësi nëse quhen Ali, Sergej apo Jürgen. Problemi i dhunës dhe i kriminalitetit në rritje të të rinjve në Gjermani është së pari një problem i shtresave të ulta dhe vetëm së dyti problem të huajsh dhe migrantësh.


Dhuna është një pasojë e biografive të dështuara. Kjo nuk duhet të pakësojë përgjegjësinë individuale të secilit. Por duhet regjistruar fakti që politika gjermane e integrimit ka dështuar në pjesën më të madhe dhe që sistemi ynë arsimor çimenton që në kopsht karriera të shtresave të ulta. Me dënime më të ashpra dhe me riatdhesime këto pika të dobëta nuk zgjidhen. Shembulli i SHBA e vërteton këtë. Burgjet e tejmbushura dhe dënimet drakoniane deri në dënim me vdekje nuk i kanë bërë më sigurta qytetet atje. Përkundrazi.


Dhe edhe një gjë bie në sy negativisht në këtë debat të zhvilluar në mënyrë të pandershme dhe të nisur nga taktika zgjedhore. Kur Roland Koch-u dhe mbështetësit e tij duan vërtet të veprojnë më shpejt dhe më efektshëm kundër 'Aliut që rreh' dhe 'Sergejit që vjedh', përse pikërisht ai, kryeministri i Hessenit, ka shkurtuar gjatë periudhës së vet në detyrë 700 vende në shërbimin policor dhe 80 gjykatës?


Konkluzioni: Disa tema janë tepër serioze, tepër të vjetra dhe tepër komplekse për t'u shtrydhur lëngun në planin e politikës së përditshme dhe asaj partiake. Më e vonëta më 27 janar, ditën e zgjedhjeve në Hessen, problemi do të zhduket nga debati publik. I pazgjidhur.