1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Politika në Kosovë duhet të vendosë shpejt për themelimin e tribunalit

Ramush Haradinaj: Nëse parlamenti i Kosovës nuk e miraton kërkesën për themelimin e Tribunalit për Kosovën, atëherë këtë mund ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Tashmë është vetëm çështje ditësh kur parlamenti i Kosovës, legjislatura aktuale, duhet të votojë vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe po ashtu, krijimin e një tribunali, apo Gjykate Speciale që do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së. Pothuaj shumica e pranisë ndërkombëtare në Kosovë janë shprehur në favor të krijimit të një Gjykate Speciale për Kosovën. Është edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer, i cili për mediat lokale në Prishtinë tha se Kosova nuk duhet frikësuar për hetimet e pretenduara.

Tregues krenarie

“Kosova dhe Bashkimi Evropian janë duke zhvilluar negociata për themelimin e Gjykatës për krimet e luftës. Gatishmëria e Kosovës për të themeluar Gjykatën, do të ishte një tregues i krenarisë, se vendi nuk u frikësohet hetimeve për pretendimet në lidhje me krimet e luftës”, ka thënë Peter Blomeyer.

Debatet për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, filluan qysh pas raportit të senatorit Zviceran Dick Marty dhe hetimet e inicuara nga Këshilli i Evropës nën dyshimet për trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës akoma nuk është shprehur qartë pro ose kundër themelimit të Tribunalit apo Gjykatës Speciale për Kosovën, mirëpo, pranon se kjo çështje po diskutohet me bashkësinë ndërkombëtare.

Thaçi: Kosova ka institucione funksionuese të drejtësisë

Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Kosova ka institucionet funksionale të drejtësisë. “Kosova ka institucionet funksionale të drejtësisë, të vlerësuara dhe të respektuara edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Kjo përvojë ndërkombëtare që e kemi kaluar qe 15 vjet, ka qenë shumë ndihmuese për ne, për t'u ballafaquar me çdo sfidë”, është shprehur shefi i Qeverisë.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, tri ditë më parë në një komunikatë për media tha se “është e rëndësishme që Kosova të tregojë kredibilitetin e saj si partner i bashkësisë ndërkombëtare, përmes një procesi të pavarur gjyqësor dhe të përmbyllë një kapitull të vështirë të historisë së Kosovës”.

“Institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe tha se ky proces do të përqendrohet në individë dhe nuk është gjykim i përpjekjeve të përbashkëta të vendit për çlirim”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Gatishmëri për të bashkëpunuar

Njohësit e çështjeve juridike thonë se krijimi i një Tribunali apo Gjykate Speciale për Kosovën e udhëhequr dhe administruar tërësisht nga bashkësia ndërkombëtare do ta thellojë mosbesimin ndaj institucioneve kosovare të drejtësisë. Dastid Pallaska, avokat njohës i mirë i çështjeve juridike i tha DW-së se:

“Nëse ne jemi në një situatë ku institucionet tona dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare thotë që ne nuk kemi gjykata të afta për të gjykuar këto krime dhe nëse gjykatat tona janë në nivel kaq të ulët, atëherë unë mendojë se keto gjykata duhet të mbyllen dhe në to të mos gjykohet asnjë njëri coftë edhe për krimin me të thjesht dhe me këtë ide rrënohet edhe i gjithë sistemi i drejtësisë. Krijimi i standardeve të tilla i jep të drejtë secilit person që të kërkojë që mos të gjykohet nga gjykatat tona për arsye se po ekziston një nivel kaq i lartë mosbesimi ndaj institucioneve kosovare të drejtësisë edhe nga nivelet më të larta ndërkombëtare dhe vendore”, thotë Dastid Pallaska.

Sidoqoftë, mediat në Prishtinë shkruajnë se institucionet e Kosovës dhe klasa politike kosovare tashmë është para një presioni të bashkësisë ndërkombëtare që ta pranojnë dhe ta votojnë në parlament krijimin e një Tribunali apo Gjykate Speciale që do të gjykonte krimet e pretenduara të UCK-së. Kryesia e kuvendit të Kosovës akoma nuk e ka miratuar kërkesën që parlamenti ta votojë themelimin e Tribunalit apo Gjykatës Speciale. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, duke mos dashur tw paragjykojw asgjë tha se vendimi pwr vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe Gjykata Speciale, duhet të miratohen në Kuvend me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës.