1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika kosovare: Stabilitet dhe qetësi në prag të pavarësisë

Bekim Shehu8 Shkurt 2008

Udhëheqësit politikë kosovarë duan bashkëpunimin qytetar në prag të zgjidhjes së statusit. Shteti i ri i Kosovës duhet të dëshmojë se është i gatshëm të jetë pjesë e familjes së vendeve të lira.

https://p.dw.com/p/D4Up
Fotografi: AP

Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore, thanë se do të punojnë dhe bashkëpunojnë me të gjitha forcat që në Kosovë të ruhet paqja dhe stabiliteti në këtë fazë të ndjeshme të zgjidhjes së statusit. Ky qëndrim u shpeh pas disa takimeve që shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, zhvilloi me udhëheqësit kryesorë të instiucioneve të Kosovës. Udhëheqësit kosovar, thanë se stabiliteti dhe qetësia e përgjithshme e vendit janë faktorë jetikë. Shteti i ri i Kosovës do të dëshmojë se është i gatshëm të jetë pjesë e familjes së vendeve të lira. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, thotë se Kosova tashmë është në prag të shpalljes së pavarësisë dhe njohja e saj ndërkombëtare sipas tij, do të jetë e gjithanshme.

Shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, nga ana e tij kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut. Sfidat do të jenë të mëdha, megjithatë do të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin në ditët dhe javët e ardhshme, tha Ryker.

"UNMIK-u së bashku me institucionet e Kosovës përfshirë në këtë mes forcat paqerujatëse policinë ndërkombëtare dhe SHPK-në, besoj se do të jenë në gjendje të përballen me këto sfida", beson kryeadministratori.

Udhëheqësit politikë kosovarë dhe krerët e pranisë ndërkombëtare u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të matur në veprimet e tyre dhe me mençuri dhe qetësi të kalojnë këtë fazë përfundimtare të zgjidhjes së statusit. Forcat paqeruajtëse tashmë kanë hartuar një plan sigurie që do të përfshijë të gjitha rajonet e vendit, por për të pasur sukses ata kërkojnë bashkëpunimin e ngushtë edhe te qytetarëve.