1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Politika injoruese për shtresat në nevojë po hakmerret në periferitë e Parisit

Shtypi gjerman trajton sot trazirat e fundit në periferinë e Parisit si dhe konferencën ndërkombëtare për paqen në Lindjen e Afërme.

default

Trazira të reja në periferitë e Parisit

Gazeta "Tageszeitung" e Berlinit fajëson politikën franceze që injoron kërkesat e shtresave në nevojë të shoqërisë për brutalitetin në periferitë e Parisit: "Si ministër i brendshëm Nicolas Sarkozy premtoi se do të zhdukte "plehrat e shoqërisë". Por si president duket se ka të tjera prioritete se sa të shqetësohet për zonat problematike të republikës. Sapo nisi punën në postin e presidentit gjëja e parë që bëri ishte ulja e taksave për ata me të ardhura më të larta, kufizimi i së drejtës së grevës, shtimi i viteeve të punës përpara pensionit dhe rritja e kontributit për sigurimin shëndetësor. Kjo politikë e cila i kthen krahët shtresave në nevojë të vendit po hakmerret tani në Villiers-le-Bel dhe në komunat fqinje. Atje tërbimi ndaj situatës pa rrugëdalje shkarkohet me brutalitet edhe më të madhe se dy vjet më parë."

Mbi të njëjtën temë "Braunschweiger Zeitung" komenton: "Nga njëra anë qëndrojnë thirrjet përjetësisht të njëjta të politikanëve, ritualet rutinë të keqardhjes dhe paniku i shtirë. Nga ana tjetër është dëshira për trazira dhe shkatërrim e shumë të rinjve. Do të ishte naive t'ua hidhje gjithë fajin politikanëve dhe situatës. Si mund të thyhet ky rreth vicioz? Përgjigje nuk ka. Mund të bëhen vetëm përpjekje për të ecur përpara me hapa të vegjël. Ndoshta këto netë të zymta e të dhunshme bëhen shkas për një ndryshim në të menduar në vendin e të drejtave të njeriut."

Së fundi për të njëjtën temë citojmë nga "Fränkischer Tag: "Presidenti Sarkozy nuk lodhet së përsërituri se njerëzit në zonat e ndjeshme, siç quhen me përçmim lagjet e të varfërve, janë plehra të shoqërisë. Që prej marrjes së detyrës së presidentit ai ka shmangur vizitën në periferitë e mjeruara. Dhe politika e ngurtë ndaj të huajve e presidentit që kërkon prej imigrantëve një test gjenetik për të vërtetuar përkatësinë familjare e plotëson qëndrimin e tij. Nuk është pra për t'u habitur që banorët e periferisë zhvillojnë një aversion ndaj çdo lloj formë autoriteti: presidenti, shteti, policia, të gjithë janë simbole të armikut ndaj të cilave kanë shpallur luftë."

Të martën nisi punimet në Annapolis të SHBA konferenca ndërkombëtare për paqe në Lindjen e Afërme. Objektivi i samitit ku marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se 50 vende është rifillimi i negociatave direkte mes Izraelit dhe palestinezëve.

"Ostthüringer Zeitung" vlerëson pozitivisht pjesëmarrjen për herë të parë në një tryezë të përbashkët bisedimesht të shumë fqinjëve arabë të palëve në konflikt. Citojmë: "është shpresëdhënës fakti që për herë të parë në këtë takim të nivelit të lartë izraelitët dhe palestinezët ulen në tryezë jo vetëm me ndërmjetësit por edhe me fqinjët arabë si p.sh. Sirinë. Nëse është e mundur një zgjidhje e konfliktit në Lindjen e Afërme atëherë ajo mund të arrihet nëse shtetet fqinje bashkëpunojnë vërtet për një zgjidhje paqësore. është meritë e qeverisë Bush dhe ndërmjetësve të tjerë që për herë të parë e kanë ngritur këtë realitet në nivelin më të lartë. Por një garanci për sukses nuk ka."

Ndërsa "Eßlinger Zeitung" sheh të rrezikuar një marrëveshje eventuale në Annapolis nga roli i organizatës radikale islamike Hamas që redukton autoritetin e presidentit të palestinezëve Abbas. Citojmë:"Bisedimet e ardhshme për paqe ka rrezik të minohen nga Hamasi nëse presidenti i palestinezëve Mahmud Abbas nuk ia del mbanë të rifitojë autoritet në Gaza. Situata në Lindjen e Afërme është aktualisht më e keqe se kurrë. Por ajo mund të përmirësohet vetëm atëherë kur dokumenti përfundimtar i konferencës në Annapolis të mos mbetet vetëm simbolik."

  • Data 28.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CTud
  • Data 28.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CTud