1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Politika gjermane ndaj Afrikës: Kërkim i një strategjie

Qeveria gjermane do ta shfrytëzojë Presidencën e saj të G-20-ës për të mobilizuar më shumë ndihmë për Afrikën. Por një strategji të përbashkët ajo ende nuk ka - dhe koha nuk pret.

Ministri i Zhvillimit Müller në Kenia

Ministri i Zhvillimit Müller në Kenia

Gerd Müller-i e ka me ngut. Ministri i Zhvillimit është i ftuar në Berlin në African Economic Forum, një konferencë e shoqatës së sipërmarrësve "Shoqata e Afrikës" dhe e Fondacionit Westerwelle. Ai është shumë i gëzuar që viti 2017 është viti i Afrikës, thotë Müller. "Kemi mbështetje të gjerë të ministrit gjerman të Financave dhe të ministres së Ekonomisë. Pas aktivitetit, ai do të shkojë te ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel, tregon Müller. "Ne duam t'ia afrojmë atij Afrikën edhe më shumë, por ai është i hapur dhe na mbështet në të gjithë hapësirën."

Qeveria gjermane do ta mbështesë Presidencën e G-20-ës për të mobilizuar më shumë burime për Afrikën. Ministri të ndryshme kanë paraqitur koncepte dhe punojnë për to. Ministri i Zhvillimit, Müller paraqiti në janar "Planin Marshall për Afrikën". Ministria e Financave po zhvillon me shtete të tjera të G-20-ës të ashtuquajturin "Compact with Africa". Dhjetorin e kaluar, ministritë e Zhvillimit dhe të Ekonomisë zhvilluan një dokument të përbashkët strategjik për më shumë tregti dhe investime në Afrikë.

Koordinime të vështira për një strategji të përbashkët

Angazhimi i ri për Afrikën i qeverisë gjermane është një "gjë e shkëlqyer", thotë Helmut Asche, Profesor i Afrikanistikës në Universitetet e Mainz-it dhe të Leipzig-ut. "Por nuk është sekret që koordinimi i dikastereve për këto dy iniciativa, i thënë butë, mund të kishte qenë më i mirë. Kjo nuk është e panjohur as për partnerët afrikanë." Megjithatë kjo shihet gjithnjë e më shumë në këtë mënyrë edhe në ministritë e ndryshme.

Sepse një koncept i përbashkët i qeverisë gjermane për Presidencën e G-20-ës ende nuk ekziston. Edhe për planin Marshall dhe për "Compact with Africa" ka shumë pyetje të hapura. Si për shembull, sa para shtesë mund të mobilizohen me të dyja konceptet. Në komunikatën përfundimtare të takimeve të ministrave të Financës të G-20-ës gjen vetëm 15 rreshta të varfër për Compact. Por në qershor në Berlin do të zhvillohet konferenca e G-20-ës. Në korrik pason në Hamburg takimi i nivelit të lartë të shefave të shteteve dhe të qeverive. Pastaj nis fushata elektorale. Pas zgjedhjes në shtator do të zhvillohen fillimisht negociata për koalicionin qeveritar.

Ekonomia ka dëshira konkrete

Edhe përfaqësues të ekonomisë e vështrojnë angazhimin e Afrikës të qeverisë gjermane me vëmendje të madhe. Sepse më shumë investime private për Afrikën luajnë një rol kyç në koncepte. Përmes shtimit të investimeve të huaja në Afrikë dhe shtimit të projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit për zhvillimin dhe të ekonomisë kushtet e jetesës në Afrikë do të përmirësohen.

Ekonomia shpreson se me mbështetjen e krahëve nga politika, do të ketë kushte më të mira tregu në Afrikë. Sipërmarrjeve gjermane u duhet prej vitesh të luftojnë për të mos mbetur pas në Afrikë. Porosi fitimprurëse për projekte të mëdha shpesh fitohen nga firma kineze. Ndaj sipërmarrësit shpresojnë që angazhimi për Afrikën të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve.