1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Politika gjermane diskuton për falimentimin e Greqisë

Dyshimet mbi aftësinë e Athinës për të përmbushur kushtet për ndihmat e mëtejshme janë forcuar së fundmi. Në Gjermani diskutohet tani hapur për opsionin e një falimentimi të administruar të shtetit grek.

Monedhë greke: një euro

Monedhë greke: një euro

Tabuja tashmë është thyer: deri tani brenda koalicionit qeverisës konservatoro-liberal në Gjermani vlente nje linjë e vetme. Një falimentim shtetëror i Greqisë do të ishte i pamenaxhueshëm. Tani ministri gjerman i Ekonomisë dhe kryetari i liberalëve (FDP), Philip Rösler, kërkon një plan B. Kjo do të thotë: në rast nevoje, një falimentim i administruar i Greqisë. "Për të stabilizuar euron nuk mund të ketë më mendime të ndaluara. Këtu bën pjesë si pasojë e fundit edhe një falimentim i administruar, nëse dhe sapo të jenë në dispozicion instrumentet e nevojshme.“

Opsioni i falimentimit nuk është më tabu

Kryetari i Partisë Liberale (FDP) Philip Rösler

Kryetari i Partisë Liberale (FDP) Philip Rösler

Këta duhet të garantojnë që shteti të jetë në gjendje të funksionojë edhe më tej. Rösler është për një instancë të pavarur, ndërkombëtare, e cila do të garantonte rimëkëmjen e ekonomisë së zhytur në borxhe. Në këmbim, u shpreh Rösler në një artikull në gazetë, shtetet e falimentuara duhet të dorëzojnë eventualisht të drejtat e tyre të sovranitetit.

Era ka ndryshuar drejtim. Pasi edhe Partia Kristiansociale bavareze është pozicionuar: Nëse Athina nuk është në gjendje ose nuk ka vullnetin të shlyejë borxhet e saj, duhet menduar për lejimin e një falimentimi të shtetit grek.

Trojka vendos për vazhdimin e ndihmës për Greqinë

Të hënën (12.9.) kancelarja Merkel dha një deklaratë përmes zëdhënësit të saj: tani varet nga kontrollorët e vendeve të euros, të së ashtuquajturës Trojka, nëse në shtator do të jepet drita e gjelbër për këstin e ardhshëm të kredisë për Greqinë. Nëse Athina nuk i përmbush kushtet, atëherë nuk do të paguhet asgjë. Por qeveria gjermane nuk pranon të spekulojë mbi pasojat në një rast të tillë.

Një falimentim i administruar i Greqisë - mesa duket kjo ide nuk është më tabu as në Ministrinë gjermane të Financave. Ministri i Financave Wolfgang Schäuble (CDU) ka porositur hartimin e skenarëve të mundshëm në rastin e një falimentimi të Greqisë. Qeveria duhet të jetë e pregatitur për të gjitha mundësitë në periudhë afatgjatë, u deklarua nga zëdhënësit e ministrit të Financave.

Ç'pasoja do të kishte falimentimi?

Por disa politikanë kristiandemokratë janë të zemëruar me faktin që liberalët dhe kristiansocialët flasin tashmë hapur dhe publikisht për një falimentim shtetëror të Greqisë. Drejtuesi i punës së grupit parlamentar të Partisë Kristiandemokrate, Peter Altmeier tërheq vëmendjen: një falimentim i Greqisë nuk mund të shtrohet për diskutim përballë nervozitetit aktual në tregjet e kapitalit. "Në rast të një falimentimi kostot do të rëndonin edhe mbi taksapaguesit, mbi fondin evropian. Për këtë arsye unë them: duhet të mendohemi mirë, se ku përfundon rruga e nisur."

Marrëveshjet për euron nuk parashikojnë dëbimin nga eurozona

Dhe kancelarja rikujton përmes zëdhënësit të saj: marrëveshjet e përbashkëta për euron nuk parashikojnë as një dalje të vullnetshme dhe as një dëbim nga eurozona. Edhe nëse krerët e qeverive do ta hapnin këtë rrugë, tek vendet e eurozonës dhe tek tregjet financiare mbetet frika e madhe ndaj një efekti domino.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (SPD) Sigmar Gabriel

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (SPD) Sigmar Gabriel

Këto shqetësime i shpreh edhe opozita. Kryetari i socialdemokratëve gjermanë Sigmar Gabriel, nuk mendon se dalja e Greqisë nga eurozona, do të zgjidhte të gjitha problemet: "Edhe nëse Greqia do të dilte nga eurozona, problemet nuk do të merrnin fund. Përkundrazi në këtë rast tregjet financiare do të testonin: si është puna me Irlandën, me Portugalinë, me Spanjën? Dhe dikur edhe me Italinë. Kështu së shpejti euro do të mbetej në kufirin gjermano-francez.”

Por në kampin qeveritar, kritikët e ndihmave të mëtejshme për Greqinë ushtrojnë presion tek kancelarja. Ndërkohë që Franca miratoi pa probleme shtimin e fondit të ndihmës për shtetet me borxhe të larta, kancelarja Merkel nuk është e sigurt, nëse do të ketë shumicën në kampin e saj, kur të merret vendimi në fund të shtatorit.

Autor: Doris Krannich / E. Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM