1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Politika e Uashingtonit në udhëkryq

Edhe nëse SHBA-ja do ta shmangë ose jo "fiscal cliff" në fund të këtij viti, një gjë është thuajse e qartë: Në procesin qeverisës thellësisht jofunksional të Uashingtonit, kompromisi është një slogan.

Protesta mediatike, me tituj kryesorë mosbesues se ka ende "shpresë" pas të gjithë kësaj, dhe mburrja e tregjeve aziatike të aksioneve pas lajmit se qeveria e SHBA-së nuk ka hequr ende dorë nga përpjekja për të parandaluar vendin që të shkojë drejt një spiraleje të një recesioni të vetëkrijuar, thjesht tregon se sa të ulëta janë pritshmëritë e Uashingtonit për të përmbushur edhe detyrat më urgjente.

E gjitha ajo që shkaktoi këtë "valë" gëzimi para pushimeve ishte se presidenti demokrat Barack Obama dhe lideri i shumicës së Republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, nuk i kanë përfunduar bisedimet rreth marrëvëshjes së "fiscal cliff" (kombinim i rritjes së taksave dhe ulje drastike shpenzimesh) brenda pak minutash pasi i nisën ato, por kanë arritur që ta mbajnë ende të hapur dialogun për disa ditë me radhë.

Thjesht ky fakt, që Obama dhe Boehner janë ende në bisedime dhe kanë dhënë sinjalet për lëshime, meriton këto ditë festime nga ekspertët dhe tregjet. Nuk ka rëndësi se zgjidhja e vërtetë do të zgjasë. Por duhet të sigurohemi se ajo do të arrihet dhe se detajet e rëndësishme do të arrihen në vitin e ardhshëm.

Recesioni kanosës

Pjesa më e madhe ndodhet në rrezik. Zyra Buxhetore e Kongresit (CBO) vlerësoi në fillim të këtij viti se dështimi për shmangjen e "fiscal cliff", domethënë dyfishimin e rritjes së taksave dhe shkurtime masive të shpenzimeve, i cili do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2013, do të reduktonte buxhetin e SHBA-së me 607 miliardë dollarë, ose 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Si rezultat, CBO parashikon se SHBA-ja ndoshta do të kalojë sërish në recesion në vitin 2013.

Rruga drejt "fiscal cliff" është e gjatë dhe nisi nga Kongresi në vitin 2010 me zgjerimin e shkurtimit të përkohshëm të taksave nga administrata e Bushit dhe kaloi në shkurtime automatike buxheti në vitin 2011. Pa legjislacionin e ri, shkurtimi i taksave në periudhën e Bush do të skadojë në të njëjtën kohë, kur do të hyjë në fuqi buxheti në 1 janar 2013. "Nëse amerikanët janë gati të `hidhen´ nga ´fiscal cliff´, kjo për faktin se Kongresi ka qenë tërësisht jonfunksional në 2-4 vitet e fundit, në termat e një funksionimi thelbësor, i cili duhet për të bërë buxhetin," tha për DW Vincent Michelot, ekspert për SHBA-të në universitetin e Lionit. "As Komiteti Suprem apo ndonjë Komision tjetër nuk ishin në gjendje ta zgjidhnin krizën e defiçitit buxhetor dhe si rezultat ne kemi ultimatumin e 31 dhjetorit."

US Kongress Washington DC, Präsident Obama

Salla plenare, Kongresi i SHBA-së

Frikë nga kompromisi

Me fjalë të tjera, "fiscal cliff" është ajo çka ndodh kur Kongresi, i paaftë për të arritur një marrëveshje rreth faturave të ndryshme financiare, i ngjesh ato bashkë dhe bën një lëmsh të madh, dhe më pas e gjuan këtë top sa më larg që të jetë e mundur.

Natyrshëm që kjo çon drejt pyetjes se përse është kaq e vështirë për Kongresin që të arrijë një marrëveshje domethënëse, e të dalë mbi "fiscal cliff", reformën e Wall Street, reformën e kujdesit shëndetësor, reformën e emigracionit ose thjesht që të kalojë buxhetin. "Problemi i vërtetë tek negociatat për ´fiscal cliff´ është për të dyja palët, por veçanërisht për Republikanët këto ditë," thotë për DW Gregory Koger, lektor ligjesh në universitetin e Majamit. Zgjedhjet e muajve të fundit nuk ndryshuan asgjë në mënyrën e të menduarit mes grupit më të rëndësishëm të ligjbërësve për të çuar përpara legjislacionin kyç: Republikanët e Dhomës. Për të qenë i sinqertë, Partia Republikane u mund në nivel presidencial dhe senatorial. Por Dhoma e Përfaqësuesve prezanton një panoramë krejt ndryshe. Republikanët e Dhomës fituan zgjedhjet e 2012-ës, shumë prej tyre me diferencë të madhe.

Prova e radhës

Të votosh për kompromis me Demokratët, për shumë nga Republikanët e Dhomës do të përkthehej fjalë për fjalë si "lëvizja e fundit e karrierës." Ja përse kompromisi në politikën e Uashingtonit është bërë një fjalë slogan. Për më tepër, teksa Partia Republikane kombëtare ka nisur të mendojë rreth qëndrimit të saj mbi emigracionin dhe grupeve të ndryshme të zgjedhësve pas humbjes së zgjedhjeve të fundit, kjo nuk ka ndodhur ende me çështjet ekonomike. "Nuk ka asnjë keqardhje rreth platformës ekonomike të Partisë Republikane," thotë Michelot. "Në këtë pikë qëndrimi nuk ka ndryshuar aspak."

Kështuqë edhe nëse do të arrihet kompromisi rreth "fiscal cliff" e më pas të duartrokitet si mrekullia e pushimeve të sezonit, logjika e politikës së Uashingtonit nuk ka ndryshuar. Kompromisi nuk paguhet. Prova më e madhe e radhës është shkruar tashmë në mur: legjislacioni i kontrollit të armëve.