1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Politika e qeverisë Obama për Evropën Lindore dhe Rusinë

Intervistë me John Sitilides, kryetar i bordit të këshilltarëve për Evropën Juglindore, në Woodrow Wilson Center.

Obama para hartës së Evropës Lindore - fotomontazh

DW: Po mbushet një vit që nga dita kur Barak Obama ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. A shikoni ndryshime në politikën e jashtme kundrejt Evropës Lindore dhe nëse po, cilat janë ato?

John Sitilides: Disa shtete aleate, sidomos aleatë të rinj, shikojnë se kjo administratë është pa respekt kundrejt tyre krahasuar me administratën e Bushit. Disa shtete, si Republika Çeke dhe Polonia, kaluan nëpër një proces të vështirë vendimmarrjeje për të pranuar vendimin e NATO-s për sistemin e mbrojtjes nga raketat. Marrja e vendimit të tërheqjes së këtyre sistemeve nuk ishte problemi më i vështirë, më problematike ishte mënyra, se si u realizua ajo. Një natë përpara se Shtëpia e Bardhë të bënte publike vendime të rëndësishme, zyrtarë të nivelit të mesëm të administratës Obama kanë telefonuar shtetet aleate. Por kjo nuk është mënyra e duhur për trajtimin me respekt të vendeve aleate.

DW : Dhe është vepruar me të vërtetë kështu?

John Sitilides: Është vepruar ekzaktësisht kështu. Dikush mund të argumentojë se ka një bllok të madh votuesish në Poloni dhe në Republikën Çeke, të cilët janë të kënaqur me vendimin, por thelbi qëndron në faktin se ne kemi të bëjmë me marrëdhënie diplomatike me qeveritë dhe disa prej këtyre e kanë vlerësuar mënyrën, sesi është komunikuar vendimi si shenjë mosrespekti. Duhet theksuar se shumica e këtyre vendeve kanë mbështetur politikën amerikane, sidomos në politikën për luftën kundër terrorizmit.

DW : A mendoni se fokusi i politikës amerikane kundrejt Evropës Lindore po zhvendoset në drejtim të partneritetit me Rusinë?

John Sitilides: Unë mendoj se SHBA po kërkon të ketë aleatë bilateralë për disa çështje, por unë mendoj se në kuadrin strategjik është logjike që ne duhet të bashkëveprojmë me rusët, pasi Rusia është fuqia territoriale në kontinentin evropian. Rusët kanë më shumë influencë, nga sa presidenti Bush ishte gati t'u atribuonte, por kjo gjë duket se po ndodh sot. Nëse do të jetë e suksesshme, pritet të shihet. Nëse presidenti Obama do të shtanget nga ndonjë vendim i Rusisë ndaj Iranit, apo Afganistanit, apo në rajonin e Azisë Qendrore, që do ta surprizonte atë, kjo ende mbetet të shihet, por fakt është që Obama po përpiqet ta angazhojë Rusinë. Ne nuk e dimë akoma, nëse nga ana strategjike kjo ka kosto për sigurinë evropiane. Unë mendoj se evropianët janë shumë të shqetësuar të dinë, se çfarë do të thonë këto marrëdhënie dhe unë mendoj, se ka hapësirë për rikonfigurim të ekuilibrave, d.m.th. që ne ta respektojmë Rusinë si fuqi të madhe. Ajo do të jetë e tillë edhe për shumë vite, por është fakt gjithashtu që edhe ndaj vendeve tona aleate ne kemi detyrime ligjore dhe morale për sigurinë e tyre kombëtare. Tani, për të qenë të drejtë, dikush mund të thotë se Presidenti Obama po punon për marrëdhënie me Rusinë, që mund të sjellin një rezultat të rëndësishëm të paktën në Afganistan, apo Iran, por që mund të jetë me kosto në kurriz të aleatëve tanë më të rinj në NATO.

DW : A mund të llogarisin vendet e Evropës Lindore gjithnjë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara?

John Sitilides: Unë mendoj se Uashingtoni diplomatik dhe administrata e Obamës mbeten tërësisht të angazhuar për sigurinë e të gjithë Evropës dhe në rradhë të parë të atyre vendeve, që janë në NATO. Por është e rëndësishme politikisht dhe simbolikisht, që ky angazhim të manifestohet më qartë. Kështu nëse ka zyrtarë polakë apo të vendeve të tjera të ish-bllokut evropiano-lindor, që publikisht i luten SHBA-së të shprehet më hapur për këtë mbështetje, kjo tregon se diçka nuk është në rregull. Këto qeveri nuk arrijnë ta bindin publikun e tyre për sigurinë, që i ofrojnë Shtetet e Bashkuara, edhe pse në nivel diplomatik një gjë e tillë është e përcaktuar qartë. Në botën e politikës, ku perceptimi është realiteti, më e rëndësishmja është: që Shtëpia e Bardhë duhet të jetë pak më e vëmendshme. Përveç konfirmimeve personalisht dhe të gjitha marrëveshjeve që ne kemi, duhet që edhe publiku i vendeve përkatëse të jetë i qartë për sigurinë, që ka në rast krizash eventuale, qoftë si rezultat i zhvillimeve të reja në Rusi, apo zhvillime të tjera, që mund të jenë të rrezikshme në zonën euro-aziatike. Detyrimi i parë, që ne kemi, është që të tregojmë qartë se duke qenë anëtar i NATO-s secili vend ka të sigurtë mbrojtjen nga ana e Shteteve të Bashkuara duke u qëndruar atyre krah për krah. Asnjë vend anëtar i NATO-s nuk duhet të ndihet i kërcënuar nga një vend tjetër jashtë NATO-s.

DW: Ngjarjet në Gjeorgji treguan se vendet e Evropës Lindore u frikësuan shumë për sigurinë e tyre.

Ushtarë gjeorgjianë pranë Gorit, Gjeorgji. 13 Gusht 2008.

Lufta e Gjeorgjisë ngjalli frikë në Evropën Lindore

John Sitilides: Po edhe jo. Mendoj se ngjarjet në Gjeorgji u interpretuan jo drejt edhe nga mediat, që i mbuluan ato. Gjeorgjianët duhet ta pranojnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë në ndezjen e ngjarjeve. Për ata, që simpatizonin Rusinë këto veprime e detyruan Rusinë të reagojë dhe veprojë, kurse për ata, që nuk e simpatizojnë Rusinë, ky ishte një pretekst për të ndërhyrë në një territor sovran. Dhe tani Rusia po aplikon një strategji të Kosovës në Osetinë e Jugut dhe Abkazi. Por është gabim të thuash se ngjarjet në Gjeorgji kanë ndikim në angazhimet e SHBA-së kundrejt aleatëve të rinj të NATO-s. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, kur atje kishte krizë. Ukraina është një vend i ndarë fort dhe nisur nga përplasjet e civilizimeve është një vend i përçarë midis katolikëve në perëndim të vendit me tendenca proevropiane dhe atyre ortodoksë në lindje proruse. Gjeorgjia dhe Ukraina duhet të inkurajohen të lëvizin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit të mundshëm në NATO si dhe në Bashkimin Evropian, gjë që duhet të ndodhë në dekadat, që vijnë. Por ajo, që ndodh aktualisht në këto vende, nuk ka ndikim në sigurinë e vendeve, të cilat janë aktualisht në aleancën e NATO-s dhe të atyre, që janë në procesin e anëtarësimit. Ne nuk mund të mendojmë që vende anëtare të NATO-s të bëjnë veprime të pamenduara, që do t'i jepnin Rusisë ndonjë pretekst për të reaguar ushtarakisht, ose edhe më tej. Unë mendoj që kjo është një çështje e ndarë. Një çështje e hapur, ndaj së cilës SHBA-ja nuk ka influencë, është mbështetja që Bashkimi Evropian duhet t'u japë vendeve të tij anëtare, kur ato kërcënohen nga Rusia në aspektin ekonomik, siç është p.sh. rasti në fushën e energjisë. Shtetet e Bashkuara duhet që si privatisht, por edhe publikisht të bëjnë shumë të qartë, se siguria e aleatëve tonë është e garantuar.

Autor: Sonja Kanikova / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 10.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPMv
  • Data 10.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPMv