1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Politika e jashtme e qeverisë së re gjermane

Edhe pse kancelarja Merkel e fillon detyrën e re me një vizitë në Paris e shoqëruar nga MPJ Steinmeier në politikën e jashtme gjermane do të ketë disa ndryshime. Ndër vendet e para në listën e prioriteteve Ukraina.

Pas deklaratës qeveritare në parlament në lidhje me Evropën, kancelarja Angela Merkel e zhvilloi vizitën e saj të parë pas mandatit të ri si kancelare e Gjermanisë tek presidenti francez François Hollande në Paris. Kjo gjë është bërë traditë në mes të dy partnerëve kryesorë evropianë. Vizitën e tretë në Paris Angela Merkel e zhvilloi e shoqëruar nga ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier (SPD).

Edhe pse duket se në fushën e politikës së jashtme qeveria e re do të vazhdojë politikën e deritanishme, kjo përshtypje të gënjen. Ekspertët janë të sigurtë se qeveria e re e përbërë nga CDU/CSU dhe SPD do të përballet gjatë katër viteve të ardhshme me sfida të reja përtej Evropës. Gjermania synon të luajë një rol më të rëndësishëm ndërkombëtar.

Angela Merkel dhe Frank-Walter Steinmeier

Angela Merkel dhe Frank-Walter Steinmeier

"Soft power" dhe qëndrimi ushtarak i përmbajtur

Revista britanike «Monocle» e klasifikoi Gjermaninë si «soft power» më i rëndësishëm në botë për vitin 2014. Gjermania - një fuqi e butë? Një shtet me ndikim nëpërmjet sukseseve të veta, me diplomaci të mençur dhe para? Dhe jo nga kërcënimet ose përdorimi i ushtarëve? Shumëkujt në Berlin i pëlqen ky kompliment - veçanërisht kur për shkak të krizës së euros dhe qëndrimit gjerman ndaj Gjermanisë u ringjallën disa paragjykime të vjetra.

Por dekani i School of Governance - një nga qendrat kërkimore në Berlin - Helmut Anheier mendon se titulli "fuqi e butë" është lavdërim i helmuar: "Në sytë e partnerëve tanë perëndimorë ky është vetëm eufemizëm që ne në politikën e sigurisë sillemi ndryshe nga të tjerët kurse në politikën ekonomike si ai që merr qershitë nga torta. Fuqia jonë e butë mund të shkëlqejë vetëm për shkak se të tjerët bëjnë punët e ulëta dhe të vështira."

Ndikimi i Gjermanisë do të rritet

Deutschland China Politikwissenschaftler Eberhard Sandschneider

Eberhard Sandschneider

Dhe në fakt deri tani kështu ka qenë. Gjermania ka qëndruar në konflikte të tilla si në Libi apo Siri në rreshtin e dytë. Merkel, Steinmeier dhe ministrja e re e Mbrojtjes Ursula von der Leyen nuk duan të ndryshojnë ndonjë gjë në "kulturën e qëndrimit ushtarak të përmbajtur", aq më tepër që edhe në vende të tjera ka skepticizëm në lidhje me suksesin e përdorimit të armëve. Por në rast se edhe të tjerët do të kenë mëdyshje, rriten kërkesat ndaj Gjermanisë. Franca po kërkon më shumë para për operacionet e saj ushtarake në Afrikë.

Drejtori i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme, Eberhard Sandschneider mendon se "fuqia ekonomike e Gjermanisë sjell me vete që ndikimi ynë të rritet. Partnerët tanë presin një kontribut më të madh për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. "

Nga kancelarja Merkel priten propzime konkrete për vendime themelore të BE-së. Në botën e jashtme ndiqet sidomos me vëmendje qëndrimi i Gjermanisë në lidhje me SHBA pas aferës së përgjimit të celularit të kancelares Merkel. Çfarë do të jetë Berlini në gjendje të arrijë kundrejt Uashingtonit?

Nga Berlini pritet një strategji për Ukrainën

Edhe në luftën për pushtet në Ukrainë qëndrimi gjerman ka një peshë të veçantë. Kreu i opozitës Vitali Klitschko ka propozuar madje që ministri i Jashtëm Steinmeier të bëhet ndërmjetësues. Shumë në Evropë janë duke shpresuar nga Berlini një strategji për Ukrainën dhe madje edhe për qëndrimin ndaj Rusisë. Në këtë pikë është vendimtar bashkëpunimi mes Merkel dhe ministrit të Jashtëm Steinmeier. Steimmeier konsiderohet në politikën gjermane si person që merret vesh më mirë se të gjithë me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin. Kjo mund të jetë e dobishme për marrëdhëniet mes Berlinit dhe Moskës që kohët e fundit janë përkeqësuar. Drejtori i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme, Eberhard Sandschneider është i bindur: «Përvoja e Steinmeierit do të ndihmojë për uljen e tensioneve.»

Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier

Steinmeier: Partneritet modernizimi me Rusinë

Ministri i Jashtëm Steinmeier do të shkojë pas vizitës në Paris për bisedime në Varshavë. Steinmeier tha se është "krejtësisht skandaloze" mënyra se si Rusia e ka shfrytëzuar gjendjen e vështirë të Ukrainës për penguar Marrëveshjen e Asociimit me BE-në. Megjithatë BE-ja duhet ta pyes veten nëse e ka nënvlerësuar dobësinë dhe përçarjen e Ukrainës mes Lindjes dhe Perëndimit.

Politikani socialdemokrat iu rikthye në fjalimin e tij para disa qindra diplomatëve në Berlin nocionit të tij të dikurshëm të një "partneriteti modernizimi" me Rusinë. Një gjë të tillë Steinmeier e kishte propozuar në vitin 2008. Ai tha se i ka ndjekur zhvillimet e viteve të fundit me qetësi dhe se duhet patjetër që të shmanget një rikthim në të menduarit e vjetër me blloqe dhe mungesë bisedimesh. " Kjo është e rëndësishme, pavarësisht se ç'emër mund t'i vihet këtij koncepti" - tha Steinmeier.