1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Politika e jashtme e Kosovës duhet të definohet me strategji të re

Intervistë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj mbi strategjitë në fushën e diplomacisë, raportet me Shqipërinë, bisedimet me Serbinë.

default

Deutsche Welle: Ministër Hoxhaj, Kosova mbushi tre vjet që nga shpallja e pavarësisë, gjatë kësaj kohë kemi parë të arriturat, por edhe dështimet e diplomacisë kosovare. Ka nevojë për një strategji të re diplomacia kosovare?

Kosovo Aussenminister Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj, ministër Jashtëm i Kosovës

Enver Hoxhaj: Padyshim që politika e jashtme e Kosovës duhet të definohet përmes një strategjie të re dhe ne si ministri e jashtme në mbledhjen e dytë të qeverisë në mandatin e ri, kemi vendosur që të dalim me dy strategji. Njëra është strategjia e politikës së jashtme që duhet të ketë Republika e Kosovës në kuptimin e një dokumenti politik i cili e definon pozitën e Kosovës në rajonin e Ballkanit, relacionin e saj me SHBA-së, relacionin e saj me Bashkimin Evrpian, relacionin e saj me qendrat e rëndësishme brenda për brenda Bashkimit Evropian, qoftë me Londrën, Berlinin, Parisin, Romën apo Vjenën. Dhe së dyti kemi vendosur që ta kemi një strategji e cila është lobuese, avokuese me qëllim që ta rrisim numrin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe të shohim se në cilat vende duhet të punohet më shumë.

Deutsche Welle: Ministër Hoxhaj, ju jeni deklaruar për një bashkëveprim të diplomacisë kosovare me Republikën e Shqipërisë, për çfarë bashkëveprimi është fjala?

Enver Hoxhaj: Po, gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të punëve të jashtme të Shqipërisë Edmond Haxhinasto, në biseduam që ta kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe ky bashkëpunim i ngushtë duhet të jetë javor, ku pothuaj për çdo forum të rëndësishëm ndërkombëtar, apo për çdo vizitë bileterale që ka ministri shqiptar, apo kam unë, apo për çdo vizitë të ministrave të vendeve mike, ne t'i shkëmbejmë informatat dhe të kemi një qartësim të mesazheve për atë se çfarë duhet tu thuhet këtyre vendeve me qëllim që ta njohin Republikën e Kosovës. Krahas kësaj ne kemi kërkuar nga Republika e Shqipërisë dhe nga shumë shtete tjera mike, që ne ta kemi një mundësi të pjesmarrjes në disa takime ku ne nuk mund të ftohemi si Kosovë dhe ta kemi mundësinë që përmes tyre t'i përcjellim kërkesat tona.

Deutsche Welle: Ministër Hoxhaj, Kosova tashmë ka filluar bisedimet teknike me Serbinë, a mund ta pengojë ky dialog shtimin e njohjeve të shtetit të Kosovës?

Enver Hoxhaj: Më lejoni të them se procesi i bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar pas miratimit të rezolutës në Kombet e Bashkuara dhe rezoluta synon që ky dialog ta përmirësojë jetën e njerëzve, t'i adresojë çështjet e interesit praktik të dyanshëm dhe në të njejtën kohë tu mundësojë të dy vendeve që të forcohet sundimi i ligjit. Ky dialog është dialog teknik dhe është ndërmjet të dy shteteve të pavarura, prandaj edhe si i tillë kutohet në çdo cep të botës dhe në asnjë formë unë nuk besojë se ky diaog mund ta pengojë procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Njohja është akt i njëanshëm i çdo shteti dhe çdo shtet apo qeveri që merr vendim për njohje, realisht e trajton këtë problem nga interesi i saj i brendshëm nga interesi i saj strategjik, por edhe nga mënyra se si e kupton procesin e pavarësisë së Kosovës.

Deutsche Welle: Ministër Hoxhaj, megjithëse i deklaruar si një dialog teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në këtë mes ka edhe një percepcion politik. Marrim shembull deklaratën e fundit të Baroneshës Ashton e cila tha se dialogu Prishtinë Beograd, është i rëndësishëm sidomos për Serbinë në afrimin e saj me Bashkimin Evropian, përkatësisht marrjen e statusit të vendit kandidatë për tu anëtarësuar në BE. Bazuar në këtë, më intereson të di se çfarë përfiton Kosova?

Außenminister Edmond Haxhinasto und Enver Hoxhaj Pressekonferenz

Ministër i Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto dhe ai i Kosovës, Enver Hoxha

Enver Hoxhaj: Qëllimi ynë përmes dialogut teknik është që t'i zgjidhim ato çështje teknike të cilat edhe më tutje janë të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Më lejoni të përmend vetëm një fakt. Gjatë këtyre tre vjetëve Kosova ka humbur shumë miliona euro për shkak se nuk ka pasur një definim të qartë të sektorit të energjisë. Shumë transmisione energjetike që ka bërë Serbia duke përdorur sistemin energjetik të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës i kanë kushtuar Kosovës 100 milion euro. Ose, ka shumë qytetarë në veri të Kosovës që e shfrytëzojnë energjinë elektrike të Kosovës dhe nuk paguajnë faturat. Pra këtu po flasim për çështje teknike. Tek dialogu ka qenë kërkesë e jona që ky dialog nuk duhet vetëm t'i rregullojë çështjet teknike të Kosovës dhe t'i normalizojë relacionet e saja me Serbinë, por ky diaog ta afrojë Kosovën në integrimet evropiane. Unë jam shumë i sigurt që nëse Kosova performon mirë në këtë dialog, ne do ta kemi një mundësi që ta marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave meqë jemi vendi i vetëm në rajon që akoma nuk është i përfshirë në një proces të tillë. Dhe përveç kësaj, do të kemi mundësi që ta shtyjmë përpara kërkesën tonë që Republika e Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Shtetet sovrane të pavarura dhe të mirëfillta nuk mund t'i thonë jo një diaogu që është për interesa praktike.

Deutsche Welle: Minisër Hoxhaj, dialogu me Serbinë po ndodh në një fazë ku imazhi i Kosovës është dëmtuar në arenën ndërkombëtare. Kam këtu parasysh raportin e Dik Martit dhe arrestimet e fundit të ish pjestarëve të UÇK-së, të cilët dyshohet të jetë të përfshirë në krime lufte në Kosovë. Vërtetë mendoni se Kosova është në një pozitë të barabartë me Serbinë në këtë dialog, karshi faktorit ndërkombëtar?

Enver Hoxhaj: Më lejoni të them se raporti i zotit Dik Marti ka qenë më shumë si një goditje në të gjitha proceset politike që ka kaluar Kosova dhe nuk ka qënë një goditje politike ndaj një njeriu apo një klase politike, por ka qenë një goditje ndaj shtetit dhe shoqërisë kosovare. Aty ka paragrafe që e përshkruajnë shoqërinë kosovare me koncepte të shekullit nëntëmbëdhjetë apo të viteve tridhjeta të shekullit njëzet. Qëndrimi ynë ka qenë që institucionet e Kosovës janë të interesuara që të bashkëpunojnë me misionin EULEX dhe ta kemi një qartësi të plotë për raportin si të tillë. Pra ideja e raportit ka qenë më shumë që ta dëmtojë imazhin e Kosovës sesa të vendosë ndonjë qartësi juridike për çështjet të cilat ngriten në raport. Është një përpjekje e madhe e jona si ministri i jashtme që realisht ta prezantojmë një imazh modern të Republikës së Kosovës dhe nuk është ai imazh i cili ka qenë para tre katër muajsh. Vetëm gjatë këtij muajit të fundit shtypi botërorë ka lajme të tjera për Kosovën dhe sidomos dialogu me Serbinë ka qenë një lajm pozitiv dhe të gjitha mediat perëndimore e kanë përshkruar si një dialog ndërmjet të dy vendeve të pavarura.

Intervistën e zhvilloi Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 24.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10giK
  • Data 24.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10giK