1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Gjermanisë

Tema mbizotëruese në politikën gjermane të sigurisë: misioni në Afganistan, edhe në 2009-ën sfida më e madhe për qeverinë e vjetër dhe të re. Në muajt e fushatës zgjedhore politika e jashtme luajti një rol dytësor.

Pas fitores së koalicionit CDU/CSU-FDP në fund të shtatorit ministër i ri i Jashtëm u bë liberali Guido Westerwelle dhe ai vendosi thekset e veta të para. Politikani kristiansocial Karl-Theodor zu Guttenberg mori Ministrinë e Mbrojtjes, dhe gaboi gjatë startimit në postin e ri.

Pas fitores së koalicionit CDU/CSU-FDP MPJ u bë liberali Guido Westerwelle. Politikani kristiansocial Karl-Theodor zu Guttenberg mori Ministrinë e Mbrojtjes.

Në fund të tetorit 2009 nëpunësit e Ministrisë së Jashtme u mblodhën në sallën më të madhe të saj për t'u ndarë pas katër vitesh në post prej Frank-Walter Steinmeierit. Si kandidat për kancelar i socialdemokratëve ministri i Jashtëm kishte sfiduar kancelaren dhe kishte humbur. Me njëfarë nostalgjie Steinmeieri ia dorëzoi postin kryetarit të Partisë Liberale Guido Westerwelle.

"Dhe në fund zoti Westerwelle, ky është edhe një vlerësim për shoqërinë tonë, që udhëheqësi i deritanishëm i opozitës bëhet ministër i Jashtëm dhe ministri i deritanishëm i Jashtëm bëhet udhëheqës opozite."

Angela Merkel, Frank-Walter Steinmeier dhe Guido Westerwelle

Angela Merkel, Frank-Walter Steinmeier dhe Guido Westerwelle

Për Westerwellen u përmbush një ëndërr

Westerwelle donte të bëhej patjetër ministër i Jashtëm dhe të ecte në gjurmët e pararendësve të tij në post, liberalëve të mëdhenj si Hans-Dietrich Genscheri. Frank-Walter Steinmeier, i cili udhëheq tani grupin parlamentar socialdemokrat në parlament, i la një ministri në rregull.

Në politikën e jashtme ai e mbajti Gjermaninë në një kurs të sprovuar dhe ia përcolli pa hezituar përvojën e vet pasardhësit në detyrë: "Para së gjithash tani di një gjë shumë më mirë sesa para katër vjetësh: Sa të mëdha, sa kolosale, sa irracionalisht të mëdha janë nganjëherë pritjet, që drejtohen ndaj nesh në pjesë të tjera të botës dhe të cilat duhet të përpiqemi t'i justifikojmë." - tha Frank-Walter Steinmeier.

Vizita e tij e parë mjaftoi që partneri i koalicionit CDU/CSU të dëgjonte me vëmendje: Westerwelle i sinjalizoi qartë lidhjes së të zhvendosurve, se nuk donte që kryetarja e tyre Erika Steinbach të ishte anëtare e bordit këshillues të fondacionit: „Arrati, Dëbim, Pajtim“. Deputetja kristiandemokrate është shumë jopopullore në Poloni.

"Si ministër i Jashtëm jam përgjegjës për atë që marrëdhëniet me vendet tona fqinje të mos dëmtohen. Duhet të regjistrojmë faktin që ka rezerva. Besoj, se interesat e personave të veçantë duhet të kalojnë në plan të dytë dhe për këtë arsye për mua është krejt e qartë, që duhet të heqim dorë nga gjithçka që një vendim personeli e kthen në çështje të madhe konflikti midis dy vendeve tona.“

Start i vështirë për ministrin e Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg

Një start të vështirë në post pati ministri i mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg. Para se të zgjidhej 38-vjeçari kishte qenë për disa muaj ministër i Ekonomisë dhe kishte arritur në postin e tij të parë qeveritar një reputacion të shkëlqyer. Ai mori lëvdata edhe për veprimet e para në Ministrinë e Mbrojtjes. Për shembull, ai ia përshtati gjuhën e vet asaj të ushtarëve në Afganistan, të cilët flasin për "luftë" - një nocion, të cilin paraardhësi i tij Franz-Josef Jung gjithnjë e kishte shmangur.

Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg përshtati gjuhën e tij asaj të ushtarëve në Afganistan

Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg përshtati gjuhën e tij asaj të ushtarëve në Afganistan

"Ushtarët gjenden shpesh në përpjekje pjesërisht intensive. Rreziku, plagosja madje edhe vdekja janë kudo të pranishme. Dhe këtë nuk lejohemi ta përshkruajmë butë me formula burokratike."

Por talenti retorik dhe politik i Guttenbergut nuk e mbrojti atë prej gabimeve: Vetëm dhjetë ditë pas ardhjes së tij në post ai u nxitua të jepte gjykimin e vet mbi sulmin ajror fatal kundër dy cisternave me naftë, të rrëmbyera prej talibanëve në Afganistan. Urdhrin për këtë sulm e kishte dhënë koloneli gjerman Georg Klein në fillim të shtatorit.

Asokohe ministri i atëhershëm Jung kishte pretenduar fillimisht, se ishin vrarë vetëm talibanë, duke vënë në dukje në mënyrë stereotipe se hetimet vazhdonin. Për opozitën kjo qe një taktikë mjegullimi. Jung dha dorëheqjen pas një përpjekjeje të fundit për minimizimin e përgjegjësisë.

Një nisje jo e mirë për qeverinë e re, e cila paralelisht duhet të luftojë dhe me pyetjen, se si të reagojë ndaj lutjes së Barack Obamës për t'u angazhuar më fort në Afganistan. Hë për hë qeveria nuk po i jep premtime Obamës.

Autor: Nina Werkhäuser/Elert Ajazaj
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 25.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LDU2
  • Data 25.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LDU2